India ka qenë atdheu i sintit dhe romëve
11 Dhjetor 2012Prej shekujsh sintit dhe romët jetojnë në Europë. Dhe megjithatë ata kanë mbetur një grup i veçantë etnik, që krahas gjuhës së vendit, ku jetojnë, flasin edhe gjuhën e tyre, romanes. Megjithëse romanes nuk është një gjuhë homogjene, por ka shumë dialekte të ndryshme, ajo ka afërsi me sanskritin indian. Gjuhëtarët që në shekullin e 18-të mendonin, se origjina e ciganëve evropiane është në Indi.
Migrimi filloi para 1500 vjetësh
Një studim i botuar në revistën shkencore "Current Biology" për përbërjen gjenetike të grupeve të ndryshme rome në Europë e mbështet këtë teori dhe e lokalizon më mirë vendin e origjinës. Manfred Kayser, biolog në universitetin Erasmus në Rotterdam dhe njërin prej autorëve të studimit, shpjegon në intervistë me Deutsche Wellen zbulimet e reja: "Me studimin tonë ne mund të konfirmojmë këtë origjinë indiane nga njëra anë, por edhe të lokalizojmë atë në rajonin veriperëndimor të Indisë, nga ku ka filluar sipas të gjitha gjasave lëvizja e romëve."
Edhe sfondi kohor, thotë Kayser, mund të kuptohet nga studimi: "Të dhënat tona thonë, se ky eksod nga India filloi para rreth një mijë e pesëqind vjetësh dhe pastaj ne mund të shohim përmes të të dhënave, se çfarë ka ndodhur më vonë: Duket sikur ka patur një ndarje në romë evropianolindorë dhe romë perëndimorë, pak a shumë në rajonin e Ballkanit para afro 900 vjetësh."
Shpërndarje në të gjithë Europën
Sot në Evropë jetojnë afro 11 milionë romë. Të dhëna të besueshme nuk ka thuajse fare, sepse me anë të statistikës zyrtare ata nuk mund t'i dallosh thuajse aspak nga pjesa tjetër e popullatës. Në Gjermani sipas Këshillit Qendror të romëve jetojnë afro 70 000 vetë. Grupe shumë më të mëdha ka në Serbi, Hungari, Rumani dhe në Spanjë.
Përhapja e tyre e madhe në Spanjë në studimet e mëparshme shpjegohej me prejardhjen nga kontinenti afrikan. Supozime të tilla tani janë të përjashtuara përfundimisht.
Mungesa e shkrimit vështirëson hulumtimet shkencore
Meqenëse gjuha e tyre romanes, bazohet në traditën gojore dhe nuk ekziston tradita e shkruar, për shkencën përbën një vështirësi të madhe që të vertetojë historinë e sidomos lëvizjet e kësaj popullate. Prandaj zbulimet e reja gjenetike luajnë këtu një rol të veçantë.
Megjithë vështirësitë ka studime të sakta gjuhësore për origjinën e lëvizjeve të popullsisë rome në Europë, që në disa raste datojnë disa shekuj më parë. Yaron Matras, profesor i linguistikës në universitetin e Manchesterit, mendon se rezultatet e studimit gjenetik të publikuara tani në "Current Biology" nuk janë shumë spektakolare. "Nga pikëpamja gjuhësore ne dimë shumë më tepër se nga pikëpamja gjenetike. Ajo që dihet nga pikëpamja gjenetike, konfirmon rezultatet, që janë nxjerrë nga shkenca gjuhësore."
Këto studime gjuhësore tregojnë për shembull, se para se të ndodhnin migrimet nga veriu dhe veriperëndimi i Indisë në drejtim të Europës, ka patur lëvizje migrimi nga India Qëndrore për në Veri. Matras i konsideron analizat gjenetike si një mundësi të mirë, për t'i konsoliduar më tej zbulimet gjuhësore.