Hapi dyert Panairi i librit i Lajpcigut 2007
22 Mars 2007Para 17, pak kohë pas bashkimit të Gjermanisë askush nuk besonte se Panairi i librit i Lajpcigut do të mund të mbijetonte përkrah atij të Frankfurtit. Por atyre që bënin prognoza të tilla u duhej shumë shpejt të shihin me sytë e tyre, që me profilin e tij si panair sa për publikun e specializuar aq edhe për lexuesit e interesuar, panairi pranveror i Lajpcigut po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë.
Zakonisht panairet reflektojnë gjendjen ekonomike të një sektorit që ato prezantojnë. Por Panairi i Lajpcigut duket se përmbys këto rregulla të tregut. Sepse në një kohë që shtëpitë botuese dhe tregtia e librit pas një periudhe të gjatë stanjacioni po shënojnë një lloj rritje prej një përqind, Panairi i Lajpcigut po shënon rritje të ndjeshme sa i përket sipërfaqes së eksponateve dhe numrit të vizitorëve.
Duke i saktësuar këto shifra drejtori ekuzekutiv i panairit Wolfgang Marzin thotë:"një rritje prej pesë përqindësh, jo pesë centimetra, 5 përqind. Në 63.000 metrat katrorë të panairit kemi 2.348 stenda nga 36 vende të botës, pra sa asnjë herë më parë. Po ashtu gjatë tri viteve të fundit panairi është zhvilluar në mënyrë të shkëlqyeshme, me nga 80.000 në 125.000 vizitorë, ky zhvillim ka qenë i vazhdueshëm si nga sasia edhe nga cilësia.
Panairi i Lajpcigut ka kohë që ka bërë emër si forum për letërsinë e re në gjuhën gjermane. Prej 16 vjetësh Panairi i Lajpcigut është i pandarë prej festivalit të letërsisë "Lajpcigu lexon". Këtë vit në kuadër të këtij programi organizohen 1.900 aktivitete në qindra ambiente të qytetit dhe të panairit. Në to do të lexojnë nga librat e tyre dhe do të diskutojnë me publikun si mjeshtrat e vjetër të letërsisë gjermane edhe autorët e rinj.
"Këtu autorët dhe lexuesit takohen me njëri-tjetrin. Po të bëja një krahasim, do të ishte sikur shefi drejtues i një koncerni automobilësh t'i tregonte dikujt personalisht një tip makine. Këtu vërtet që takohen personalisht me njeri-tjetrin ata që interesohen dhe duan të interesohen për mediumin libër." - thotë Marzin.
Panairi i Lajpcigut nuk synon vetëm tregun gjerman, por edhe atë ndërkombëtar, sidomos vendet e Evropës Lindore. Vend të posaçëm zë në panair këtë vit letërsia dhe shtëpitë botuese sllovene. Po ashtu me akordimin e çmimit për mirëkuptimin evropian panairi i Lajpcigut thekson sërish aspekte politiko-sociale. Këtë vit me çmimin e panairit të Lajpcigut për mirëkuptimin evropian nderohen filozofi dhe eseisti rus Mihail Ryklin dhe publicisti gjerman Gerd Koenen. Në librat e tyre më të fundit ata trajtojnë gjendjen e marrëdhënieve gjermano-ruse dhe problemin e vetëinterpretimit që i bën Rusia demokracisë.
"Panairi është pika më kulmore e jetës kulturore të qytetit dhe për ne një ngjarje që e presim me shumë gëzim." - thotë Georg Giradet, drejtor për kulturën në bashkinë e Lajpcigut. Falë inovacioneve të vazhdueshme ne ia kemi dalë mbanë që të ofrojmë në panair gjithnjë e më shumë shtresa të publikut. Me elementin "Libra të lexuar në CD" që u inkuadrua në panair përpara tetë vjetësh, Panairi i Lajpcigut konsiderohet si vendi më i rëndësishëm ku takohen shtëpisë botuese që ofrojnë libra të tillë në gjuhën gjermane.
Sa i përket elementit tjetër të rëndësishëm të panairit, librave dhe botimeve për fëmijë, këto janë inkuadruar në panair shumë më përpara se qeveria dhe mediat gjermane të diskutonin për rëndësinë e tyre. Në kuadër të panairit të sivjetshëm kësaj teme do t'i kushtohen rreth 500 aktivitete.