1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Holandezja e përdhunuar në Katar prej muajsh në burg

kle/se (afp, ape)13 Qershor 2016

Që nga marsi një 22-vjeçare holandeze po mbahet në Katar në burg, pasi denoncoi se e kishin përdhunuar. Ajo mund të akuzohet për seks jashtë martesës.

https://p.dw.com/p/1J5Fn
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/K. Jebreili

Avokati i holandezes, Brian Lokollo, tha për agjencinë e lajmeve AFP se gjendja shpirtërore e klientes së tij: "është në varësi të ditës në forma të ndryshme, ajo është herë shumë e frikësuar ose shumë e zemëruar por se shpreson se do të gjendet një zgjidhje." Ajo përjeton makthe dhe është "në ankth dhe e traumatizuar". Holandezja kishte dëshmuar në polici se e kishin droguar në një hotel. Më pas kur ishte zgjuar gjendej në një apartament të panjohur, i kishte rrobat të grisura dhe aty i ishte bërë e qartë se e kishin përdhunuar.

Sipas avokatit Lokollo klientja i tij po qëndronte në Katarin mysliman në një hotel, ku lejohet konsumi i alkoolit. "Ajo ishte duke këcyer, dhe kur u kthye në tryezën e saj, vuri re pas gllënkës së parë të pijes së saj, se dikush i kishte hedhur diçka në gotë." Pas kësaj asaj i kishte ardhur për të vjellë dhe kjo e gjitha i qe kujtuar përsëri të nesërmen në mëngjes.

Përdhunuesi i dyshuar qe arrestuar gjithashtu, tha avokati Lokollo, por ai kishte thënë se marrëdhënia seksuale ishte bërë me marrëveshje dhe se holandezja kishte kërkuar madje edhe para për këtë.

Ende shpresa për mosngritje padije

Ministria e Jashtme holandeze konfirmoi arrestimin e së resë me emrin Laura, duke theksuar se ajo ende nuk është akuzuar dhe se po vazhdojnë hetimet. Të hën (13.06) zhvillohet në Doha një seancë gjyqësore për marrjen në pyetje të së pandehurës, në të cilën shpresojmë të vendoset që Laura të mos akuzohet, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Daphne Kerremans.

Nëna e Laurës tha për stacionin televiziv holandez NOS, se mbajtja në arrest e vajzës së saj ishte "krejtësisht çnjerëzore". Laura përpiqet ndonjëherë ta ngushëllojë dhe i thotë se do të kthehet së shpejti. Në ditë të tjera vajza e saj qan pa pushim, tha nëna e përlotur. Sipas saj kjo kishte qenë hera e parë që 22-vjeçarja udhëtonte vetëm pa nënën e saj.

Në kantjeret e ndërtimit për stadiumet e Kupës së Botës, janë punësuar kryesisht punëtorë të huaj
Në kantjeret e ndërtimit për stadiumet e Kupës së Botës, janë punësuar kryesisht punëtorë të huajFotografi: DW/T. Mustroph

Destinacion turistik me rreziqe

Në Katar zhvillohet në vitin 2022 Kampionati Botëror i Futbollit. Organizatat e të drejtave të njeriut kanë kritikuar vazhdimisht kushtet në kantjeret e ndërtimit për stadiumet e Kupës së Botës, ku janë punësuar kryesisht punëtorë të huaj. Avokati Lokollo deklaroi se rasti i klientes së tij do t'i nxisë shqetësimet ekzistuese. "Njerëzit do ta kuptojnë se udhëtimi për në Katar nuk është pa rreziqe."

Në vitin 2013 në vendin fqinjë, në Emiratet e Bashkuara Arabe, u dënua me 16 muaj burg për sjellje të pahijshme, dëshmi të rreme dhe konsum alkooli një norvegjeze 24-vjeçare, e cila kishte paditur për përdhunim shefin e saj. Më vonë ajo u fal. Në vitin 2008, një australiane qe dënuar po ashtu në Emirate me tetë muaj heqje lirie, pasi kishte ngritur padijë për një përdhunim të shumëfishtë në një hotel.