Holandezët - viktima e eurokrizës
24 Prill 2012Me zënkat rreth programit të kursimeve populisti i krahut të djathtë Geert Wilders bëri që të bie qeveria e pakicës në Holandë. Në këtë mënyrë, që nga fillimi i krizës së borxheve të euros, si pasojë e programit të kursimeve ka dështuar qeveria e tetë e një vendi të eurozonës. Kryeministri liberal i djathtë, Mark Rutte të hënën e pa veten të detyruar të paraqesë dorëheqjen e kabinitetit të tij tek mbretëresha Beatrix.
Për të kursyer rreth 14.2 miliard euro të buxhetit, Rutte kishte paralajmëruar shkurtime masive në rrjetin social. Por Wilders ka kundërshtuar planet për rritjen e TVSH-së dhe kontributeve të sigurimit shëndetësor. Gjithashtu ishte planifikuar që mosha e daljes në pension nga 2015 të rritet në 66 vjet.
Wilders nuk e mbështet qeverinë e pakicës
Në fund të javës së kaluar Wilders kishte njoftuar se nuk do të mbështesë më qeverinë e pakicës të përbërë nga partia e djathtë liberale (VVD) e kryeministrit Rutte dhe partia kristriandemokrate (CDA). Kështu, kanë dështuar negocitatat që qeveria e Rutte-s po zhvillonte me kryetarin e Partisë për Liri të krahut të djathtë populist (PVV) që nga muaji mars.
Rutte si dhe të gjithë ministrat dhe sekretarët shtetëror kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre. Për këtë është njoftuar edhe zyrtarisht pas një bisede me mbretëreshën Beatrix e cila zgjati mbi dy orë në Kështjellën Zyrtare të Hagës. Kështu holandezët ndodhen para zgjedhjeve të reja. Ato duhet të mbahen më së voni pas 80 ditësh.
Grupet parlamentare shprehen për zgjedhje të shpejta
"Madhëria e saj, Mbretëresha ka pranuar dorëheqjen dhe ka lutur ministrat dhe sekretarët shtetëror që të kryejnë edhe më tej detyrat e tyre më të nevojshme", thuhet në një njoftim të Familjes Mbretërore. Në të njëjtën kohë Rutte paralajmëroi se do të japë një deklaratë në parlament, të martën (24.04.) në orën 14.00. Ndërkohë të gjitha grupet parlamentare flasin për mundësisht zgjedhje të shpejta.
Ato janë urgjentisht të nevojshme për të gjetur një rrugëdalje nga kriza dhe për të kapërcyer shpejt pasiguritë financiare për euro-zonën, thonë në radhët e partisë kryesore opozitare, Partisë Socialdemokrate të Punës (PvdA). Megjithatë, sipa ligjit zgjedhor holandez, partitë kanë 40 ditë kohë për të prezantuar kandidatët e tyre dhe për të përpunuar programet e tyre zgjedhore.
Sidoqoftë pa votat e partisë së Wilders-it, kabineti qeveritar nuk mund të kalojë për miratim në parlament buxhetin shtetëror por as ligje të tjera të rëndësishme për vendin. Përveç nëse opozita tani do të mbështeste qeverinë kalimtare në vendimet më të rëndësishme për të respektuar standardet e BE-së. Parlamenti i Hagës do të diskutojë për këtë si dhe për rrugëdaljen nga kriza këtë të martë (24.04.) në një seancë të jashtëzakonshme. Qeveria e mëparshme rreth dy vjet më parë u shpërbë si pasojë e mosmarrëveshjeve për operacionet ushtarake në Afganistan.
Brukseli: Haga do të respektojë rregullat evropiane të lojës
Ndërkaq në Bashkimin Evropian në Bruksel besojnë se përkundër krizës Haga do të respektojë rregullat evropiane të lojës. Vendi duhet të sigurojë se deficiti federal, ashtu siç është paraparë në Paktin fiskal nuk do të kalojë më shumë se 3 për qind të produktit të brendshëm bruto. Për këtë është i bindur edhe komisioneri i BE-së për çështje monetare, Olli Rehn. Kështu deklaroi zëdhënësi i tij para gazetarëve në Bruksel. "Këtu nuk bëhet fjalë për Brukselin por kjo do të ishte e mirë për Holandën dhe qytetarët e saj", tha ai.
Autor: dpa / Esat Ahmeti
Redaktoi: Angjelina Verbica