1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Indeksi Bertelsmann i transformacionit: Demokracia në rënie

24 Shkurt 2022

Për herë të parë që nga viti 2004 indeksi Bertelsmann i transformacionit (BTI) regjistron më shumë shtete autokratike se sa demokratike. Bastioni i fundit kundër autokracisë shpesh janë aktivistët e shoqërisë civile.

https://p.dw.com/p/47VAI
Tunesien | Proteste in Tunis
Protesta në TunisFotografi: Riadh Dridi/AP/dpa/picture alliance

Autokracitë si në Rusi e në Kinë nga njëra anë, demokraci si në SHBA apo në Gjermani nga ana tjetër. Eshtë ky konflikti i madh i kohës sonë? "Kjo është një luftë e ashpër", e përshkroi situatën e politikës botërore kancelari gjerman Olaf Scholz gjatë vizitës në Uashington më 7 shkurt.

Në intervistë me CNN Scholz megjithatë u shpreh optimist duke theksuar, se ai është absolutisht i sigurit, që në fund demokracia do të fitojë. Sepse kjo nuk është vetëm një ide perëndimore, por e ankoruar thellë tek njeriu. "Unë jam absolutisht i sigurt, që njerëzit kudo në botë do ta vlerësonin mënyrën tonë të jetesës, që ne e kemi me demokracinë, shtetin ligjor, liritë individuale dhe ekonominë e tregut."

Liri të kufizuara, ndarje e shfuqizuar e pushtetit

Demokracia është ende larg një fitoreje në mbarë botën. Për herë të parë që nga viti 2004 i ashtuquajturi indeksi Bertelsmann i transformacionit (BTI) shënon më shumë shtete autokratike se sa demokratike. Nga 137 vende në zhvillim e transformacion të hulumtuara vetëm 67 janë demokraci. Numri i autokracive është rritur në 70.

"Ky është rezultati më i keq i transformimit politik, që kemi matur ndonjëherë në 15 vitet e punës sonë", thotë Hauke Hartmann, drejtues i projektit të BTI pranë fondacionit Bertelsmann. Në mbarë botën ka mesatarisht më pak zgjedhje të lira, më pak liri mendimi dhe grumbullimi dhe ndarja e pushtetit po dobësohet gjithnjë e më shumë.

Kjo ndodh në Tunizi, një vend që prej kohësh konsiderohej shpresa e fundit e lëvizjeve të demokratizimit të Pranverës Arabe. Në Tunizi tani presidenti Kais Saied qeveris per dekret, qëkurse ai shfuqizoi parlamentin dhe qeverinë në korrik 2021 si dhe pjesë të kushtetuës. Së fundi Saied shpërndau këshillin e lartë të drejtësisë, që duhet të garantojë pavarësinë e drejtësisë në vend.

Eksperti Hauke Hartmann nga Fondacioni Bertelsmann në intervistë për DW thotë, se „më shumë në dhjetë vitet e fundit ka humbur Turqia nën presidentin Erdogan, që u konsiderua në fillimet e tij si shpredhënës", thotë ai. „Kjo sepse në Turqi ndarja e pushtetit dhe pjesëmarrja është kufizuar aq, sa edhe në hulumtime përpara na duhej ta rendisnim Turqinë si autokraci. Në këtë vlerësim për fat të keq deri tani nuk ka ndryshuar asgjë."

Elitat politike dhe ekonomike promotorët të autokracisë

Shqetësues është fakti, që edhe shumë demokraci deri më sot të konsoliduara po zbresin në kategorinë „demokraci difektoze". Si p.sh. përmes kursit etnonacionalist të kryeministrit Narendra Modi në Indi apo të presidentit të djathtë autoritar Jair Bolsonaro në Brazil e Rodrigo Dutertes në Filipine.

"Këto janë demokraci, që përpara dhjetë vjetësh i klasifikonim si në konsolidim, si të qendrueshme dhe ndërkohë ato po shfaqin defekte të mëdha në proceset e tyre politike. Në Europë ne kemi p.sh. rastin e Polonisë dhe të Hungarisë si minuese të parimeve të BE-së për shtetin ligjor. "

Cilat janë shkaqet për forcimin e sistemeve autokratike dhe erozionin e normave demokratike? Lidhur me këtë exksperti i Fondacionit Bertelsmann, Hartmann thotë, se promotorët kryesorë janë elitat politike dhe ekonomike, që duan të mbrojnë sistemin e tyre klientelist dhe të korruptuar. "Ne kemi të bëjmë në shumicën e 137 shteteve të analizuara me një sistem politik, që bazohet tek një pjesëmarrje e rreme, dhe një sistem ekonomik, që shkatërron konkurrencën dhe pengon pjesëmarrjen ekonomike e sociale. "

Kjo vërehet shpesh në Amerikën Qendrore, ku politika rëndom u nënshtrohet strukturave mafioze. Si në Afrikën e Subsaharasë, ku individë sigurojnë beneficione politike dhe shfrytëzojnë institucionalizimin e dobët të proceseve politike.

Vala e populistëve

Kush është i kërcënuar prej varfërisë, urisë dhe izolimit social e nuk sheh përmirësim të proceseve demokratike, shpesh joshet prej alternativave populiste. Kjo ndodh jo vetëm në vendet e analizuara, por edhe në demokracitë e konsoliduara prej kohësh si SHBA-ja, që nuk përfshihet në hulumtimin e BTI. Ky fondacion nuk merr në analizë vende, të cilat kanë qenë anëtare të OECD-së që përpara vitit 1989 e që për këtë arsye konsiderohen si të konsoliduara në aspketin demokratik dhe në ekonominë e tregut.

"Që nga zgjedhja dhe vazhdimi i popullaritetit të Donald Trumpit si dhe mungesa e përgjegjësisë së elitave angleze, të gjithë e kanë humbur iluzionin sa i përket forcës së demokracisë sonë", thotë Hartmann. Krahas margjinalizimit të grupeve të thjeshta të popullsisë, eksperti sheh si problem kryesisht ligjin elektoral mazhoritar, që shpesh çon në një garë mes dy partive: „Kjo më duket si një fitil ndezës për polarizimin, që mund ta vërejmë më së miri në SHBA."

Represion nën hijen e pandemisë

Pandemia Corona në shumë vende ka shkaktuar kufizime të mëtejshme politike dhe të të drejtave civile. Në disa raste këto kufizime kanë qenë masive, por të përkufizuara në kohë, e as ka të bëjë me demokracitë, këto masa kanë qenë të legjitimuara në rrugë parlamentare, thotë Hartmann. "Por në regjimet populiste autoritare ne gjejmë edhe përjashtime si në Filipine apo në Hungari e në autokraci të tjera si në Azerbajxhan, Kamboxhia apo në Venezuelë, që e kanë përdorur pandeminë si pretekst për të avancuar edhe më tej represionin." Në autokracitë e avancuara si Kina në këtë kontekst janë rritur ndjeshëm përmasat e mbikqyrjes digjitale.

Pavarësisht tendencës mbarëbotërore për më shumë autokraci: edhe Hartmann vazhdon të besojë, që shumica e njerëzve duan lirinë dhe të drejtën e bashkëvendosjes. Shpresë jep fakti, që në angazhimin e shoqërisë civile nuk ka rënie në mesataren globale. "Le të kemi parasysh angazhimin e guximshëm për zgjedhje të lira në Bjellorusi, solidaritetin e shoqërisë civile në Liban, luftën kundër sundimit ushtarak në Sudan apo protestën kundër puçit në Mianmar. Këto njerëz nuk shkojnë thjeshtë në ndonjë demonstratë, por ato rrezikojnë jetën e tyre për një shoqëri më të mirë." Këta janë heronjtë – bastioni i fundit dhe më i fortë në luftën mbarëbotërore kundër autokracive.