1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Sport

Hansi Flick ia kthen shpirtin kombëtares gjermane!

12 Tetor 2021

Gjermania u kualifikua për Kupën e Botës 2022, pas fitores mbrëmë kundër Maqedonisë së Veriut. Trajneri i ri Hansi Flick ka shënuar pesë fitore në pesë ndeshje, një bilanc shumë i mirë.

https://p.dw.com/p/41Z6R
Deutschland | DFB Pressekonferenz Hansi Flick
Fotografi: Markus Gilliar/GES/picture alliance

Pesë fitore në pesë ndeshje dhe bileta për Kampionatin Botëror u rezervua para kohe, me fitoren e bindshme kundër Maqedonisë së Veirut, me rezultat 4-0. Në këtë mënyrë trajneri i ri i Gjermanisë, Hansi Flick, shënoi një fillim perfekt në stolin e shefit të kombëtares gjermane. 56-vjeçari Flick vendosi kështu një rekod të ri të fitoreve në pesë ndeshjet e para - një rekord që deri tani e mbante paraardhësi i tij Joachim Löw. Por kur shikohen lista e kundërshtarëve, nuk ka asnjë arsye për të qenë euforik: Lihtenshtajni, Armenia, Islanda, Rumania dhe Maqedonia e Veriut nuk janë kundërshtarët e nivelit më të lartë të futbollit evropian dhe botëror.

Ndryshimi i mentalitetit

WM Qualifikation | Deutschland vs. Rumänien | Hans-Dieter Flick, Nationaltrainer
Fotografi: Martin Rose/Getty Images

E megjithatë Flick shënoi një fillim si në kohërat kur ishte trajner i suksesshëm i FC Bayern. Si atëherë edhe tani, Flick duket se ka gjetur tonin e duhur për komunikim me lojtarët; për t'i motivuar ata; për të marrë seriozisht çdo lojë dhe për të dhënë gjithçka deri në minutën e fundit. Jo gjithçka po shkonte mirë në lojën e Gjermanisë, shumë shanse të mira u humbën në ndeshjet kualifikuese, e disa pasime përfunduan - askund. Mbrojtja nuk ishte në nivel. Por prej ardhjes së Hansi Flick në stolin e kombëtares, janë bërë ndryshime në të gjitha linjat e lojës dhe në të gjitha grupmoshat e ekipit.

Shpirti i ekipit është kthyer

Stuttgart Nationalmannschaft Training Hans-Dieter Flick
Fotografi: THOMAS KIENZLE/AFP/Getty Images

Lojtarët shumë të talentuar ofensivë si Serge Gnabry, Leon Goretzka, Leroy Sané ose dhe Kai Havertz luftojnë tani për çdo top. Lojtarët me eksperiencë si Thomas Müller apo Manuel Neuer angazhohen në lojë, sikur të mos kishte as dje dhe as nesër, por vetëm momenti i tanishëm. E "të rinjtë e egër" si Florian Wirtz ose Jamal Musiala po e tregojnë potencialin e tyre të jashtëzakonshëm.

Hansi Flick është dëshmuar si trajner i mirë dhe i madh edhe në FC Bayern. Kur dikush fiton të gjithë titujt e mundshëm në një sezon, me siguri që gjithçka ka bërë si duhet. Paraqitjet e para të kombëtares së DFB, nën drejtimin e Hansi Flick, ngjallin shpresën se me ekipin e kombëtares ai do të vazhdojë aty ku e la në Mynih - në nivelin e lartë. Shpirti i ekipit është kthyer, pas dështimeve të fundit në kohën e Joachim Löw. Hansi Flick tani mund të fillojë të mendojë dhe të punojë për garën finale të Kampionatit Botëror në të vitit 2022 në Katar.