1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekspozitë për Luftën e Parë Botërore në Berlin

Heiner Kiesel / Lindita Arapi29 Maj 2014

Një ekspozitë e sapohapur në Berlin përkujton luftën që shkatërroi Europën para 100 vitesh: Pyetje kryesore që shtron ajo: Çfarë kemi mësuar ne nga Lufta e Parë Botërore?

https://p.dw.com/p/1C8qb
Hapja e ekspozitës: 1914-1918, Lufta e Parë Botërore
Fotografi: DW/H. Kiesel

Para se ekspozita në Muzeun Historik Gjerman (DHM) të hapej për publikun, ajo hapi dyert fillimisht për kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila u ngjit në një podium diskutimi në kuadër të ekspozitës për të debatuar me studentë dhe nxënës. Tema kryesore: Çfarë kemi mësuar ne nga lufta?" 100 vjet pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore theksoi Merkel, një nga mësimet që kemi nxjerrë është se nuk duhet të ndërpritet komunikimi. "Mes disa pushtetmbajtësve të asaj kohe sundonte heshtje e plotë në komunikim prej vitesh, dhe funksionarëve të lartë iu mungonte lidhja me homologët" , tha Merkel.

Sot gjendja është ndryshe, sot njihemi dhe kjo bën të krijohet besim. "Bashkimi i Europës është mësimi më i rëndësishëm nga histora e dhimbshme e shekullit të shkuar", theksoi kancelarja gjermane.

Eksponat në ekspozitën:1914-1918, Lufta e Parë Botërore
Eksponat në ekspozitën:1914-1918, Lufta e Parë BotëroreFotografi: DW/H. Kiesel

Ekspozita kryesore gjermane

Ekspozita me titullin 1914-1918 tregon përmes 500 eksponateve të kohës, ngjarjet dhe përditshmërinë e luftës. Vizitorët konfrontohen me euforinë groteske të luftës asokohe përmes kartolinave, titujve të gazetave dhe fotografive, ata shohin uniformat dhe armët dhe njihen kështu me sheshbetejat historike.

Presidenti i muzeut DHM, Alexander Koch
Presidenti i muzeut DHM, Alexander KochFotografi: DW/H. Kiesel

Presidenti i muzeut DHM, Alexander Koch u shpreh se "me vetëdije ne nuk marrim një pozicion kombëtar, por një pozicion global në këtë ekspozitë". Megjithatë fokusi i ekspozitës përqëndrohet tek Gjermania e atëhershme nën perandorin dhe përçarja e saj e brendshme, e shuar vetëm përkohshëm përmes euforisë nacionaliste të luftës. Miliona ushtarë dhe gati gjashtë milionë civilë humbën jetën në luftën e parë globale dhe të industrializuar të historisë.

Në hapësirën prej 1.100 metra katrorë, organizatorët gjejnë vend edhe për të prezantuar ndikimet e luftës në jetën civile. Zhvendosja e fokusit të ekonomisë tek lufta, të plagosurit dhe gjymtuarit apo ushtarët që ktheheshin në familje me sifilizin me vete. E pyetur se cilat pjesë të ekspozitës e kanë prekur më shumë, kancelarja gjermane u shpreh për kuzhinën e një shtëpie në Berlin: "Ishte një kuzhinë, ashtu siç e kam parë tek gjyshja ime."

Ekspozita u përgatit për dy vjet me radhë dhe mund të shihet në Berlin nga data 29 Maj deri në 30 nëntor të këtij viti.

Ekspozita:1914-1918, Lufta e Parë Botërore
Ekspozita:1914-1918, Lufta e Parë BotëroreFotografi: DW/H. Kiesel

Mësime për politikën aktuale

Me vështrim nga shpërthimi i Luftës së Parë Botërore dhe mungesës se dialogut të të fuqishmëve të asaj kohe, Merkel u shpreh në Berlin për mos ndërprerjen e komunikimit edhe në kuadër të krizës në Ukrainë. "Nganjëherë nuk ke dëshirë për këtë, për shembull me Rusinë, por më duhet ta detyroj veten." Merkel është angazhuar që presidenti rus, Vladimir Putin të ftohet në ceremoninë përkujtimore në Normandi. Nuk duhet të ndodhë që konfliktet aktuale të hedhin hije në përkujtimin e luftës, tha ajo.

Lufta e Parë Botërore ishte lufta e parë në det dhe ajër, veç tokës. Duke kujtuar grindjen gjermane për Alsasën dhe Lorenën, Merkel kujtoi rëndësinë e integritetit territorial: "Po qe se shtetet fillojnë t'u marrin pjesë të shteteve të tjera, atëherë ne do t'i hyjmë një katastrofe të pabesueshme. Kjo nuk duhet të ndodhë. Duhet të jetë shumë e qartë, që kjo nuk lejohet."