1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Incidente në veri të Kosovës

Bekim Shehu
25 Shtator 2021

Kosovë: Është djegur qendra e regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok dhe është sulmuar me granata qendra e regjistrimit  civil në Zveçan. Pasoja në njerëz nuk ka.

https://p.dw.com/p/40rEz
Kosovo Jarinje | Polizeiaufgebot an der Kosovo- serbischen Grenze
Fotografi: Bojan Slavkovic/AP/picture alliance

Dy sulme të ndara ndodhën paraditën e së shtunës (25.09) në veri të  Kosovës përkatësisht në komunat e banuara me shumicë serbe Zvecan dhe Zubin Potok. Sipas policisë, persona tash për tash të panjohur dogjën tërësisht Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok, ndërsa  është sulmuar me granata dore edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan. Sipas hetimeve të para, në këtë të fundit u hodhën dy bomba dore, por të cilat "nuk shpërthyen”. Këto sulme ndodhën në ditën e pestë të bllokadës së rrugëve nga serbët lokal që po mbajnë të bllokuara për qarkullim edhe dy pikat kufitare Koosvë-Serbi në Jarinje dhe Bërnjak. Serbët po kundërshtojnë masën e recipricitetit të vendosur nga qeveria e Kosovës lidhur me targat e veturave me regjistrime të Serbisë. Dy incidentet që ndodhën të shtunën  ndaj Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok, dhe Qendrës së Regjistrimit Civil në Zveçan, për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti ishin të qëllimshme.

Kosovo | Autoregistrierungszentrum im Norden des Kosovo verbrannt
Fotografi: Office of the Kosovo government

"Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cënojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdor qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”, shkroi Kurti në Facebook. Spas tij, akte të tilla nuk do të tolerohen, ndërkaq ai u bëri thirrje qytetarëve në veri të vendit që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet. Më herët gjatë të shtunës, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se përkundër veprimeve të tilla, Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të zbatojë vendimin për masën e reciprocitetit për targat me Serbinë në tërë territorin e Kosovës.

"Këto veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri”, tha ministri Svecla.

Vendosja e masës së reciprocitetit nga Kosova për targa të automjeteve të Serbisë, duke vendosur detyrimin e ndërrimit të targave sapo të hyjnë në Kosovë, është kundërshtuar ashpër nga Beogradi zyrtar. Të njetën gjë qytetarët e Kosovës, të cilët kalojnë në Serbi tash e më shumë se dhjetë vjet, detyrohen të ndërrojnë targat  e veturave.    

Pas bllokadës së rrugëve prej gati një jave në veri të Kosovës, përballë protestuesve po qëndron njësia speciale e policisë së Kosovës, por, nuk po ndërhyn që të zhbllokojë rrugët. Bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht po u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë,  që të ulin tensionet dhe t'i  kthehen tavolinës së bisedimeve në Bruksel. NATO kërkoi uljen e menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës derisa u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të ushtrojnë përmbajtje, të shmangin veprimet e njëanshme dhe t'i kthehen dialogut.

Edhe zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar, ka thënë se pala kosovare dhe ajo serbe duhet të takohen në Bruksel lidhur me çështjen e targave. Escobar ka thënë se palët nuk duhet të dërgojnë forca speciale aty ku është i pranishëm KFOR-i, dhe të përmbahet nga retorika e dëmshme.

"Ne e mbështesim këtë dialog 100 për qind dhe unë jam në kontakt të përditshëm me Miroslav Lajçakun. Ai ka disa propozime shumë të mira. Ai po përpiqet t'i sjellë të dyja palët në Bruksel lidhur me çështjen e targave, me synimin për të negociuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe ka disa zgjidhje të mira. Por, varet nga të dyja palët, që të bien dakord për ta diskutuar këtë, u takon atyre të shkojnë në Bruksel dhe ta trajtojnë këtë çështje. Është gjithashtu në dorën e të dyja palëve, që të mos ketë një qasje ushtarake ndaj kësaj çështjeje dhe të mos dërgojnë Forca Speciale në një vend ku kemi KFOR-in. Nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Lidhur me çështjen e targave ne do të donim të shihnim disa lëvizje në Bruksel, ndoshta që javën e ardhshme”, tha Escoban në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Situatën e krijuar në veri të Kosovës dhe bllokadën e dy pikave  kufitare me Serbinë, njohë të çështjeve të sigurisë po e cilësojnë  të rrezikshme me mundësi përshkallëzimi. Agim Musliu njohës i çështjeve të sigurisë i tha DW-së, se tashmë në veri të Kosovës krahas protestuesve serb lokal, ka infiltrime të shërbimeve të huaja saktësisht të shërbimeve të Rusisë që është shumë aktive në rajonin e Ballkanit,  dhe kjo në vetvete mund të jetë problem edhe më i madh edhe për Evropën.

"Përfshirja e shërbimeve sekrete ruse në Balkan siҫ ndodhi edhe me zhvillimet në Mal të Zi, ku u përfshi edhe Kisha Ortodokse Serbe,  është e rrezikshme në vetvete, sepse në Kosovë edhe tradicionlisht por edhe për shkak të orjentimit properendimor të Kosovës, ne jemi muri i fundit mbrojtës nga ky ndikim në Ballkan dhe Evropë. Në këtë aspekt mendoj, se Perëndimi duhet të reagojë shumë më shpejtë ndaj udhëheqësisë në Serbi, e cila e pranon këtë lojë me dekada, por duhet të jetë me rigoroze edhe ndaj vet Rusisë”, thotë Musliu.

Kosovo Jarinje | Polizeiaufgebot an der Kosovo- serbischen Grenze
Fotografi: Bojan Slavkovic/AP/picture alliance

Eksperti Agim Musliu, thotë se brenda grupeve protestuse serbe ka njerëz të armatosur dhe që përbëjnë rrezik për policinë e Kosovës.   

"Policia e Kosovës në veri po përballet me shumë rreziqe, sepse brenda protestuesve lokal serb ka të përfshirë njerëz të armatosur, ka paramilitar dhe të gjithë atë turmë njerëzish e komandon ish - gjenerali i xhandarmerisë serbe, Dikiq, një njeri që pati planifikuar edhe puçin e dështuar në Mal të Zi. Ai tashmë dihet që ndodhet aty dhe ai i orkestron dhe e udhëheq atë masë të njerëzve aty. Pra policia e Kosovës nuk ka shkuar në veri që t'i mbrojë shqiptarët nga serbët, por policia e Kosovës është aty që ta zbatojë një urdhër, të sigurohet që po zbatohet një masë e shtetit të Kosovës dhe mos të ndodhë sikurse mç herët kur janë djegur pikat kufitare të Kosovës me Serbinë”, thotë Musliu.

Sipas ekspertit të çështjeve të sigurisë Agim Musliu, situata e tensionuar në veri mund të vazhdojë me ditë të tëra derisa të arrihet një marrëveshje që mund të jetë politike. Pra, Musliu mendon, se protestuesit serb do të vazhdojnë të  mbajnë të bllokuara rrugët në veri, përderisa të marrin një urdhër ndryshe nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuҫiq. Ky i fundit ditë më herët ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që t'i tërheq njësitë speciale të policisë nga veriu i Kosovës si kusht për t'u ulur në tavolinën e bisedimeve ne Bruksel dhe për ta trajtuar çështjen e targave të veturave, por edhe marrëveshjen kryesore për të cilën Prishtina dhe Beogradi nuk bien dakord, Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.