1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hamasi emëron Jihia al-Sinwarin si lider të ri

7 Gusht 2024

Jihia al-Sinwar u emërua si kreu i ri i zyrës politike të Hamasit. Zgjedhja e tij jep pak shpresë për negociata të reja për armëpushim.

https://p.dw.com/p/4jBZo
Sinwar i njohur si "kasapi i Khan Yunis" - zgjidhet lider i ri i Hamasit
Sinwar i njohur si "kasapi i Khan Yunis" - zgjidhet lider i ri i HamasitFotografi: MAHMUD HAMS/AFP/Getty Images

Thuajse një javë pas vrasjes së shefit të jashtëm të Hamasit, Ismail Haniya, grupi terrorist islamik emëroi udhëheqësin e Hamasit në Rripin e Gazës, Jihia al-Sinwar, si drejtues të ri të organizatës. Hamasi e bëri këtë të ditur në platformën Telegram. Sinwar konsiderohet si organizatori i sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor 2023, gjatë të cilit në jug të Izraelit u vranë rreth 1.200 vetë.

Sinwar në shënjestër të Izraelit

Sinwar është në krye të listës së personave që Izraeli synon t'i asgjësojë. Ai jeton në një vend të panjohur në Rripin e Gazës – mendohet se fshihet në tunelet e Hamasit në zonën bregdetare. Paraardhësi i tij, Haniya, banonte në kryeqytetin e Katarit, Doha dhe konsiderohej si kryediplomati i Hamasit.

Sinwar i përket brezit të themeluesve të Hamasit
Sinwar i përket brezit të themeluesve të HamasitFotografi: Mustafa Hassona/AA/picture alliance

Ish-zëvendësi i Sinwarit, Mohammed Deif, komandanti i Brigadave al-Kassam, krahut ushtarak të Hamasit, ishte objektivi i një sulmi me raketa izraelite në muajin korrik. Javën e kaluar Izraeli e shpalli atë të vdekur. Kurse Hanija u vra në një atentat në kryeqytetin iranian Teheran javën e kaluar.

Dy dekada në burgjet izraelite

Sinwar i përket brezit të themeluesve të Hamasit. Ai u lind në vitin 1962 në kampin e refugjatëve Khan Yunis në jug të Rripit të Gazës. Familja e tij vjen nga zona e qytetit bregdetar Ashkelon, që tani gjendet në territorin izraelit. Për më shumë se dy dekada ai ishte i burgosur në Izrael dhe gjatë kësaj kohe mësoi të fliste rrjedhshëm hebraisht.

Në kohën e formimit të Hamasit për të luftuar pushtimin izraelit gjatë kryengritjes së parë palestineze, Intifada, në fund të viteve 1980, Sinwari u përfshi gjithashtu në ngritjen e krahut ushtarak të Hamasit, brigadave Kassam. Në vitet e para të lëvizjes islamike Sinwari ishte përgjegjës për luftimin e personave që dyshohej se bashkëpunonin me Izraelin. Ai ishte aq brutal sa u bë i njohur si "kasapi i Khan Yunis".