Hapësira postsovjetike mes shkatërrimit dhe integrimit
18 Gusht 2011Bashkimi i Shteteve të Pavarura është krijuar prej Rusisë, Bjellorusisë dhe Ukrainës në dhjetor të vitit 1991, pak para shkatërrimit zyrtar të Bashkimit Sovjetik. Së shpejti në këtë Bashkim janë futur edhe tetë ish - republika të tjera sovjetike, por jo edhe tri vendet e Baltikut. As Ukraina më nuk ndjehet anëtare, pasi që nuk e ka miratuar statusin e parashikuar.
"Ky Bashkim i Shteteve të Pavarura ishte si një lloj pasardhësi i Bashkimit Sovjetik, por me kohë ka humbur rëndësinë", thotë Hans-Henning Schröder nga fondacioni për Shkencë dhe Politikë në Berlin. Por Rusia vazhdonte me përpjekjet që të krijojë aleanca politike me të paktën disa prej ish-republikave sovjetike. Për këtë shkak kohët e fundit janë krijuar një varg organizatash rajonale. "Por ato nuk funksionojnë si duhet", thotë Schröder.
Krijimi i organizatave tjera
Krahas Bashkimit të Shteteve të Pavarura në hapsirën e ish - Bashkimit Sovjetik, në vitin 2002 janë krijuar Bashkësia Ekonomike Evroaziatike dhe Organizata për Siguri Kolektive, ndërsa në vitin 1999 Unioni mes Rusisë dhe Bjellorusisë.
Në Bashkësinë Ekonomike Evroaziatike bëjnë pjesë Rusia, Kazakistani, Kirgistani,Taxhikistani dhe Bjellorusia. Në Organizatën e Sigurisë Kolektive anëtare janë Rusia, Armenia, Kazakistani, Kirgistani, Taxhikistani, Bjellorusia dhe Uzbekistani. Qëllimi i kësaj organizate është garantimi i sigurisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të këtyre vendeve anëtare.
Ndërkohë është krijuar edhe organizata GUAM, si një lloj baraspeshe me Rusinë, ku bëjnë pjesë Gjeorgjia, Ukraina, Azerbajxhani, Moldavia dhe Turqia si vëzhguese.
Projekti më i ri për riintegrime në hapsirën postsovjetike do të duhej të jetë vazhdimësi e unionit të krijuar prej Rusisë dhe Bjellorusisë, respektivisht presidentëve Boris Jelcin dhe Aleksandar Llukashenko. Ky i fundit madje kishte ambicie të bëhet president i unionit, por ai ka hequr dorë nga këto plane pas zgjedhjes së Vlladimir Putinit në postin e presidentit të Rusisë, në vitin 2000. Prej atëherë, raportet mes Rusisë dhe Bjellorusisë janë ta ngarkuara me konflikte të shumta.
Integrimet nuk janë të mundura
“Mendoj se një integrim i Rusisë me Bjellorusinë nuk është i mundur", thotë Eberhard Schneider nga Qendra BE-Rusi. Ai mendon se një integrim i ri i ish-republikave sovjetike është i pamundur. Një shans do të kishte eventualisht ndonjë aleancë e Rusisë me Bjellorusinë, Kazakistanin dhe eventualisht Ukrainën. Por Ukraina prej vitit 2008 po negocion me Bashkimin Evropian, për krijimin e një zone të tregtisë së lirë. Ky projekt së shpejti edhe mund të realizohet.
Së bashku me tre vendet e Baltikut edhe disa vende të tjera ish-sovjetike janë bërë anëtare të Organizatës Botërore Tregtare, si Armenia, Gjeorgjia, Kirgistani, Moldavia dhe Ukraina. Prandaj është shumë vështirë që ato të futen në ndonjë aleancë të re doganash me Rusinë dhe të rrezikojnë anëtarësinë në Organizatën Botërore të Tregtisë.
Rusia dhe roli i saj
Po a thua është e mundur që Rusia një ditë të bëhet si magnet për ish-republikat sovjetike? "Rusia për këtë do të kishte nevojë të zhvillonte resurse të reja ekonomike. Ekonomia ruse deri tani kryesisht bazohet tek eksporti i derivateve të naftës, gazit dhe energjisë. Modernizimi dhe teknologjia moderne, industria e përpunimit dhe degë të tjera ekonomike janë të domosdoshme. Rusia në këto aspekte ende ka mangësi dhe nuk është atraktive“, thotë eksperti Schröder.
Sipas tij, vendet tjera si Bjellorusia, Ukraina dhe Moldavia kanë parasysh mundësi të tjera, në radhë të parë Bashkimin Evropian. Ndërkohë që shtetet e Azisë Qendrore më shumë shikojnë drejt Kinës.
Autor: Markian Ostaptschuk / Bahri Cani
Redaktoi: Esat Ahmeti