1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Guterres myslimanëve: Ju nuk jeni vetëm

Aida Cama
23 Mars 2019

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres shprehu respekt dhe solidaritet me myslimanët në përkujtimin e bërë në Qendrën Kulturore Islamike të viktimave të vrara në xhami në Kristçërç të Zelandës së Re.

https://p.dw.com/p/3FYHS
USA New York Islamic Center
Fotografi: DW/A. Cama

"Ju nuk jeni vetëm,” i thotë Antonio Guterres myslimanëve të botës, "bota është me ju, Kombet e Bashkuara janë me ju, dhe unë jam me ju”. Nga xhamia e Manhatenit, ku Sekretari i Përgjithshëm i foli besimtarëve të mbledhur në lutjet e të premtes, Guterres shprehu solidaritetin me myslimanët që përkujtuan sot 50 viktimat që humbën jetën javën e kaluar në sulmin vdekjeprurës në xhaminë e Kristçërç, të Zelandës së Re.

"Kudo në botë ne shohim se është rritur urrejtja ndaj myslimanëve, antisemitizmi, gjuha e urrejtjes dhe fanatizmi,” tha ai në shkollën e Qendrës Kulturore Myslimane në rrugën 96, ku ishin mbledhur diplomatë dhe përfaqësues të mediave. Guterres paralajmëroi për rreziqet që ekzistojnë nga që media sociale është kthyer në platformë fanatizmi.

USA New York Islamic Center
Qendra kulturore islamike, Nju JorkFotografi: DW/A. Cama

Islamofobia në rritje

Solidaritati i duhet myslimanëve përditë. Feja myslimane është feja më e papëlqyer në Amerikë. 3,45 milionë myslimanë jetojnë në SHBA, gjysma e lindur në vend dhe gjysma e ardhur me migracion. Pjesa më e madhe e popullsisë myslimane janë të brezit të dytë, si pasojë e ardhjeve më të mëdha të myslimanëve në shekullin e 20-të.

Sipas një vëzhgimi të bërë nga Fondacioni New America, megjithëse përbëjnë vetëm 1,1 përqind të totalit të përgjithshëm të popullsisë, pjesa më e madhe e popullsisë amerikane mendojnë se popullsia myslimane në SHBA përbën 17 përqind të popullsisë së përgjithshme. 

USA New York Islamic Center
Fotografi: DW/A. Cama

Amerikanët janë të shqetësuar për esktremizmin në rritje tek popullsia myslimane, dhe nuk ndihen rehat kur shohin myslimane me shami, ndihen të shqetësuar nëse kanë në lagje një xhami dhe mendojnë se myslimanët duhen kontrolluar ekstra në aeroport. Po sipas këtij vëzhgimi të bërë tek popullsia jomyslimane nga Fondacioni i sipërpërmendur, dy në pesë vetë nuk njohin personalisht asnjë mysliman. Të paktën, pjesa më e madhe e pranojnë se amerikanët myslimanë diskriminohen, dhe pranimi është hapi i parë për të luftuar diskriminimin.

Generalsekretär besucht das Islamic Cultural Center in New York
Fotografi: UN

Një sukses shumë i madh në luftën kundër diskriminimit të myslimanëve në Amerikë u arrit në zgjedhjet e fundit, si rezultat i të cilave në Kongres marrin pjesë dy grave myslimane, Ilhan Omar dhe Rashida Tlaib, nga Partia Demokrate.