Holanda përgjegjëse në rastin e Srebrenicës
7 Korrik 2011Korrik 1995: Serbë të Bosnjës vrasin në Srebrenicë, në Bosnjën Lindore rreth 8000 boshnjakë, megjithëse ky vend në fakt bënte pjesë në zonat e mbrojtura të OKB-së. Për kontrollin e kësaj zone mbrojtjeje kompetencën e kishin ushtarët holandezë. Por për shkak të numrit të madh të forcave serbe që po afroheshin, holandezët u tërhoqën. Dhe i lanë boshnjakët në fatin e tyre. Që prej 16 vjetësh përpiqen tani të afërmit e të masakruarve, të hedhin në gjyq Kombet e Bashkuara dhe shtetin holandez.
"Sepse të dyja organizatat, Kombet e Bashkuara dhe shteti hollandez nuk bënë atë që duhet të bënin në bazë të mandatit të tyre, e pikërisht të mbronin popullatën civile", thotë avokati Axel Hagedorn. Ai përfaqëson shumë nëna të Srebrenicës. Deri tani, të gjitha aktpadijet e tyre qenë hedhur poshtë. Shteti holandez pati argumentuar gjithmonë se ushtarët e tij patën qenë nën komandën e OKB-së, pra Holanda nuk mund të bëhet përgjegjëse për atë që ndodhi në Srebrenicë. Por gjykata e revizionit në Hagë arriti sot pikërisht në përfundimin e kundërt:"Një vend që ia vë në dispozicion trupat e tij OKB-së dhe ia nënshtron urdhërave të OKB-së, mund të bëhet megjithatë përgjegjës për atë që bëjnë trupat në vendin, ku zhvillohet misioni paqeruajtës", shprehet avokatja Lisbeth Zegveld, e cila luftoi për vendimin e fundit të gjyqit, më saktë për të afërmit e tri burrave, të cilët u vranë atëherë në Srebrenicë. Shteti holandez duhet të paguajë tani dëmshpërblim në një shumë që nuk u tha. Për shembull për Hasan Nuhanoviqin. Ai punonte atëherë si përkthyes për trupat holandeze, të cilat nuk penguan që vëllai dhe babai i tij të vriten. Paditësi i suksesshëm tha tani në radion holandeze:"Unë nuk di ç'të them, me të vërtetë nuk di. Isha përgatitur që vendimi të ishte negativ. Pra për një vendim pozitiv nuk isha përgatitur."
Vendimi ka lidhje shprehimisht vetëm për tri raste të veçuara. Por të afërmit e mijëra viktimave të atëhershme tani shpresojnë se edhe ata do të kenë sukses me aktpadijet e tyre. Dhe avokati Axel Hagedorn pret një hap të rëndësishëm simbolik: "As Kombet e Bashkuara, as shteti hollandez nuk kanë kërkuar ndonjëherë falje për atë që ka ndodhur, nuk kanë thënë as "na vjen keq", as 16 vjet më vonë. Kjo natyrisht është e hidhur."
Autor: Andreas Reuter/ Auron Dodi
Redaktoi: Bahri Cani