1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

25 vjet pas njohjes së Kroacisë dhe Sllovenisë

Volker Wagener25 Qershor 2016

Viti 1991:Jugosllavia shpërbëhet, Gjermania ka një vit e bashkuar. Në këtë moment qeveria gjermane guxon e ndërmerr një veprim të veçuar në politikën e jashtme. Njohjen e Sllovenisë e Kroacisë. Një hap jo pa probleme.

https://p.dw.com/p/1JDUS
Kroatien-Krieg 1991 - Entwicklung der Migration nach Deutschland
Lufta në Kroaci, Vukovari i shkatërruar, viti 1991Fotografi: picture alliance/dpa

Kur BE ende quhej Bashkësi Europiane e përbërë nga 12 vende, secili me valutën e vet, Europa përjetoi rastin e parë më serioz në politikën e jashtme pas vitit 1945. Ishte viti 1991 kur Jugosllavia shpërtheu pas vitesh konfliktesh të brendshme e rrënimi ekonomik. Sllovenia dhe Kroacia donin të largoheshin shteti ballkanik i Titos. Duhej ta mbështeste Europa këtë hap? Në Bonn, atëherë seli e qeverisë gjermane një përpjekje e tillë u mbështet – sepse e drejta e popujve për vetëvendosje ishte e pakontestuar, si në Bonn ashtu edhe në bashkësinë europiane. A nuk i mbështetën europianët tre shtetet balltike që u shkëputën në vitin 1991 nga Bashkimi Sovjetik? Por në rastin e Jugosllavisë, Bashkësia Europiane kishte përgatitur edhe plane restaurimi të federatës, ndërkohë që lufta në Kroaci kishte kohë që kishte krijuar fakte. Bonni u distancuan shpejt nga ideja e ruajtjes me çdo kusht të shtetit shumëkombësh jugosllav.

Gjermania e vetme kundër pjesës tjetër të botës

Që herët Hans-Dietrich Genscher, atëherë ministër i Jashtëm ndiqte politikën e mosdetyrimit të sllovenëve e kroatëve të ishin pjesë e një federate që nuk e donin. Një mendim tepër i guximshëm për kohën, sepse politika e jashtme gjermane historikisht ndiqte kursin e rezervimit. Pikërisht në rastin e „pacientit ballkanik“, Genscher ndoqi një kurs kundër shumicës së anëtarëve të Bashkësisë Europiane.

Jugoslawien Kroatien Vukovar Serben Miliz 1991
Milicë serbë në Vukovar, 1991Fotografi: picture-alliance/AP Photo/S. Mantzarlis

Edhe nga ana psikologjike ky ishte një hap i rrezikshëm. Dy herë në histori, si në Luftën e Parë ashtu edhe të Dytë Botërore, gjermanët nuk gëzonin imazh pozitiv në rajon. Edhe partnerët kryesorë, Franca, Britania e Madhe ishin fillimisht kundër njohjes së Sllovenisë e Kroacisë. Madje Sekretari i Përgjithshëm Javier Pérez de Cuéllar i paralajmëmroi gjermanët nga një hap i veçuar.

Në një kohë që milicë serbë mbanin të pushtuar një të tretën e Kroacisë, u vu në pah paralizimi politik i europianëve. Shumë armëpushime u shkelën. Të zhgënjyer nga një gjendje pa shpresë, mes shteteve europiane u poq ngadalë plani për njohjen e Sllovenisë e Kroacisë, edhe pse në disa faza. Bashkësia Europiane nuk kishte më probleme të jepte edhe një përgjigje për fajtorin e luftës. Ata identifikuan si agresorë, shoqata vullnetarësh serbë, që vepronin me mbështetje të Beogradit.

Kroatien Gedenkfriedhof Vukovar
Varreza përkujtimore -VukovarFotografi: picture alliance/PIXSELL

Që më 27 gusht, ministrat e Jashtëm të Bashkësisë Europiane dënuan sulmet e çetnikëve serbë në Kroaci. Serbia u kërcënua me ndëshkim, në rast se do të prishej armëpushimi dhe do të minoheshin bisedimet e paqes në Hagë. Pas dështimit edhe të konferencës së Hagës, u përqafua si në Paris edhe në Londër opinioni për njohjen e këtyre shteteve. Madje edhe Holanda që kishte frenuar më gjatë këtë proces, ndërroi qëndrim.

Komisioni Badinter - baza e njohjes

Megjithë këto ndryshime, kritikat nga pala franceze e angleze nuk reshtën, madje edhe me akuzën, se me „veprimin e nxituar“, të qeverisë Kohl-Genscher, kjo qeveri është gati përgjegjëse për shkatërrimin e Jugosllavisë, madje edhe për luftërat në Jugosllavi. Debati ishte i ndezur edhe në Gjermani. Shkrimtari i njohur, Günter Grass e kritikoi hapur njohjen e Sllovenisë e Kroacisë. E majta partinë socialdemokrate, SPD simpatizonte hapur me „shpëtimin e Jugosllavisë“. Por Bashkësia Europiane kishte iniciuar me kohë në instrument për krijimin e kushteve të njohjes së Sllovenisë e Kroacisë. Komisioni Badinter nën drejtimin e konstitucionalistit francez, Robert Badinter.

Gjermania qëndroi në këtë komision më shumë në sfond, por kishte vendosur aty një temë: atë të minoriteteve. Qëllimi i qeverisë gjermane ishte të detyronte Kroacinë të respektonte të drejtat e etnive të tjera në vend. Ndërkohë më 17 dhjetor 1991 ishte ministri i Jashtëm britanik, Douglas Hurd që mbështeti homologun gjerman duke bërë të qartë se kishte ardhur koha që Bashkësia Europiane të pozicionohej. Kështu ndodhi. Bashkësia Europiane vendosi njëzëri dhe e bashkuar. Dy ditë më vonë qeveria gjermane vendosi për njohjen që duhet të hynte në fuqi në 15 janar. Vendimin veçse e morën të gjitha shtetet e Bashkësisë Europiane. Në të vërtetë shumë vonë, jo herët, siç thuhet. Ofensiva serbe kundër Kroacisë kishte filluar në verë e kishte vazhduar gjatë vjeshtës. Dubrovniku ishte i rrethuar nga tetori, ndërsa fati i Vukovarit u vulos më 18 nëntor. Në një reflektim të Genscherit thuhet se „njohja e Sllovenisë dhe Kroacisë e bëri Sllobodan Millosheviçin të përfundonte luftën kundër këtyre dy vendeve. Nuk ka vlerë kjo?“