1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hessen: Bouffier pret qeveri deri në Krishtlindje

29 Tetor 2018

Kryeministri i Hessenit Volker Bouffier (CDU) dëshiron që deri në Krishtlindje të formojë një qeveri të re. Ai mendon se kjo do të jetë e mundur.

https://p.dw.com/p/37LAi
Deutschland - Landtagswahl Hessen -  Reaktion der CDU - Volker Bouffier
Fotografi: picture-alliance/dpa/B. Roessler

Në parlamentin e ri të landit, CDU dhe të Gjelbrit kanë një shumicë prej një mandati. Bashkëkryetarja e të Gjelbërve, Baerbock deklaroi në Deutschlandfunk se për të, një vazhdim i aleancës qeveritare nuk është gjë e vendosur.

Por kryetari tjetër i të Gjelbërve, Habeck sheh shanse të mira për vazhdimin e koalicionit të CDU dhe të Gjelbërve. Shumica prej vetëm një votë në parlament nuk paraqet problem, tha Habeck kanalit të parë televiziv gjerman ARD. Ai vetë e ka përjetuar një koalicion të tillë në landin e Schleswig-Holsteinit. Kjo në një kohë që një koalicion të përbërë nga CDU, FDP dhe të Gjelbrit ai e sheh të vështirë. Vërtet që partia e tij është dakord me FDP-në për t'u angazhuar për një shtet liberal, por në politikën ndaj ambjentit ka dallime të qarta.

Edhe CDU, edhe SPD, si dhe aleanca treshe mund të krijojnë një shumicë për të formuar qeverinë, por kryeministri aktual i CDU-së, Volker Bouffier tha se preferon vazhdimin e koalicionit mes CDU dhe të Gjelbërve. Për shkak të mandateve shtesë, parlamenti i Landit të Hessenit është rritur në 137 vende. Një shumicë më të qartë se CDU dhe të Gjelbrit do të kishin aleanca treshe si CDU, SPD dhe Liberalët e FDP.    

Në bazë të rezultateve jopërfundimtare, CDU që e qeveris Hessenin prej vitit 1999 humbi 11,3 pikë duke arritur 27 përqind, por mbetet forca kryesore politike. SPD la 10,9 pikë dhe arrin 19,8 përqind. 19.8 përqind marrin edhe të Gjelbrit, që shtuan 8,7 përqind.

Shtim të qartë votash në nivelin e 9 pikëve pati edhe AfD, e cila arriti mbi 13,1 përqind. Më tej në parlamentin e landit do të jenë të përfaqësuara FDP me 7,5 përqind të votave, gjë që i përgjigjet një shtimi prej 2,5 përqind, si dhe partia e Majta, me 6,3 përqind, me një shtesë prej 1,1 përqind. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte rreth 67 përqind.