Heiko Maas në Turqi dhe diplomacia e tërheqjes së litarit
26 Tetor 2019Cila duhet të jetë aftësia kryesore e një ministri të Jashtëm? Në krye qëndron me siguri nuhatja tejet e hollë diplomatike. Në vizitën e tij në Turqi të shtunën, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas duhet ta vërtetojë se e ka këtë cilësi. Dy javë pas marshimit të Turqisë në Veriun e Sirisë, ministri i Jashtëm gjerman kërkon të nxisë Ankaranë për një armëpushim afatgjatë në këtë rajon.
Zemërimi i presidentit turk
Por vizita e Maas në Turqi ka disa pengesa. Ai jo vetëm që duhet të harmonizojë sa të mundet pozicionet e ndryshme të qeverisë gjermane dhe asaj turke, por duhet të marrë parasysh edhe interesat e partnerëve europianë, NATO-s, si edhe aktorit kryesor në Siri, Rusisë. Nuk të çudit fakti, që Maas të enjten telefonoi me homologun e tij rus, Sergej Lavrov, para vizitës në Ankara dhe takimin me ministrin e Jashtëm turk, Mevlüt Cavusoglu.
Ky mision i vështirë mund të lehtësohej nga marrëdhëniet e mira personale me disa anëtarë të qeverisë turke. Por tani e kundërta është fakt. Kufizimi i eksporteve të armëve për Ankaranë dhe deklarata e Heiko Maas, se ofensiva turke „nuk është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare", ndezën zemërimin e presidentit turk, Erdogan.
„Ti nuk kupton asgjë nga politika, ti je një diletant politik", u kundërpërgjigj Erdogan, që marshimin në Siri e argumentoi me vetëmbrojtjen në luftë kundër terrorizmit të kurdëve. Heiko Maas reagoi me qetësi. „Në fund të fundit më mirë është që zoti Erdogan të qëllojë me fjalë, se me raketa. Nëse biem dakord për këtë, mund të më shajë pa problem."
Jo me gishtin përpjetë
Në seancën e Bundestagut të mërkurën, Maas bëri të qartë pritshmëritë ndaj ministrit të Jashtëm turk, Mevlüt Cavusoglu. „Armëpushimi duhet të jetë i qëndrueshëm, dhe popullsia civile duhet mbrojtur." Edhe në qëndrimin ndaj refugjatëve, Turqia duhet të respektojë rregullat ndërkombëtare. Ministri i Jashtëm turk, Cavusoglu iu përgjigj Heiko Maas në gjermanisht: „I dashur Heiko, gëzohem për vizitën tënde në Turqi. Je gjithmonë i mirëpritur tek ne, por jo me gishtin përpjetë."
Ndërkohë kryetari i komisionit të jashtëm në Bundestag, Norbert Röttgen (CDU), e kujton Turqinë për detyrimet që ka si anëtare e NATO-s. Me këtë lidhet edhe pritshmëria që „Turqia sillet si një anëtare e NATO-s, dhe për partnerët e NATO-s është e papranueshme që të shkelen rregullat bazë ndërkombëtare, për të ndjekur qëllime të caktuara politike." Ndërsa deputeti i partisë E Majta, Stefan Liebich e sheh grindjen aktuale me Turqinë si një mundësi për të vendosur pikëpyetje në marrëveshjen e bërë me këtë vend për refugjatët. „E drejtë dhe konsekuente do të ishte, nëse BE dhe Gjermania i japin fund marrëveshjes për refugjatët. Pas kësaj nuk je më i shantazhueshëm."
Por pala turke duhet të ketë regjistruar edhe mospajtimet aktuale brenda politikës gjermane. Fakti që Heiko Maas u informua vetëm me sms nga ministrja e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer për idenë e zonës ndërkombëtare të sigurisë në Siri, e dobëson pozicionin e ministrit të Jashtëm gjatë vizitës në fundjavë. Fillimisht Heiko Maas tha, se vendimtare është që të biem në ujdi me partnerët për këtë. Të enjten në televizionin ZDF, ai theksoi: „thënë hapur, askush veç nesh në Gjermani nuk diskuton për momentin për një zonë sigurie." Pra Maas në Turqi duhet të tregojë aftësi diplomatike edhe për rezervat që mund të paraqesë Turqia, se qeveria e koalicionit në Gjermani nuk flet me një gjuhë.
Marrëdhënia e krijuar prej dekadash me Turqinë konsiderohet nga njëra anë e ngushtë, nga ana tjetër e vështirë. E ngushtë, sepse afër 3 milionë qytetarë me origjinë turke jetojnë në Gjermani. E vështirë, sepse konfliktet nuk janë të pakta: Që nga bisedimet e anëtarësimit me BE, deri tek liria e shtypit, paraqitjet publike në fushatë të politikanëve turq në Gjermani. Me ndërhyrjen ushtarake të Turqisë në Siri është shtuar tani një kapitull i ri problematik në historinë e përbashkët. Vetëm po qe se ministri Heiko Maas tregohet mjeshtër dhe arrin një sukses diplomatik.