1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Coming-out në sportin profesionist

Rachel Baig / Eliana Xhani6 Maj 2013

Një lojtar aktiv në NBA (Shoqatën kombëtare të basketbollit në SHBA), bëri publik homoseksualitetin e vet. Një temë delikate, jo vetëm në SHBA.

https://p.dw.com/p/18SkR
Fotografi: picture alliance/dpa

""Unë jam i zi dhe jam homoseksual", me këto fjalë u citua Jason Collins, basketbollist profesionist amerikan, në faqen e internetit të revistës sportive "Sports Illustrated". Ai është i pari sportist aktiv në kampionatin profesionist të basketbollit, që tregon hapur prirjet e tij seksuale. Shumë kolegë të tij sportistë e përshëndetën hapur qëndrimin e 34-vjeçarit. Kështu ylli i basketbollit Kobe Bryant tha: "Jam krenar për Jason Collins". Në SHBA homoseksualiteti në sportin profesionist është një temë kontroverse. Disa sportistë profesionistë u shprehën në Twitter me më pak mirëkuptim: "Unë personalisht nuk do të ndjehesha mirë nëse në kabinat e zhveshjes do të isha bashkë me homoseksualë", shkruajti ish-basketbollisti Larry Johnson.

Në SHBA gjatë viteve të kaluara shumë sportistë profesionistë kanë bërë publike prirjet e tyre seksuale, por vetëm pas përfundimit të karrierës. Me sa duket është shumë e madhe frika nga shpotia dhe qëndrimi armiqësor prej shokëve të ekipit dhe tifozëve. Por një deklarim publik i homoseksualitetit mund të jetë edhe fundi i karrierës, jo vetëm për shkak të moszgjatjes së kontratës. Sportistët duhet t'i bëjnë ballë në një rast të tillë edhe trysnisë së medieve. "Besoj se frika e madhe është që nuk dihet se çfarë do të ndodhë vërtet", thotë në bisedë me DW Dirk Brüllau, zëdhënës i klubit të tifozëve "Queer Football" (QFF), shoqata e klubeve të tifozëve homoseksualë në Evropë.

Basketbollisti amerikan Jason Collins
Basketbollisti amerikan Jason CollinsFotografi: imago/Icon SMI

Homoseksualiteti në futbollin gjerman

Ngjashëm si në basketboll, edhe në futboll homoseksualiteti është një temë tabu. Janë shumë të paktë futbollistët profesionistë që kanë guxuar ta shprehin hapur homoseksualitetin e tyre gjatë karrierës aktive sportive. Në Suedi në mars 2011 Anton Hysen deklaroi publikisht homoseksualitetin e tij. Futbollisti atëherë 20-vjeçar luan në ekipin Utsiktens BK. Deklarimi publik i tij shkaktoi reagime të shumta në shtypin ndërkombëtar, kryesisht pozitive.

Edhe në Gjermani tema e homoseksualitetit në sport është e pranishme në medie herë pas here. Kapiteni i kombëtares gjermane të futbollit Philipp Lahm, vitin e kaluar hodhi poshtë në një intervistë zërat se ai është homoseksual. Lojtari i FC Bayern angazhohet megjithatë kundër homofobisë në sportin e nivelit të lartë. "Për një futbollist profesionist gjerman kushtet janë të pavaforshme për të të bërë publike prirjet seksuale", shpjegon në bisedë me DW Marcus Urban, ish fubollist. Frika nga pasojat është e madhe. P.sh. nëse ekziston dëshira për të kaluar në një klub të një vendi tjetër, nuk dihet se çfarë qendrimi mbahet atje ndaj kësaj teme.

Gjermania konsiderohet model në plan ndërkombëtar

Marcus Urban ka përjetuar për vite me radhë se ç'do të thotë të fshehësh homoseksualitetin nga pjesa tjetër e ekipit. Urban është një nga futbollistët e paktë në Gjermani që e jeton hapur homoseksualitetin e vet. Deri në fillim të viteve '90 ai luante për ekipin e kategorisë së dytë "Rot-Weiß Erfurt". Pastaj i dha fund karrierës pasi nuk e përballonte më trysninë e mbajtjes së fshehtë të homoseksualitetit. Në 2007 ai e shpalli atë hapur dhe shpreson tani që edhe të tjerë sportistë të kenë guxim për këtë hap. Reagimet e kolegëve të dikurshëm ishin pozitive. "Fillimisht pati një lloj frike, pastaj kureshtje dhe para së gjithash vlerësim për vendimin", thotë ai.

Tifozë mbajnë një pankartë ku shkruhet «Tifozët e futbollit kundër homofobisë"
Tabu edhe në Gjermani: homoseksualiteti në futboll.Fotografi: picture-alliance/dpa

Gjermania në krahasim ndërkombëtar është përpara në temën e homoseksualitetit, thotë zv/presidentja e Ligës Olimpike të Sportit gjerman (DOSB), Ilse Rider-Melchers, në bisedë me DW. Është mirë që qendrimi gjerman në këtë temë ka efekt edhe në plan ndërkombëtar. Gjermania e dëshmoi funksionin e saj si model për të gjithë sportin homoseksual në 2010 me aktivitetin "Gay Games", i cili u zhvillua në Köln dhe ku morën pjesë rreth 12.000 sportistë. Aktiviteti zhvillohet çdo katër vjet në vende të ndryshme në botë.

Në janar 2012 Liga Gjermane e Futbollit (DFB) ngriti forumin "Identitete seksuale në futboll". Ai duhet të ndihmojë sportistë homoseksualë, nëse dëshërojnë të bëjnë publik orientimin e tyre. "Ne kemi përgjegjësinë të bëjnë diçka në këtë drejtim. Shumë sportistë të prekur e lënë sportin pasi jeta e dyfishtë apo fshehtësia bëhen ngarkesa të mëdha psikologjike", thotë Ridder-Melchers.

Klubet e tifozëve homoseksualë

Në tribunat e tifozëve në stadiumet gjermane homoseksualët kanë kohë që janë të pranishëm. Ideja e klubeve të tifozëve homoseksualë lindi në 2001 me themelimin e Hertha-Junxx. Ndërkohë modeli ka gjetur jehonë. Në Gjermani aktualisht ka më shumë se 20 klube të tilla si p.sh. "Queerpass" në St. Pauli, Rainbow-Borussen në Dortmund etj. Në pankartat e tyre në stadium shkruhen parrulla si "Futbolli është gjithçka - edhe homoseksual". Por ata marrin pjesë edhe në diskutime dhe festa publike dhe angazhohen për më shumë tolerancë.

Deklarimi publik i homoseksualitet konsiderohet më i vështirë tek burrat se tek gratë. Ndërkohë që portierja e kombëtares gjermane të femrave në futboll, Nadine Angerer, e shpalli pa probleme biseksualitetin e saj, tek kolegët meshkuj luajnë edhe më tej rol vendimtar klishetë klasike: "Për futbollistet femra për një kohë të gjatë mendohej se ishin lesbike. Një grua që luan futboll thjesht nuk është femërore sa duhet", shpjegon Dirk Brüllau paragjykimet.

Marcus Urban
Ish futbollisti Marcus UrbanFotografi: picture-alliance/dpa

Në rrugën e duhur

Ish futbollisti Marcus Urban mendon se deklarimi publik i homoseksualitetit të një futbollisti profesionist gjerman është vetëm çështje kohe. Se cilat mund të jenë pasojat për sportistin, është e vështirë të parashikohet. Në këtë kontekst është interesante të shihet si do të zhvillohet historia e Jason Collins. Nëse ai do të vazhdojë të jetë i suksesshëm edhe pas shpalljes së homoseksualitetit, do të shihet gjatë vitit. Në verë klubet do të lidhin kontrata të reja me lojtarët. Historia e Collins mund të quhet vetëm atëherë sukses nëse ai do të jetë i pari basketbollist homoseksual, që do të vazhdojë të luajë edhe pas bërjes publike të prirjeve seksuale.