1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Holandezët ndalin valën - populizmi humbet kafshimin

16 Mars 2017

Holanda votoi, por populizmi nuk fitoi. Ky vend tregoi se populistët mund të ndalen. Europa duhet të mësojë nga këto zgjedhje, mendon Bernd Riegert.

https://p.dw.com/p/2ZGcb
Niederlande Wahlen Mark Rutte in Den Haag
Fotografi: picture-alliance/dpa/D. Reinhardt

Në Francë, në Gjermani e vende të tjera në BE demokratët e vërtetë kanë marrë frymë të lehtësuar pas votimeve të mërkurën (15.03). Holanda nuk anoi nga populizmi. Kryeministri liberal, Mark Rutte qëndron në pushtet, ndërsa islamofobi Geert Wilders nuk përmbush as pritshmëritë e veta. Pas fitores së populistëve tek Brexit dhe Donald Trump në SHBA, votuesit holandezë kanë dhënë një sinjal të qartë: Deri këtu e jo më tutje. Edhe austriakët e ndalën me një mazhorancë të ngushtë fitoren e presidentit populist të djathtë.

Populistët mund të ndalen

Zgjedhjet në Holandë mund të kenë një ndikim sinjalizues të fortë edhe për Francën në maj apo Gjermaninë në shtator, ku zhvillohen votime. Populistët mund të ndalen. Holandezët nuk i kanë besuar Wilders ndonjë kompetencë qeverisëse në grindjen me Turqinë. Recetat e tij për problemet e Holandës duken të pamenduara, njësoj si ajo që po përjetojmë në SHBA e Britaninë e Madhe. Votuesve të Francë e Gjermani u duhet bërë e qartë, se populistët ofrojnë deklarata bombastike, por jo zgjidhje.

Dilema e Francës është problemi që krijon vetë kandidati i kampit konservator. Nacionalistja, Marine Le Pen ka vetëm një kandidat serioz që e konkurron. Francezët duhet të votojnë tani të riun Emmanuel Macron, nëse duan të pengojnë ardhjen në pushtet të Marine Le Pen. Me frymën e re nga Holanda dhe argumenta të arsyeshëm, Merkel mund t'ia dalë të ulë atraktivitetin e Jo-"Alternativës për Gjermaninë".

Riegert Bernd Kommentarbild App
Bernd Riegert

Çmimi që paguhet për dobësimin e populizmit

Dobësimi i populizmit e ka edhe një çmim. Në Holandë partia liberale e Mark Ruttes është bërë më e djathtë, e ka përdorur më shumë tonet kombëtare për t'ia marrë përkrahësit Wilders. Populistët ndoshta nuk fitojnë, por ata e ndikojnë axhendën politike. Mark Rutte pati edhe fat, sepse krahasimet e papërfytyrueshme të presidentit turk, që ka humbur kontrollin, me nazizmin, apo akuzat për gjenocid i bashkuan holandezët pas qeverisë së tyre. Rutte me vendosmërinë e tij shkëlqeu falë Erdoganit.

Për BE tani do të thotë ta shfrytëzojë frymën që vjen nga Holanda. Në samitin e festimit të Marrëveshjeve të Romës - 60-vjetori i lindjes së BE -, ajo duhet të gjejë një përgjigje të qartë e të përbashkuar kundër pakënaqësisë e tendencave populiste. Zhvillimet negative në Hungari, Poloni, për të mos harruar Greqinë populiste të majtë, duhet të përmenden me emër dhe të mos lihen mënjanë. Holandezët e ndaluan valën, këtë sinjal duhet të kuptojë BE e të mbështetet më shumë tek valëthyesit.

 

Bernd Riegert' Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE