1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Incident në një central bërthamor suedez

Regina König4 Gusht 2006

Pasiguri pas mbylljes së reaktorëve bërthamorë

https://p.dw.com/p/ArAN
Centrali bërthamor Forsmark në Suedi
Centrali bërthamor Forsmark në SuediFotografi: picture-alliance/ dpa

Për arsye sigurie në Suedi janë çaktivizuar tre reaktorë bërthamorë. Javën e kaluar në centralin Forsmark në veri të Stokholmit ishte shfyqur një defekt tek gjeneratorët rezervë pas një ndërprerje rryme. Pas kësaj u çaktivizua reaktori i atjeshëm dhe tani edhe tre të tjerë.

Disa besojnë shumë tek siguria e centraleve bërthamore suedeze, tek sistemet e kontrollit dhe nuk kanë aspak frikë; të tjerëve u shkon mendja tek Çernobili.

Banorët në afërsi të centralit bërthamor Oskarshamn në Smoland janë të pasigurt. Një gjë dihet me siguri, incidenti që çoi në mbylljen e e katër prej dhjetë reaktorëve, është më i rëndi në centralet bërthamore të Suedisë. Një qark i shkurtër gjatë punimeve në një kabinë komandimi jashtë centralit Forsmark në afërsi të Uppsala-s është arsyeja për gjithë këtë.

Të enjten e javës së kaluar reaktorët e Forsmark-ut u ndalën automatikisht, sepse furnizimi rezervë me rrymë nuk punoi. Normalisht në rast ndërprerjeje të rrymës ndizen automatikisht katër gjeneratorë nafte; por dy agregate mundën të ndizeshin vetëm pas 23 minutash në mënyrë manuale. Sipas hetimeve të deritanishme problemi qëndron tek konstruktimi i gabuar i transformatorëve të rrymës së vazhdueshme dhe alternative të furnizuesit rezervë.

Një përfaqësues i firmës:

"Teknikët në centralin bërthamor Forsham e konsiderojnë në gjendje pune njërin prej tre reaktorëve, dy të tjerët janë fikur, sepse siguria nuk mund të garantohej krejtësisht. Deri sa të jetë e qartë që reaktorët 1 dhe 2 punojnë me rrymë rezervë në rast ndërprerjeje të rrymës, ata do të mbeten të çaktivizuar."

Edhe dy reaktorë të centralit bërthamor Oskarsham u mbyllën si pasojë e qarkut të shkurtër në kabinën e komandimit para centralit bërthamor Forsham, sepse aty janë vendosur sisteme të ngjashme sigurie. Patrick Ramberg është drejtor i firmës administruese në Oskarsham.

"Duke qenë se edhe ne kemi gjeneratorë nafte që duhet të garantojnë furnizimin në rast ndërprerjeje të rrymës, ne do ti ndezim reaktorët vetëm atëherë kur ne dhe kolegët tanë në Forsham të kemi zgjidhur problemin."

Çmimi i rrymës elektrike pësoi një kërcim rekord në Suedi. Në shtator do të ketë zgjedhje në mbretërinë e Suedisë. Politologët mendojnë se energjia bërthamore mund të kthehet në një temë vendimtare.