1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hapa përpara drejt heqjes së dënimit me vdekje

Mariel Müller
18 Nëntor 2022

Gjithnjë e më shumë vende në botë, sidomos në Afrikë, po e heqin dënimin me vdekje. Por nga ana tjetër ka mjaft vende që i mbajnë sekret dënimet me vdekje dhe ekzekutimet.

https://p.dw.com/p/4JiEL
Afrika po bën hapa përpara drejt heqjes së dënimit me vdekje
Afrika po bën hapa përpara drejt heqjes së dënimit me vdekjeFotografi: Phill Magakoe/AFP

Në Berlin po zhvillohet Kongresi VIII Ndërkombëtar për Heqjen e Dënimit me Vdekje, i organizuar nga organizata franceze "Ensemble contre la peine de mort – ECPM”. Në kongres janë mbledhur politikanë, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe të afërm të të dënuarve me vdekje. Qëllimi i tyre është të bindin shtetet e tjera që të marrin angazhime konkrete për heqjen e ekzekutimeve me vdekje.

Berlin: Kongresi VIII Ndërkombëtar për Heqjen e Dënimit me Vdekje
Berlin: Kongresi VIII Ndërkombëtar për Heqjen e Dënimit me VdekjeFotografi: Thomas Koehler/photothek/picture alliance

Sipas organizatës për të drejtat e njeriut Amnesty International nga dënimi me vdekje po heqin dorë gjithnjë e më shumë vende. Deri tani dënimin me vdekje e kanë hequr plotësisht nga legjislacioni 112 vende, kurse në 144 vende - pra në më shumë se dy të tretat e të gjitha shteteve - ekzekutimet e dënimeve me vdekje nuk kryhen më, pavarësisht nga situata ligjore, thuhet në raportin e Amnesty International.

Afrikë: Hapa përpara drejt heqjes së dënimit me vdekje

Prirja për heqjen e dënimit me vdekje po vihet re edhe në Afrikë. Kështu në Guinenë Ekuatoriale dënimi me vdekje do të hiqet nga kodi penal në fund të vitit. Në këtë mënyrë Guinea Ekuatoriale bëhet vendi i 24-të i kontinentit afrikan që e heq plotësisht dënimin me vdekje.

Iran: Dënim publik me vdekje
Iran: Dënim publik me vdekje Fotografi: Baharlo Jam/abaca/picture alliance

Një tjetër vend afrikan, Burkina Faso, e shfuqizoi dënimin me vdekje për krime ordinere. Ligji i ri shihet si një reformë e rëndësishme për Burkina Fason që është një nga vendet më autoritare në botë. Edhe Republika e Afrikës Qendrore e hoqi dënimin me vdekje në qershor të vitit 2022, kurse në Sierra Leone është në fuqi që nga viti 2021 një kod të ri penal që nuk parashikon më dënimin me vdekje. Dënimi me vdekje pritet të shfuqizohet edhe në Zambia, ku në 25 vitet e fundit ishte në fuqi një muratorium dhe prandaj nuk është ekzekutuar asnjë dënim me vdekje.

Egjipti: Zbatues aktiv i dënimeve me vdekje

Ndryshe qëndron puna në Egjip, i cili ka qenë një nga zbatuesit më aktivë të dënimit me vdekje gjatë dy viteve të fundit. Në vitin 2021 në Egjipt u ekzekutuan 83 vetë. "Çdo vit në Egjipt dënohen me vdekje qindra vetë, ndonjëherë nga gjykatat ushtarake.

2022: Shtim i dënimeve me vdekje dhe të ekzekutimeve të fshehta në mbarë botën
2022: Shtim i dënimeve me vdekje dhe të ekzekutimeve të fshehta në mbarë botënFotografi: Bernd von Jutrczenka/picture alliance/dpa

Në raste të shumta, dënimet bazohen në gjykime të padrejta, që nuk plotësojnë asnjë standard të sundimit të ligjit”, thotë Hussein Baoumi, eksperti i Amnesty International për Egjiptin.

Ekzekutime të fshehta

Megjithë përparimet në heqjen e dënimit me vdekje Amnesty International ka regjistruar në vitin 2022 një shtim të dënimeve me vdekje dhe të ekzekutimeve në mbarë botën. Sipas kësaj organizate në 18 vende të botës janë kryer në vitin 2021 të paktën 579 ekzekutime.

Po ashtu Amnesty International supozon se ka edhe një numër të lartë rastesh të paraportuara, se disa shtete, si Kina, i mbajnë të fshehta ekzekutimet.