Hidhen themelet e një bashkëpunimi më të gjerë ekonomik gjermano-shqiptar
30 Nëntor 2013Presidentja e shoqatës Ideal, Anduena Stefan, në hapjen e kësaj konference, ku ishin të pranishëm mbi 150 pjesëmarrës, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit gjermano-shqiptar si një shans për të kontribuar më shumë në zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe Kosovës, dy vende që aspirojnë tashmë për tu bërë anëtare të Bashkimit Europian. Kjo konferencë do të ndihmojë që ky bashkëpunim të shtrihet përmes rrugëve institucionale në fushën e ekonomisë dhe tregtisë mes Gjermanisë, Shqipërisë, Kosovës dhe më gjerë në rajonin e Ballkanit. Kryebashkiaku i Esenit, Rudolf Jelinik, i uroi mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve në këtë aktivitet të parë të këtij niveli në Gjermani dhe vlerësoi marrëdhëniet gjermano-shqiptare. „Shqipëria është një vend me prioritet të veçantë në bashkëpunimin gjerman për zhvillim. Eshtë në interes të Gjermanisë që duke mbështetur procesin demokratik të transformimit, të japë kontributin e saj në marrëdhëniet e qëndrueshme në Shqipëri dhe rajon. Nëse do të bëjmë një bilanc, investimet gjermane prej vitit 1988 kapin shifrën prej më shumë se 1 miliard euro“, tha Jelinik.
Qeveria e Shqipërisë – e hapur për investitorët gjermanë
Angazhimi kryesor i qeverisë së Shqipërisë është marrja e statusit të vendit kandidat dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kjo bën që Shqipëria të jetë edhe më e hapur ndaj investitorëve të huaj nga vendet e Bashkimit Europian, veçanërisht nga Gjermania me të cilën kemi një traditë të gjatë bashkëpunimi ekonomik prej më shumë se dy dekadash, theksoi në fjalën e saj zevëndësministrja për Ekonomi, Zhvillim dhe Tregti, Brunilda Paskali.„Shqipëria është një vend me resurse të pasura, si ai i pasurive minerale, turizmi, por mbi të gjitha është një vend që ka rreth1 milionë të rinj, të shkolluar dhe me gjuhë të huaja. Gjermania ka mbështetjen tonë për të qenë e pranishme me investimet e saj direkte në Shqipëri. Me këtë rast i ftoj të gjithë investitorët në këtë sallë që të mos ngurrojnë, por të vijnë në Shqipëri dhe të investojnë. Shqipëria ju pret“, tha Paskali. Konferencën e ka përshëndetur edhe vetë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përmes një letre drejtuar presidentes së shoqatës, Anduena Stefan.
Kosova, vend me kushte shumë të volitshme për investime të huaja
E gjithë konferenca ishte ndërtuar në katër podiume diskutimi me tema: „Rrugët e bashkëpunimit“, „Energjetika dhe Industria e lehtë - Tregti & Shkëmbime“, “Turizmi alternativ dhe i integruar - Transporti dhe Logjistika“, “Eksportet dhe investimet - Produktet ushqimore dhe shërbimet“. Shumë interesant ishte për të pranishmit prezantimi i Kosovës, nga drejtori ekzekutiv i Agjensisë së Promovimit dhe Investimeve, IPAK, Valdrin Lluka. Ai bëri një analizë të hollësishme të kushteve aktuale për investime të huaja në këtë shtet të ri të Evropës. „Legjislacioni i ri mbi investimet e huaja, marrëveshjet bilaterale për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve, marrëveshja me komunat për të ofruar tokë për 99 vite për investime të huaja, shpenzimet e ulta, sistemi i tatimeve, vend me një popullatë të re ku mosha mesatare është 27 vjeç, regjimi liberal i tregtisë dhe disa kushte të tjera, bëjnë që Kosova të jetë një vend mjaft i favorshëm për investime të sigurta nga të huajt. Kosova ka nevojë urgjente për investime në sektorë si: në agrobiznes, në sektorin e minierave, në energji, në tekstil, në turizëm, në menaxhimi e mbeturinave etj“, sqaroi pjesëmarrësit Lluka.
Konferenca - një gur themeli për bashkëpunimin gjermano-shqiptar
Një vemendje të veçantë pati edhe prezantimi që Enia Dupi nga LLM, AECO Consulting shpk në Tiranë i bëri marrëveshjes së arritur mes Gjermanisë dhe Shqipërisë për parandalimin e taksimit të dyfishtë dhe evazionit fiskal lidhur me tatimin mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin, një marrëveshje kjo që ka hyrë në fuqi në 1 janar 2012. Punimet e kësaj konference i përshëndeti në fund edhe sekretari i shtetit në Ministrinë e Ekonomisë, Energjisë dhe Industrisë në landin NRW, Dr. Günther Horzetzky., i cili solli edhe përshëndetjet personale të kryeministres së landit, Hannelore Kraft „Me organizmin e kësaj konference u hodh një gur themeli i rëndësishëm për bashkëpunimin e ardhshëm gjermano-shqiptar në fushën ekonomike. Për shumë gjermanë, por edhe për përfaqësuesit shqiptarë nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia, dita e sotme ishte mjaft e dobishme për projekte të mundshme konkrete. Unë personalisht jam i bindur dhe optimist për këtë“, tha në fjalën e tij të mbylljes Horzetzky.
Në ambientet e Filarmonisë së Essen-it, ku zhvilloi punimet konferenca, kishte edhe dy ekspozita: njëra me prodhime shqiptare „Made in Albanian&More“ , tjetra me pamje nga dorëshkrime të Kodikut të Korçës së kohës bizantine dhe pasbizantine që i solli nga Arkivi Qëndror i Shqipërisë në Esen, paleografi Sokol Çunga. Në fund pjesëmarësit e kësaj konference, të ftuar nga ambasadori i Shqipërisë në Berlin, Valter Ibrahimi, shijuan edhe një mbrëmje Gala nën shoqërinë e artistes Eda Zari.