I dyshuari libian për terrorizëm Al-Libi në SHBA
15 Tetor 2013Terroristi i dyshuar i Al-Kaidës, Ebu Enes Al-Libi i arrestuar në Libi, ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu raportojnë mediat amerikane duke cituar zyrtarë të qeverisë. Një luftanije amerikane ka dërguar 49-vjeçarin në Nju Jork, ku ai do të përballet me procesin gjyqësor. Qysh këtë të martë i dyshuari për terrorizëm do të paraqitet në gjykatë, raportoi CNN. Al-Libi po kërkohej ndërkombëtarisht për shkak të sulmeve mbi ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani në vitin 1998.
Njësitë elite amerikane e kanë kapur Al-Libinë me 5 tetor në mes të kryeqytetit Tripoli. Ai është dërguar menjëherë në anijen e marinës amerikane "San Antonio", në Detin Mesdhe, ku u mor në pyetje. Për shkak të problemeve shëndetësore Al-Libi u dërgua fllimisht në një institucion mjekësor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raportoi "New York Times".
Terroristi më i kërkuar në mbarë botën
Al-Libi ishte kërkuar ndërkombëtarisht për shkak të sulmeve mbi ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani në vitin 1998 të cilat u kushtuan me jetë 224 njerëzve. Eksperti i kompjuterëve ishte njëri prej terroristëve më të kërkuar në mbarë botën. Për arrestimin e tij ishte ofruar një shpërblim deri në pesë milionë dollarë (3.7 milion euro). Ekspertët amerikanë presin nga ai informacione të brendshme në lidhje me rrjetin terrorist të Al-Kaidës.
Qeveria kalimtare libiane e ka quajtur arrestimin e Al-Libisë si rrëmbim dhe ka kërkuar sqarim nga pala amerikane. Ata donin që procesi kundër tij të zhvillohej në Libi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbrojtën veprimin e tyre si legjitim. SHBA e dinin se Al-Libi kishte planifikuar një komplot dhe ka punuar për realizimin e tij, e si pasojë e të cilit jetën humbën qindra njerëz, duke përfshirë këtu shumë amerikanë, tha javën e kaluar presidenti amerikan Barack Obama."Ne kemi prova bindëse për këtë. Dhe ai do të japë llogari për veprat e tij".