1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hoti dhe Vuçiq takime në Bruksel para nisjes për në SHBA

Bekim Shehu
24 Qershor 2020

Kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë takohen para nisjes për në Uashington me krerët e BE-së. Por a do të rinisë dialogu në Bruksel apo SHBA?

https://p.dw.com/p/3eGHv
EU Flagge
Fotografi: picture-alliance/NurPhoto/N. Economou

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti qëndron të enjten për vizitën e tij të parë zyrtare në Bruksel për të zhvilluar takime me krerët më të lartë të Bashkimit Evropian. Në Bruksel ai takohet me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Kryetarin e Këshillit të Evropës, Charles Michel, Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi dhe zyrtarë të tjerë evropianë.

"Do të bisedojmë për hapat që kemi ndërmarrë në luftën kundër COVID-19, mbështetjen nga ana e KE-së për rimëkëmbjen ekonomike, si dhe për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, proces i cili ka ngecur jo për shkak të mos përmbushjes së standardeve nga ana e jonë", njoftoi kryeministri Hoti.  Kjo vizitë në Bruksel nuk shënon rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi. Nga Brukseli, kryeministri Hoti njoftoi se udhëton për në SHBA, ku me 28 qershor në Shtëpinë e Bardhë së bashku me presidentin Hashim Thaçi, takojnë delegacionin e Serbisë, presidentin Vuçiq dhe kryeministren Bernabiq, me çka shënohet edhe rifillimi i dialogut Kosovë-Serbi. Ky takim ndërmjetësohet nga i ngarkuari amerikan për dialogun Richard Grenell.  Para se të niset për vizitë në Bruksel dhe SHBA kryeministri Hoti raporti para parlamentit të Kosovës, dhe i siguroi deputetët se çdo marrëveshje me Serbinë do të jetë në përputhje vetëm me Kushtetutën, ose nuk do të ketë marrëveshje fare.

"Ose ka me u mbërri një marrëveshje e mirë që është në përputhje me Kushtetutën ose nuk ka me pas marrëveshje. Këtë mund t'ju them”, tha kryeministri Hoti para deputetëve duke shtuar se "është jetike me i ruajt partnerët ndërkombëtarë. Nëse nuk i kemi ata mbesim një vend i vogël i izoluar, ku kurdo mund të marrim lajme për tërheqjeve njohje”.

Kosovo Treffen des Premierministers Avdullah Hoti mit EU-Vertretter Mirosllav Lajqak
Avdullah Hoti dhe Mirosllav Lajçak Fotografi: Office of the Kosovo prime minister

Dy ditë më parë ndërkaq, i ngarkuari i Bashkimit Evropian Mirosllav Lajçak, ishte për vizitë pas Kosovës edhe në Serbi. Ai tha se nga pala evropiane dialogu Kosovë-Serbi, pritet të vazhdojë gjatë muajit korrik në Bruksel.

"Unë jam i gatshëm dhe plotësisht i përkushtuar për të vazhduar dialogun pa vonesë të mëtejshme dhe për t'i ndihmuar të dy palët të punojnë në një marrëveshje që do të normalizojë marrëdhëniet dhe do të zgjidhë të gjitha çështjet, dhe e cila do të jetë e pranueshme si për rajonin ashtu edhe për Bashkimin Evropian", tha Lajçak në Beograd. Sipas tij, "e ardhmja e Serbisë është evropiane, dhe se ajo është e lidhur me zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.

Edhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq do të jetë të enjten për vizitë në Bruksel para se të shkojë për vizitë në SHBA-së. Sipas tij Serbia pret vazhdimin e dialogut me Kosovën sa më shpejt që të jetë e mundur, ndërsa, thotë se "i takon Lajçakut të caktojë një datë”.

I ngarkuari  amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, thotë se synimi i takimit në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, është fillimisht "një qasje ekonomike, për të arritur një paqe të qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës."

Treffen von Hashim Thaci und Richard Grenell
Hashim Thaçi dhe Richard Grenell Fotografi: Office of the President of Kosovo photos for media

"Kur fillova diskutimin e këtyre çështjeve me njerëzit e Kosovës, dhe komunitetin e biznesit në Kosovë, njerëzit e Serbisë dhe komunitetin e biznesit atje, ajo që ishte e qartë është se ata donin zhvillim ekonomik, ata donin punë për të rinjtë,  ata donin shpresë”, tha Grenell gjatë një intervsitë për televizionin amerikan "Newsmax TV”.

"Sillni bizneset evropiane dhe amerikane në rajon dhe atëherë unë mendoj se evropianët do të kenë më shumë sukses në anën politike. Ne po mundohemi të jemi të dobishëm dhe po përpiqemi të zhvendosim modelin, sepse pas 20 vjetësh ende nuk kemi parë përparim të mjaftueshëm”, tha Richard Grenell.

Pas takimit të 27 qershorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që mbahet në Shtëpinë e Bardhë në Washington dhe një takimi që së shpejti mund të mbahet në Bruksel i ndërmjetësuar nga i ngarkuari i BE-së Mirosllav Lajçak, një Samit për dialogun Kosovë-Serbi do të mbahet në Paris në javën e tretë të korrikut. Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u ndërpre në nëntorin e vitit 2018 kur qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, vendosi tarifë 100% ndaj mallrave serbe. Që nga ajo kohë Beogradi e ka kushtëzuar rikthimin në tavolinën e bisedimeve me heqjen e tarifës dhe së fundi edhe të reciprocitetit, masë kjo e Kosovës  që nuk u mbështetë as nga faktori ndërkombëtar.