Holanda në prag të zgjedhjeve
7 Shtator 2012Një ditë e ngrohtë vere në qytetin e vogël të Boxmeer-it. Një grup muzikor në aktivitetin e Partisë Socialiste Holandeze. Emile Rumer kandidati kryesor i Partisë Socialiste ofron gratis akullore me domate. Kuptohet që topat e akullores janë të kuqe. Në sfond vazhdon muzika, të pranishëm shumë fotografë dhe kameramanë.
Emile Rumer është nga Boxmeer dhe ka qenë aty zëvendëskryetar bashkie. Me pak fjalë ai shpjegon se cila është për të tema më e rëndësishme: "Fjala është për njerëzit, arsimin dhe të ardhurat. Shumë politikanë mendojnë vetëm për ligjet dhe borxhet. Por Evropa nuk duhet të varet vetëm nga ato që thuhen në Bruksel".
Kur flet për krizën e euros ai skuqet në fytyrë dhe kritikon qeverinë aktuale: "Krizën nuk e kanë bërë njerëzit, krizën e kanë bërë politikanët që u kanë dhënë hapësirë tregjeve financiare për të bërë një krizë."
Partia e tij përfiton nga kriza e euros. Frika e popullsisë nga planet e kursimeve të Brukselit ka çuar në një rritje të fortë të mbështetjes së votuesve. Edhe pse PS ka rënë pak në anketimet e fundit, shumë qytetarë mendojnë ta hedhin votën e tyre për socialistët.
Në prill të këtij viti, qeveria e qendrës së djathtë u shpërbë prej mosmarrëveshjeve në lidhje me paketën e kursimit të BE-së. Për ta ulur deficitin buxhetor nën tre për qind, duheshin bërë shkurtime në shpenzimet publike prej rreth 14 miliardë euro. Aktualisht, Holanda qeveriset provizorisht nga një aleancë partish nën drejtimin e ish-kryeministrit Mark Rutte.
Rumer vë në shenjestër edhe ekonominë: "Unë pres prej Evropës që në rend të ditës të jenë edhe temat sociale dhe vetëm të tilla që kujdesen vetëm për institutet bankare, tregjet apo sipërmarrjet e mëdha. Evropa duhet të kujdeset për njerëzit jo për financat."
Një ndër pyetjet që shtrohen është a do të jetë Emile Rumer në gjendje që ta pengojë kancelaren Angela Merkel në planet e saj, sikurse mendojnë disa vëzhgues?
Fakt është që Rumer ka deklaruar se do të investojë në përgjegjësinë për qeverinë për të stimuluar rritjen ekonomike. Një gjë e tillë është jo vetëm një kurs konfrontimi me Brukselin por edhe me planet e kancelares Merkel, e cila mendon se disiplina buxhetore është mjaft e rëndësishme. I vetëm Rumer nuk do të jetë ndonjë problem për BE-në dhe kancelaren. Por në bashkëpunim politik me qeveritë spanjolle, franceze dhe italiane po, sepse të gjitha ato duan t'u shpëtojnë masave shtrënguese të BE.
"Unë nuk kam absolutisht asnjë lloj konflikti me Gjermaninë – në të kundërt unë jam një mik i madh i Gjermanisë." - thotë Rumer për të shtuar, "Unë kam konflikt me kursin liberal të Gjermanisë."
Kur e pyet nëse ai politikisht është më afër me presidentin francez Fransua Hollande, se sa me kancelaren Merkel ai përgjigjet: "Po, pak po."
Por ajo që duhet ta alarmojë kancelaren gjermane, është fakti që edhe partitë e tjera holandeze janë sa i përket krizës së euros të një mendjeje tjetër nga kancelarja. Për shembull, socialdemokratët që kanë shënuar rritje të ndjeshme në anketime. Kandidati kryesor Diederik Samon mendon se është në rregull që Greqisë t'i jepet më shumë kohë për të vënë ekonominë në rrugën e duhur. Apo nga ana tjetër krahu i djathtë i populistit Geert Wilders që një herë për një herë ka hequr dorë nga debati për ferexhetë dhe shamitë e kokës të femrave myslimane dhe bën thirrje për një kthim tek paraja e dikurshme gulden. E gjitha kjo krijon një atmosferë, që çdo qeveri e ardhshme nuk mund t'i shpëtojë lehtë.
Për momentin sipas anketave do të ketë një luftë treshe mes socialistëve (SP), socialdemokratëve (PvdA) dhe liberalëve të djathtë (VVD). Në garë janë 21 parti dhe mundësi koalicioni nga më të ndryshmet. Në këtë mes partitë e vogla pritet të luajnë një rol vendimtar.