1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Heshtja: çmimi për të bërë përpara

Nadine Michollek
25 Janar 2022

Vito nuk tregon se është sinti. Frika se mund të humbasë klientët është shumë e madhe. Ai ka përjetuar shpesh diskriminim, sepse i përket grupit të popullsisë sinti dhe rome.

https://p.dw.com/p/45vls
Tschechien Gerechtigkeit für Stanislav Tomas | Proteste in Teplice
Fotografi: Ondrej Hajek/CTK/AP Photo/picture alliance

Kur e pyes Viton se pse e fsheh përkatësinë e tij, ai thotë: “Nuk më vjen turp që jam sinti, por kam frikë për biznesin, kam frikë se mos humbas klientët”. Vito është konsulent IT dhe punon në një kompani të vogël. Ashtu si Vito, shumë nga komuniteti sinti dhe rom heshtin në mënyrë që të mund të ngjisin shkallët e karrierës. Sepse racizmi ndaj tyre është ende i përhapur.

Disavantazhe strukturore

Këtë e ka treguar së fundmi edhe raporti i Komisionit të Pavarur për Anticiganizmin, i cili shqyrtoi për dy vjet situatën e këtij minoriteti në Gjermani. Sipas tij diskriminimi është i gjithëpranishëm: në shkollë, në punë, në politikë apo edhe në polici. Diskriminimi varion nga komentet raciste deri te disavantazhet strukturore dhe dhuna fizike.

Vështirësi të vazhdueshme

Pas një fëmijërie të vështirë Vito më në fund gjeti punë në një firmë si konsulent për IT. Ai nuk i kishte treguar njeriu se ishte sinti. Por një ditë një kushëri që kishte ardhur tek firma u tha të tjerëve se ata ishin sinti.

Ukraine Kiew | Staatliches Cybercenter
Fotografi: Hennadii Minchenko/Ukrinform/imago images

Nga ky moment kolegët filluan ta quanin menjëherë “cigani ynë i vogël” dhe të talleshin me përkatësinë e tij. Edhe shefi që atë moment filloi ta mbante nën vëzhgim. Ai thotë se ka punuar jashtë orarit dhe ka fituar klientë të mëdhenj – por sërish ka pasur telashe për gabime të vogla, p.sh kur ishte dy minuta vonesë në punë. Dikur shefi e pushoi nga puna.

"Nuk mbaj inat"

Por pas disa muajsh, ish-shefi i tij e kontaktoi përsëri dhe i tha që të kthehej, se nuk gjente njeri tjetër me kualifikimet e tij që mund ta zëvendësonte. Dhe Vito u kthye - si punonjës. "U ktheva sepse nuk mbaj inat. Veç kësaj, nuk doja të filloja një praktikë të re për të disatën herë dhe të jetoja me paga praktikanti."

Hörbuchcover Sinti und Roma hören von Anja Tuckermann
Fotografi: Silberfuchs-Verlag

Sot Vito dëshiron të mbështesë të rinjtë e tjerë. Ai aktualisht po punon për një projekt pikërisht me këtë qëllim dhe po ashtu kujdeset për IT-në për vetëorganizimin e komunitetit sinti dhe rom.