1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Indinjata e madhe e myslimanëve

22 Shtator 2012

Ishte parashikuar që më parë. Pas lutjeve të së premtes protestat kundër videos që fyen Muhamedin shpërthyen në të gjithë botën islame. Në Pakistan u vranë 23 vetë. Forcat e sigurisë janë në gatishmëri.

https://p.dw.com/p/16Cf1
Pas lutjeve të së premtes protestat kundër videos që fyen Muhamedin shpërthyen në të gjithë botën islame
Pas lutjeve të së premtes protestat kundër videos që fyen Muhamedin shpërthyen në të gjithë botën islameFotografi: dapd

Protesta pati në disa vende pas lutjeve të së premtes. Por dhuna më e madhe shpërtheu në Pakistan. Sipas gazetave pakistaneze "News" dhe "Dawn" të paktën 23 vetë kanë humbur jetën gjatë trazirave të djeshme. Më shumë se 200 janë plagosur. Dhjetëra mijëra vetë dolën në rrugë për të protestuar kundër videos së prodhuar nga kundërshtarë të islamit në SHBA, video në të cilën ofendohet profeti Muhamed. Protestat u nxitën edhe nga nga karikaturat e Muhamedit të botuara në një gazetë humoristike franceze. Në qytetin pakistanez Peshawar u qëllua mbi automjetin e një ekipi televiziv, shoferi humbi jetën. Ekipi ishte duke shkuar në një kinema, të cilës i ishte vënë më parë flaka nga demostruesit.

Kryeministri pakistanez Raja Pervez Ashraf e pati shpallur ditën e premte ditë feste në nder të profetit Muhamed duke ndezur kështu më shumë protestat. Filmi që u shpërnda nga SHBA, në të cilin ofendohet profeti Muhamed është "lloji më i keq i fanatizmit", tha ai. Ajo nuk ka të bëjë me lirinë e mendimit. Ashraf i bëri po ashtu thirrje Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare të gjejnë rrugët për të ndaluar shprehjet që "nxisin urrejten dhe hedhin farën e konflikteve".

Pakistan, ushtria në gadishmëri
Pakistan, ushtria në gadishmëriFotografi: DW/Shakoor Raheem

Sipas shprehjeve të Ashrafit grupe të caktuara politike dhe fetare kanë bërë thirrje për organizimin e protestave ditën e premte. Në Islamabad policia bëri të ditur se nga frika e trazirave do të bllokojë qendrën e qytetit. Policia rrugore do të bllokojë rrugët pas lutjeve të së premtes, njoftoi radio shtetërore Pakistan.

SHBA transmetojnë spot televiziv në Pakistan

Qeveria amerikane është duke u përpjekur të qetësojë gjendjen. Një zëdhënëse e qeverisë bëri të ditur se në Pakistan është duke u transmetuar në shtatë televizione një spot, në të cilin presidenti amerikan Barack Obama dhe ministrja e Jashtme Hillary Clinton distancohen nga video. Në fjalën e përkthyer edhe në gjuhën urdu Obama thotë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë të bëjnë me videon antiislamiste. Sipas të dhënave të zëdhënëses shtatë stacionet televizive mund të shikohen teorikisht nga 90 milionë pakistanezë.

Protesta, Pakistan
Protesta, PakistanFotografi: DW/Shakoor Raheem

Në Majlazi, sipas vlerësimeve të policisë 5 mijë vetë ishin mbledhur para ambasadës amerikane dhe një xhamie që ndodhet pranë saj. Ambasada u mbyll që në mëngjes pa fillimin e protestave. Kryeministri Najib Razak e quajti videon "shumë lënduese", por i bëri thirrje qytetarëve të vendit që të ruajnë qetësinë dhe të kujdesen që protestat të mos bëhen të dhunshme. Në Indonezi automjete të blinduara u vendosën për shkaqe sigurie para ambasadës amerikane, që është mbyllur më parë.

Ambasadat gjermane kontrollohen më shumë

Në gjithë botën arabe do të ketë gjatë ditës manifestime. "Ne kemi ashpërsuar masat e sigurisë në gjithë rajonin dhe kemi shtuar personelin e sigurisë," bëri të ditur ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle. Ai bëri po ashtu thirrje "që indinjata që është shpërndarë në shumë vende islamike, të shprehet në mënyrë paqësore". Në shumë qytete në Gjermani myslimanët kanë kërkuan lejen për të organizuar demostrata.