Gjermani: Indinjatë pas rrahjes së deputetit djathtist
9 Janar 2019Nuk është hera e parë që AfD-ja (partia djathtiste Alternativë për Gjermaninë) bëhet objekt sulmesh. Xhama të thyera dhe vetura të shkatërruara, këtë e kishin parë edhe më parë populistët djathtistë në landin më të vogël federal të Gjermanisë. Por me sulmin kundër Frank Magnitz-it, kryetar i degës së Bremen-it i partisë Alternativë për Gjermaninë, dhuna arriti një nivel të ri. 66-vjeçari ka pësuar lëndime të rënda dhe ndodhet në spital.
Dyshohet se tre persona të maskuar e kanë goditur deputetin e Bundestagut me një send në kokë. Sulmi ka vazhduar edhe pasi Magnitz-i kishte rënë në tokë. Kalimtarët e kishin parë tek rënkonte dhe alarmuan ndihmën e shpejtë. Policia e Bremenit dhe organet e mbrojtjes së shtetit supozojnë se ka qenë sulm me motive politike. Ata kanë ngritur një komision special për të gjetur autorët.
"Yshtje kundër AfD-së"
Sulmi është dënuar nga të gjitha partitë e përfaqësuara në Bundestag. Urime për t'u shëruar sa më shpejt, Magnitz-it i dërguan jo vetëm shokët e partisë, por edhe shumë politikanë të partive të tjera, me anë intervistash ose mesazhesh nëpër rrjete sociale.
Ndërsa shefi i partisë, Alexander Gauland, tha në një intervistë për DW, se "ky është një përshkallëzim i izolimit me të cilin përballemi ne kudo". Gauland fajësoi në mënyrë indirekte partitë e tjera në Bundestag, që e quajnë partinë e tij "jodemokratike", çka është sipas Gauland-it, një ftesë për tipa që duan sherr, për t'u hedhur në sulm fizik. Dhe pikërisht kjo ndodhi edhe këtu, tha ai.
Specialistët e harbutllëkut
Një nga personat e përmendur më tepër si përgjegjës për këtë është politikani socialdemokrat, Ralf Stegner, i cili është një nga sulmuesit e përhershëm të AfD-së në Bundestag. Por ky vetë, në një intervistë me DW, thotë se nuk e pranon aspak këtë akuzë, përkundrazi, sipas tij "specialistët e harbutllëkut janë në atë parti që e quan veten Alternativë për Gjermaninë por që në të vërtetë është një turp për Gjermaninë".
Autorët nuk janë identifikuar ende, dhe Frank Magnitz vetë nuk mund të thotë shumë për ngjarjen, sepse nga goditjet kishte humbur ndjenjat. Deri tani spekulohet që krimi të jetë bërë nga ekstremistë të majtë e të gatshëm për dhunë. Sipas Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës mendohet se në Gjermani janë afro 9000 të tillë.
Në vitin 2017 ky organ numëroi 162 raste, në të cilat majtistë ekstremistë kishin kryer akte dhune kundër përfaqësuesve të grupimeve djathtiste. Dy raste janë klasifikuar madje si tentative për vrasje.