Idlib: Jeta e miliona vetëve në pikëpyetje
18 Shtator 2018Është një fitore diplomatike për Presidentin turk Rexhep Tayyip Erdogan: në një vizitë të shkurtër në Soçi ai arriti ta bindë Presidentin Vladimir Putin që të ngrejë në zonën e kryengritësve sirianë Idlib deri në 15 tetor një zonë të demilitarizuar. Të gjithë luftëtarët e opozitës duhet të largohen nga kjo zonë me shtrirje 15 deri 20 kilometra. Armët e rënda të tyre duhet të tërhiqen. Ushtarë turq dhe polici ushtarake ruse sipas kësaj do ta kontrollojnë së bashku zonën. Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu u citua pas takimit me fjalët se me këtë përjashtohet edhe një sulm ndaj Idlibit, zona e fundit e madhe e pandërprerë nën sundimin e kryengritësve.
Sa e rëndësishme është një paqe e qendrueshme në Idlib para së gjithash për popullatën civile, këtë e bëri të qartë Ilyas Saliba: "Në Idlib është në pikëpyetje jeta e të paktën dy milionë e gjysmë njerëzve, që jetojnë në rajon, ose që janë arratisur vitet e fundit atje", i tha DW eksperti i Lindjes së Memse i Amnesty International. "Nga rrjedha e deritashme e luftës ne e dimë se në ofensivat e kaluara, për shembull në Aleppo ose në Gotën Lindore popullata e atjeshme civile ka vuajtuar masivisht nga bombardimet arbitrare me bomba cilindrike, bomba thërrmuese dhe gaz helmues".
Interes vetjak i Turqisë
Ndërhyrja e Erdoganit te Presidenti rus justifikohet edhe me interesa strategjike konkrete. Nga njëra anë Ankaraja, e cila që prej fillimit të luftës së Sirisë është kthyer kundër Presidentit Assad, mbështet një pjesë të opozitës siriane. Krahas katastrofës humanitare, qeveria turke e paraqiti në të gjitha kanalet diplomatike migrimin masiv në Turqi. Këtë e bëri të qartë politikani i AKP-së Mustafa Yeneroglu që para takimit me Erdoganin dhe Putinin. Mbi 10.000 vetë janë nisur e kanë marrë arratinë, u shpreh anëtari i kryesisë i partisë në pushtet AKP: "Idlibi është një provincë, që ndodhet në kufi me Turqinë. Prandaj është e natyrshme që njerëzit, meqenëse Idlibi është zona e fundit e de-eskalimit, të lëvizin në drejtim të Turqisë. Mund të nisesh nga fakti se në drejtim të Turqisë do të nisen rreth një milionë vetë, dhe kjo do të sjellë me vete katastrofa të tjera."
Një motiv tjetër për ofensivën diplomatike turke, Yeneroglu nuk e përmendi: qeveria turke synon të pengojë me çdo kusht ngritjen e një rajoni autonom kurd në kufi me Turqinë. Qeveria e Ankarasë ka frikë se kurdët në Siri mund të mbështesin minoritetin kurd në Turqi.
Lehtësim në Berlin
Në Berlinin politik, marrëveshja për Idlibin duhet të jetë pritur me lehtësim. Heiko Maas, ministri i Jashtëm gjerman, vërtet e bëri të qartë në twitter pas një takimi me homologun e tij rus, Sergej Lavrov në fund të javës së kaluar se cili është pozicioni gjerman. Por për njërën nga çështjet më urgjente, ministri i Jashtëm megjithatë nuk është shprehur: a do të marrë pjesë Gjermania në një aksion ushtarak, po të ketë sulm me gaz kimik në Siri? Partia e tij, SPD e kishte kundërshtuar këtë prerë. Kolegia e kabinetit të tij, ministrja e Mbrojtjes Ursula von der Leyen (CDU) megjithatë nuk dëshiron ta përjashtojë këtë. Vetëm javën e kaluar, i dërguari për Sirinë i SHBA, James Jeffrey, e kërkoi këtë në biseda me qeverinë federale gjermane. Shërbimi Shkencor i Bundestagut nga ana tjetër e ka kategorizuar një pjesëmarrje gjermane që tani si kundër së drejtës ndërkombëtare dhe si antikushtetuese. Me marrëveshjen mes Erdoganit e Putinit ndoshta ky problem u eleminua.