1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grupi muzikor Deichkind nga Hamburgu

28 Mars 2012

Deichkind fillimisht ishte një grup muzikor HipHop. Pesë vitet e fundit formacioni nga Hamburgu mori më shumë drejtimin e techno beats me shfaqje skenike, që kërkojnë publikun e vet.

https://p.dw.com/p/14T2A
Deichkind
DeichkindFotografi: Nikolaus Brade

Grupi muzikor Deichkind ekziston që prej vitit 1999. Fillimisht këto hamburgas ishin një formacion pak a shumë i zakonshëm hiphop. Por që prej mesit të dhjetëvjeçarit të kaluar tingujt e tyre u bë më të fortë dhe më elektronikë, tekstet e tyre më direkte. Në të njëjtën kohë ato krijuan shfaqje skenike, që nuk kanë shoqe në Gjermani.

Mbulesat e ndriçuara në kokë janë standart
Mbulesat e ndriçuara në kokë janë standartFotografi: Nikolaus Brade

Para sallës së koncertit qëndrojnë së paku 1000 vetë. Disa kanë veshje me ngjyra neoni, të tjerë syze dielli, shumë janë të veshur me qese për mbeturina. Sara dhe Stefan shpjegojnë përse janë veshur ashtu: "Deichkind është shëmbëlltyrë për ne dhe unë jam veshur si ata. Ngjyra e neonit është kryesorja dhe asaj ia kam përshtatur edhe veshjen time. Ne sot kemi veshur triko, që janë për t'u hedhur, sepse aty brenda është mjaft ngrohtë, sepse vijnë aq shumë njerëz. Atëherë menduam le të marrim trikot, që janë për t'u hedhur dhe kështu jemi të veshur super."

Të gjithë këtu, ka dy orë që presin dhe janë edhe dy orë të tjera deri sa të fillojë koncerti. Brenda në sallë është ende qetësi. Prapa skenës ndodhet një trampulin i madh për fëmijë, një fuqi birre e stërmadhe dhe veshje me ngjyra neoni. Këngëtari Kryptic Joe alias Philipp Grütering bën në laptop edhe disa ndryshime të tjera të këngëve. Muzikantët e tjerë rrinë gjysëm të shtrirë në kanape.

Koncerte live në vend të shitjes së disqeve

Deichkind Pressefotos von 2009 - freigegeben von Buback Tonträger
Deichkind 2009Fotografi: Nikolaus Brade

"Nuk mund ta krahasosh, në se e sheh në televizor, apo e sheh në koncert live. Ndryshimi është i madh. Ne jemi fokusuar tek live, sepse është me të vërtetë e rëndësishme për një grup muzikor në ditët e sotme."

Ka arsye shumë pragmatike për këtë vendim. Të shesësh biletat e koncertit, është mundësia me e mirë, për të financuar shfaqjet skenike ekstravagante.

"Ne kemi vërejtur se shitjet e disqeve po bien në përgjithësi. Që nuk mund të shesësh aq shumë disqe, sa të themi para 10 apo 20 vjetësh, por minimumin e tyre. Dhe këtij zhvillimi i jemi përshtatur. Kemi vënë re se njerëzit vijnë në shfaqjet tona, sepse për ta është përjetimi veçantë."

Festë me pupla nga qielli dhe vodka

Koncerti fillon në errësirë të plotë. Një film projektohet në perdet e bardha të skenës, që tregon një anije kozmike, e cila fluturon mbi det e mbajtur nga një helikopter. Atëherë kërcejnë në skenë të katër pjesëtarët e grupit Deichkind dhe fillojnë të luajnë muzikë rap. Ata mbajnë mbi koka piramida të ndriçuara, kanë veshur pantallona me ngjyrë neoni dhe natyrisht patjetër këmishat prej qesesh për plehra.  Më së voni tek kënga "Ec përpara duke u përkulur" kërcejnë të gjithë në publik.

Të rinjtë këndojnë me një zë: „Duke punuar jashtë orarit, si zakonisht pa u paguar, sepse s'ke rrugë tjetër. Ec përpara, duke u përkulur. Ankesa kurrë nuk ka sjellë kaq kënaqësi."

Lëvizjet në skenë entusiazmojnë publikun
Lëvizjet në skenë entusiazmojnë publikunFotografi: Nikolaus Brade

Në skenë kostumet ndërrohen disa herë, hapat e kërcimit bëhen më të komplikuar. Pika kulmore e mbrëmjes është pa dyshim "Sisa". Një fuqi e stërmadhe birre mbushet me vodka dhe ngjitet në skenë.  Spektatorëve, që kërcëjnë në rradhët e para, u jepet shumë për të pirë, direkt nga zorra, që ujit lulet në kopsht. Në kengën e fundit të mbrëmjes, "Remmidemmi", bien pupla nga tavani. Publiku i bërë ujë në djersë vazhdon të kërcejë. Anarki koreografike quhet kjo: „Ai numri me pupla në fund ishte fenomenal, pavarësisht nga fakti, që e gjithë salla ziente. Ishte një ëndërr. E pabesueshme."

Për Philipp Grütering komunikimi i mirë me publikun është më e rëndësishmja: „Përvoja më e çuditshme ka qenë me siguri dushi ynë i parë me birrë. Nuk e di e ke dëgjuar për të. U thamë, që secili të merrte një kanace, dhe e tundëm tri minuta. E pastaj kemi numëruar nga 10 deri në zero dhe u thamë, të gjithë të hapin tani birrat e veta e atëherë u krijua një kërpudhë gjigande reje. Unë isha me të vertetë i befasuar. Për pak i harrova tekset, që duhet të këndoja."

Autor: André Leslie/Angjelina Verbica

Redaktoi:Bahri Cani