Idlib: "Turqia do ta humbasë këtë konflikt"
10 Prill 2020Deutsche Welle: Një javë luftoi ushtria turke kundër trupave të diktatorit, Bashar al-Asad në Idlib. Pas kësaj presidenti turk, Erdogan ra dakord më 5 Mars me mbështetësin më të madh të Asadit, presidentin Putin për një armëpushim që ende funksionon. Po për sa kohë do të heshtin armët?
Guido Steinberg: Deri më tani nuk mund të thuhet, se sa kohë do të mbajë armëpushimi. Por është e qartë, që Siria dhe mbështetësit rusë, libanezë dhe iranianë kanë vendosur ta marrin provincën Idlib. Ajo që shohim tani aty momentalisht janë luftime në tërheqje të Turqisë dhe aleatëve të saj. Jam i bindur, se gjatë verës do të ketë sërish luftime, po ashtu edhe ofensiva e madhe e filluar në prill 2019, në një moment do të sjellë sukses për Bashar al-Asad.
Çfarë roli luan këtu përhapja e mundshme e virusit Corona në rajonin e Idlibit?
Mund të ndodhë, që epidemia e Coronës në Siri të bëjë që palët në luftime në Idlib të jenë më të kujdesshme. Veçanërisht regjimi i Asadit duhet të vrasë mendjen, se si t'i mbajë të afta trupat e pakta që ka për të luftuar. Por nuk duhet të presësh, që epidemia do sjellë fundin e luftimeve. Duket më shumë se nga kjo epidemi janë prekur civilët në kampet e refugjatëve.
Presidenti Erdogan e di, që ofensivën e Asadit kundër vullnetit të Putinit e pa mbështetjen e perëndimit vetëm mund ta ngadalësojë, por jo ta ndalë për një kohë të gjatë. A duhet ta mbështesë NATO Erdoganin për të mbrojtur njerëzit në Idlib. A nuk ka Europa një detyrim humanitar për të ndihmuar?
Ka një përgjegjësi humanitare të europianëve. Megjithatë ata duhet t'i përgjigjen këtij detyrimi vetëm me massa ndihme. Kjo luftë qytetare ka marrë fund. Nëse donin NATO apo edhe BE të ndërhynin, atëherë kjo do kishte qenë e mundur para vitesh. Tani, edhe para pandemisë së Coronës kjo nuk është më realiste. Ne shohim, se në vitet e fundit, Turqia ka mbështetur islamistët në Siri, momentalisht është organizata, Hayat-Tahrir-al-Sham, HTS që sundon në Idlib. Kjo është organizata pasuese e mbështetësit të Al-Kaidës, Frontit Al-Nusra. Nuk do të ishte e drejtë, që perëndimi në këtë rast të kalonte në anën e një organizate të tillë. Europianët e amerikanët bëjnë mirë të pranojnë, se kjo luftë qytetarë është vendosur ndërkohë. Dhe nga kryengritësit duhet kërkuar që të tërhiqen nga Idlibi. Sepse, ashtu si Asadi, janë po aq përgjegjës për vuajtjen e popullatës.
Çfarë doni të thoni me atë, që edhe kryengritësit janë „po aq" përgjegjës për vuajtjen e popullatës si Asadi që bombardon popullsinë dhe spitalet në Idlib nga prilli 2019?
Hayat-Tahrir-al-Sham është një organizatë terroriste, që jo më kot qëndron në listën e organizatave terroriste në shumë vende, edhe në Gjermani. Por për vlerësimin tim luan rol kryesor diçka tjetër, që kjo luftë qytetare ndërkohë është humbur. Përpjekja e kryengritësve për të mbajtur Idlibin dhe mbështetja nga ana e Turqisë, çon vetëm aty që vuajtja e njerëzve të zgjatet. Natyrisht që është regjimi i Asadit përgjegjës në radhë të parë për shpërthimin e luftës. Regjimi i Asadit është po ashtu përgjegjës për pjesën më të madhe të viktimave dhe krimeve të luftës. Megjithatë në një pikë të caktuar, duhet thënë që ky konflikt nuk mund të fitohet më.
Në Idlib jetojnë krahas terroristëve të HTS edhe kryengritës të tjerë dhe shumë opozitarë demokratë që u evakuuan atëherë në provincë. Si do të duket e ardhmja për njerëzit nën Asadin?
Ajo që është shumë e qartë, është se Asadi do ta marrë provincën. Prandaj shtrohet çështja e së ardhmes së kryengritësve. Unë mendoj, se mundësia e vetme, që ata kanë për të mbijetuar apo për t'i ikur një burgosjeje me pasoja të paparashikueshme, është që të tërhiqen në Turqi. Kjo do të ishte e kuptueshme, sepse Turqia i ka mbështetur ata, më së voni në 2012-n. Ajo është bashkëpërgjegjëse, që mes kryengritësve u përzienë islamistë që nga viti 2013. Ajo duhet t'i pranojë kryengritësit dhe një numër në rritje të refugjatëve. Pavarësisht se cili skenar është i mundur, një valë refugjatësh nuk mund të ndalet. Do të shkojnë njerëz në Turqi, pyetja që shtrohet, është nëse Turqia do të hapë kufijtë.
Erdogan kërkon të pengojë rënien e Idlibit në duart e Asadit. Pse këmbëngul ai?
Prej vitit 2015 prioriteti i ri i politikës turke në Siri është të pengojë që krahu i atjeshëm i PKK-së, të ashtuquajturat Forcat e Mbrojtjes Popullore të forcohen dhe të kontrollojnë territore të ngjashme me format shtetërore. Do të ishte e logjikshme që Turqia të përqëndrohet tek kjo. Por qeveria e Erdoganit vazhdon të mbështesë kryengritësit, për të kontrolluar rajonin me qëllim që të luajë rol në çdo rregullim politik të vendit. Kjo politikë, megjithëse, lufta civile është vendosur, është arsyeja kryesore, pse shohim këtë katastrofë në Idlib, që do të ashpërsohet me epideminë e Coronës. Turqia mund të luajë rolin e saj, që kryengritësit të mos luftojnë kundër regjimit të Asadit. Por ajo nuk e bën këtë. Tani bëhet fjalë të shpëtohen ato copëza që kanë mbetur nga politika e saj në Siri, kjo ëshë në fakt një betejë e tërheqjes, dhe Turqia do ta humbasë këtë konflikt.
Ministri i Jashtem turk, Mevlüt Cavusoglu ka sinjalizuar, që rajone poshtë rrugës kombëtare M4 që kontrollohen nga rebelët do t'i jepet Rusisë. Do të mbetej një zonë e vogël që do të kontrollonin rebelët e mbështetur nga Turqia. Nga ana tjetër kjo zonë do të ishte e paaftë për të mbijetuar e do ishte e varur nga ndihma ndërkombëtare. Sa realiste është kjo?
Nuk besoj në zgjidhje, tek të cilat Turqia kontrollon territore të kryengritësve në Sirinë veriore. Regjimi i Asadit është tërësisht i vendosur të marrë sërish të gjitha pjesët e vendit. Kjo do të zgjasë një kohë, por Siria dhe mbështetësit rusë dhe iranianë janë të një mendimi, se duan ta marrin të gjithë territorin. Nuk ka asnjë zgjidhje, tek e cila Turqia të kontrollojë edhe më tej territore në Idlibin verior. Kjo është betejë në tërheqje, me të cilën Turqia kërkon të justifikojë relevancën e saj në negociata. Turqia do të mbetet relevante, por ajo do të vendoset gjithnjë e më shumë nën presion ta dorëzojë këtë territor.
Guido Steinberg është ekspert i Fondacionit Shkenca dhe Politika në Berlin. Nga viti 2002 deri në vitin 2005 ai ka qenë referent për terrorizmin ndërkombëtar në zyrën e kancelarisë gjermane.