"Halla ime pinte duhan dhe u bë 100 vjeç"
4 Shkurt 2014Në Gjermani vazhdojnë të pinë duhan një e katërta e të rriturve. 9,5 milionë vetë, sipas raportit për drogat të qeverisë gjermane, pinë më shumë alkool se duhet të pinin. Rreth 67 përqind e meshkujve dhe 53 përqind e femrave kanë mbipeshë. Dhe studiot e solarit vazhdojnë të kenë klientë.
Ndjenjat janë më të forta se arsyeja
Nuk është arsyeja, por përvojat, ato që e drejtojnë njeriun, thotë Franziska Geiser, drejtoreshë e Klinikës për Mjekësinë Psikosomatike dhe për Psikoterapinë në Klinikën Universitare të Bonit. Ne e dëgjojmë kujtesën tonë emocionale, duke ruajtur në të ndjenja pozitive dhe negative.
"Ky është një model shumë efektiv. Ai na mundëson që në situata të rrezikshme të marrim shpejt një vendim, pa e munduar gjatë trurin tonë", thotë Geiser. "Sepse evolucioni ka parashikuar që ne të përjetojmë përvoja të mira dhe të këqia dhe t'i ruajmë ato në kujtesë dhe jo që të lexojmë në gazetë për statistikat e kancerit."
Pushteti i të tjerëve
Shumë sjellje të këqia janë thjesht zakon, ose imitim. Njerëzit ushqehen shumicën e herëve në atë mënyrë, si ka gatuar gjithmonë mamaja e tyre në shtëpi, thotë Elio Riboli, studiues i kancerit në Imperial College London.
Fëmijët fillojnë të pinë duhan, sepse e kanë parë këtë të babai dhe te nëna, prandaj në bazë të statistikave fëmijët e duhanpirësve kanë më shumë tendencë të pinë duhan se fëmijët e atyre, që nuk pinë duhan. "Unë nuk njoh askënd, që e pi cigaren e parë se i shijon kaq shumë, e kundërta, ajo ka shije të tmerrshme", thotë Gerd Gigerenzer, drejtor i Institutit Max-Planck për Kërkimet arsimore në Berlin. "Ne pimë duhan, se të tjerët pinë duhan."
Në rastin e nxirjes në diell, shpesh fajin e ka reagimi i njerëzve përreth nesh, thotë Jessica Hassel, kryemjeke në Qendrën Nacionale të Sëmundjeve Tumorale në Heidelberg. "Shumica e dinë se nxirja në diell është e dëmshme, megjithatë e bëjnë. Sepse, kur kthehesh nga pushimet dhe nuk ke marrë ngjyrë kafe, dëgjon të të thonë: ke qenë me pushime? S'dukesh fare."
Ish-kancelari Helmut Schmidt shfaqet si shembull
Kur njerëzit e bëjnë diçka, megjithëse e dinë se veprimi është i pashëndetshëm, atëherë lind një konflikt i brendshëm, thotë psikologia Geiser. "Konflikte të tilla ne përpiqemi t'i zgjidhim në njëfarë mënyre."
Njëra mundësi është që ta harrojmë informacionin, se diçka shkakton kancer. "Ose i them vetes: edhe Winston Churchilli ka pirë duhan dhe arriti moshë shumë të madhe pa bërë gjimnastikë". Edhe vështrimi në forumet sociale tregon se njerëzit i paraqesin me dëshirë raste të tilla të veçanta si justifikim."Halla ime pinte duhan dhe u bë 106 vjeç, kur vdiq nga dobësia e pleqërisë. Doni vetëm të fusni frikë", shkruan një vizitore e zemëruar me gërma të mëdha në faqen e Deutsche Welles në Facebook. Edhe ish-kancelarin Helmut Schmidt e përmendin shpesh si kundërshembull. Ai pi duhan pa pushim dhe është 95 vjeç.
Një argument i preferuar, pavarësisht se për cilin rrezik për shëndetin bëhet fjalë, është edhe ai, sipas të cilit të gjithë duhet të vdesin. "Jeta është gjithmonë në rrezik dhe përfundon shumicën e herëve në formë vdekjeprurëse", shkruan një vizitor tjetër në Facebook.
Për Geiserin ky është një shembull tipik, si i zbehin njerëzit informacionet e parehatshme," në mënyrë që të vijnë sërish në harmoni me atë që bëjnë dhe të ndihen më mirë me veten."
Problemi me statistikat
Ai që ha një kërpudhë helmuese vdes, po nuk erdhi në kohën e duhur ndihmë. Një veprim ndiqet nga pasoja e menjëhershme. Por në rastin e kancerit, puna është ndryshe. Shumë nga gjërat, që bëjmë, vetëm e rritin probabilitetin, që dikur të sëmuremi me kancer.
"Ekiston gjithmonë shpresa, që edhe kur pi duhan dhe je mbipeshë, të mos sëmuresh patjetër", thotë Rudolf Kaaks, që studion kancerin në DKFZ. "Kjo shpresë e shtyn njeriun që të mos e ndërpresë menjëherë një sjellje."
Statistikat janë shpesh të vështira për t'u kuptuar. Dihet ndoshta që mundësia, që kur hedh zarin të të bjerë i njëjti numër gjithmonë është saktësisht një e gjashta, por atij që i bie pesë herë njërën pas tjetrës një njësh, nuk ka ndjesinë se kjo është vërtet kështu.
Ne kemi frikë nga gjërat e gabuara
Sipas pikëpamjes së psikologut Gerd Gigerenzer fajin nuk e ka psikika e njeriut, por shoqëria. Ai beson që njerëzit duhet të mësojnë t'i vlerësojnë më mirë rreziqet në jetë. Gigerenzer lufton që edhe fëmijët t'i mësojë më mirë për mënyrën si të veprojnë me rreziqet. "Nëse gjysmën e parave, që shpenzojmë sot në luftë kundër kancerit, do ta përdornim për t'u dhënë kompetencë për rreziqet të rinjve, pa e arritur moshën e pubertetit, atëherë ne do ta ruanim më shumë jetë nga vdekja kanceroze, se sa po ta shpenzonim të njëjtën sasi parash për të shpikur brezin tjetër të medikamenteve kundër kancerit."
Informacionet shumicën e herëve nuk mjaftojnë që t'i bësh njerëzit që ta ndryshojnë sjelljen e tyre, thotë psikologia Geiser. "Duhet të shtohen ndjenjat". Ai që e di që pas një ore gjimnastike ndihet shumë më mirë, do ta ketë më të lehtë ta bindë veten për të ushtruar.