EU-Außenministerrat
26 Janar 2010BE dërgon forca sigurie në Haiti - shtab pune në Bruksel
Bashkimi Evropian do të dërgojë në Haitin e shkatërruar nga tërmeti rreth 300 forca sigurie nga “Xhandarmëria Evropiane“. Policët ushtarakë do të ndihmojnë në sigurimin e ndarjes së ndihmave. Në fakt duhet të bëjnë shumë më tepër se kaq. Komisari për çështjet e zhvillimit të BE-së, Karel De Gucht, ishte vetë në Haiti për të parë gjendjen në vend.
"Strukturat shtetërore haitiane jo vetëm që janë shkatërruar, pra jo vetëm që janë rrënuar fizikisht, por në praktikë nuk funksionon as administrata.“
Prandaj Bashkimi Evropian kërkon të japë ndihma të gjithanshme. Në dispozicion do të vihen edhe inxhinjerë, helikopterë, anije dhe spitale ushtarakë fushorë. Për të koordinuar punën mes njëri - tjetrit dhe me Kombet e Bashkuara, duhet të ngrihet një shtab pune në Bruksel dhe një në Haiti.
Bildt: Nga një angazhim ushtarak në një angazhim civil në Afganistan
Ministrat e jashtëm të BE-së, diskutuan edhe për konferencën e Afganistanit që pritet të mbahet ditën e enjte në Londër, ku do të marrë pjesë edhe presidenti afgan, Hamid Karsai. Në pjesën më të madhe të vendeve evropiane është duke u rritur gjithnjë e më shumë presioni, për tërheqjen e trupave nga Afganistani. Por ministri suedez i Jashtëm, Carl Bildt, paralajmëroi për të bërë kujdes.
"Unë nuk do të synoja datën e tërheqjes. Ne duhet të përqëndrohemi në kalimin nga një angazhim kryesisht ushtarak në një angazhim civil dhe politik. Por, çdo lloj diskutimi për strategjinë e tërheqjen nga Afganistani shkon në favor të talibanëve.“
Ministri i jashtëm gjerman, Guido Westerwelle përsëriti ndërkohë në Bruksel një propozim, i cili është kritikuar shumë në shtypin gjerman. „Duhet të shohim edhe si mund të riintegrojmë në shoqëri edhe ata që kanë shkuar tek talibanët për shembull për arsye ekonomike, duke marrë një rrugë të gabuar, duke u ofruar një perspektivë ekonomike, për shembull nëpërmjet një pune etj. Prandaj në Londër ne duhet të diskutojmë për krijimin e një fondi të tillë, për të nxitur riintegrimin.“
Kritikët thonë se kërkush nuk mund të garantojë se njerëz të tillë vërtet ushtrojnë dhunë për shkak të parave. Madje në rastin ekstrem, paratë do të shkonin për financimin e terrorizmit.
BE dërgon specialistë për ngritjen e ushtrisë somaleze
Një shqetësim të vazhdueshëm për BE-në përbën Somalia. BE ka dërguar një mision marine në Oqeanin Indian për të luftuar piratët. Por problemet e një shteti në shpërbërje nuk mund të zgjidhen nga deti. Prandaj Bashkimi Evropian do të dërgojë deri në pranverë 100 specialistë që do të ndihmojnë për ngritjen e ushtrisë somaleze. Meqenëse gjendja në Somali është e rrezikshme, specializimi do të bëhet në Uganda. Por edhe sepse shumica e ushtarëve të misionit somalez të Unionit Afrikan vijnë nga Uganda.
Autor: Christpoh Hasselbach/Aida Cama
Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi