I paqartë fati i të rrëmbyerve në Afganistan
14 Mars 2006Në rastin e rrëmbimit ka shumë paqartësi dhe deri tani nuk mund të konfirmohet asgjë dhe hetimet po vazhdojnë me shumë vështirësi. Shumë të dhëna konsistojnë në pretendimet e zëdhënësit të talibanëve, Kari Mohamed Jusuf. Sipas tij, katër të huaj u vranë nga luftëtarët talibanë të hënën paradite (13.03) dy ditë pas rrëmbimit të tyre. Kjo ka ndodhur me udhëzim të udhëheqësit të talibanëve Mullah Omar, tha një zëdhënës taliban. "Talibanët do të vrasin këdo, që mbështet qeverinë e ShBA në Afganistan", tha më tej zëdhënësi Jusuf.
Kufomat e katër të huajve, siç thuhet, mund të gjenden në autostradën në Jug të Afganistanit mes provincës së trazirave Kanadahar dhe Helmandit. Për këto të dhëna nuk ka asnjë konfirmim zyrtar. Kufomat deri tani nuk janë gjetur. Gjithashtu të pakonfirmuara janë edhe të dhënat në bazë të të cilave të rrëmbyerit ishin tre shqiptarë dhe një gjerman.
Të shtunën (11.03) në Jug të Afganistanit u rrëmbyen tetë persona, afganë dhe të huaj. Sipas të dhënave të deritanishme këta janë punonjës të firmës gjermane të mjedisit, Ecolog. Tetë burrat janë rrëmbyer, sepse ata spiunonin për ShBA, deklaroi zëdhënësi i talibanëve, Jusuf. Katër afganë sipas të dhënave të firmës u liruan sërish në fundjavë, ndërsa nuk dihej gjë për fatin e katër të huajve.
Sipas të dhënave të firmës Ecolog këta janë katër shqiptarë me nënshtetësi maqedonase. Ndërsa për këtë firmë nuk punon asnjë gjerman në Afganistan. As qeveria në Berlin nuk ka të dhëna për rrëmbimin e ndonjë shtetasi gjerman. Ministria e jashtme në Berlin dhe ambasada në Kabul janë në kontakt me autoritetet afgane. Forcat afgane të rendit janë që prej fundjavës në kërkim të të rrëmbyerve.
Ecolog është një firmë pastrimi për bazat ushtarake afagne dhe ato të huaja si dhe për zonat e dislokimit të Bundesverit. Firma me seli në Dyseldorf ofron shërbime lavanderie, transport mbeturinash dhe sisteme kanalizimi për ushtarët. Ajo është aktive në Afaganistan si dhe në rajone të tjera krize si në Ballkan, Irak e Kongo. Ndër klientët e saj janë Bundesveri, NATO si dhe trupat e ShBA.
Në Afganistan herë pas here ka rrëmbime të të huajve. Në nëntor u rrëmbye dhe u vra një nëpunës indian i sigurimit. Në gusht viktimë e rrëmbit ranë një inxhinier britanik dhe përkthyesi i tij afgan. Gjithnjë përgjegjësinë e kanë marrë mbi vete talibanët. Shpesh herë në këto raste kanë qenë të involvuar edhe banda kriminale, që kërkojnë para ose synojnë, që nëpërmjet pengjeve të ushtrojnë presion për lirimin e antarëve të bandës së tyre që mbahen në burg. Shpesh është e vështirë që rastet të zbardhen plotësisht.