1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

I gatshëm për bisedime, por jo për shantazhe

wa/det (dpa, afp, rtr) /Esat Ahmeti9 Tetor 2013

Presidenti amerikan Barack Obama ka paralajmëruar humbjen e kredibiltetit të SHBA-së në botë për shkak të mosmarrëveshjeve financiare me opozitën. Kriza amerikane ka flluar të shqetësojë edhe bashkësinë ndërkombëtare.

https://p.dw.com/p/19wYZ
Fotografi: Reuters

Mosmarrëveshjet ndërpartiake mbi buxhetin dhe tavanin e borxhit "krijojnë përshtypjen se në nuk jemi në gjendje të mbajmë gjendjen në kontroll", tha presidenti amerikan Barack Obama në një konferencë shtypi në Uashington. Edhe njëherë presidenti i SHBA-së siguroi se ai është i gatshëm të zhvillojë bisedime me opozitën rreth të gjitha temave duke përfshirë edhe reformën e kujdesit shëndetësor. Por së pari Dhoma e Përfaqësuesve e dominuar nga republikanët duhet të miratojnë një buxhet kalimtar dhe një rritje të tavanit të borxhit - pa kushte. "Ne nuk mund të lejojmë që shantazhi të bëhet rutinë në demokracinë tonë", theksoi Obama.

Sfondi: Të nxitur sidomos nga lëvizja ultra-konservatore "Tea Party", republikanët duan të lëshojnë pe në betejën e buxhetit vetëm në qoftë se demokratët ndryshojnë qëndrimin ndaj reformës shëndetësore. Një rritje të tavanit të borxhit ata e lidhin me kërkesën për kursime në programet sociale. Obama dhe Partia e tij demokratike e refuzojnë një gjë të tillë.

Kundërshtari i Obamës John Boehner, kreu i shumicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, e quajti qëndrimin e Obamës si të paqëndrueshëm. Ajo çfarë kërkon presidenti nga republikanët, është një dorëzim pa kushte. Por herët apo vonë Obama do ta kuptojë se duhet të ketë negociata mbi një reduktim të shpenzimeve të qeverisë - dhe atë para se Kongresi të ketë rënë dakord me ngritjen e tavanit të borxhit.

John Boehner
John BoehnerFotografi: Reuters

Republikanët si shkaktar të problemeve?

"Mjaft më me kërcënime!", kërkon presidenti nga republikanët. "Na lejoni të vazhdojmë punën". Ai e krahasoi sjelljen e opozitës me një person që dëshiron të blej një shtëpi. Megjithatë: "Njeriu nuk shkon dhe i thotë pronarit, eja të flasim për çmimin të cilin do të paguajë, përndryshe nëse nuk pajtohesh me çmimin që të ofrojë unë atëherë do të ta djegë shtëpinë."

Nëse Kongresi nuk do të pajtohet së shpejti me ngritjen kufirit të borxhit duke rrezikuar kështu falimentimin e SHBA-së, ky do të ishte një vendim i çmendur dhe katastrofik me pasoja kaotike, vazhdoi Obama. Shutdown-i i qeverisë, pra pezullimi i punës së administratës që nga java e kaluar është tashmë "i pamëshirshëm", por pasojat e mos aftësisë paguese të SHBA-ve do të ishin "dramatikisht më të këqija". Investitorët ndërkombëtarë kanë filluar ngadalë që të bëhen nervoz.

Kapitol / Washington / USA
WashingtonFotografi: picture-alliance/AP

Shqetësim në botën e jashtme

Në fakt nga Pekini erdhi edhe njëherë një paralajmërim i qartë. "Mbajtja e borxhit nën kontroll është e një rëndësie vendimtare për SHBA dhe për botën", tha zëvendësministri i Financave të Kinës Zhu Guangyao. Në mosmarrëveshjet aktuale financiare duhet të gjenden zgjidhje. Kina është kreditori më i madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe Gjermania, G20 dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kërkojnë përfundimin e shpejtë të krizës. Shpresojmë që gjendja aktuale është e përkohshme, u tha në Berlin. "Ne kemi nevojë për një SHBA të fortë dhe jo për një SHBA të dobësuar".