Greqia duhet të bëjë përpjekje
24 Gusht 2012Përpara takimit me kryeministrin grek Antonis Samaras, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez François Hollande i bënë thirrje vendit në krizë, të vazhdojë kursin e kursimeve. "Unë do ta inkurajoj Greqinë të ecë përpara në rrugën e reformave, e cila kërkon shumë nga vetë grekët", tha Merkel të enjten (23.08.) në mbrëmje në Berlin, pak pas takimit në kancelari me presidentin Hollande. Vetë presidenti francez i bëri thirrje Athinës për "përpjekje të pashmangshme", në mënyrë që të mund të qendrojë në eurozonë.
Athina duhet të bëjë "përpjekje që janë të pashmangshme"
Merkel kërkoi që në eurozonë të gjitha palët të përmbushin detyrimet e tyre. Në mes të diskutimit për një shtyrje të mundshme kohore për zbatimin e programit grek të reformave, kancelarja bëri thirrje që të pritet fillimisht raporti i Troikës. Presidenti francez theksoi se është për mbetjen e Greqisë në Eurozonë, por tërhoqi vëmendjen se është detyrë e Athinës të bëjë përpjekjet e nevojshme për arritjen e këtij objektivi.
Është një sekret publik se Hollande do të ishte i gatshëm t'i përgjigjej pozitivisht kërkesës së kryeministrit grek për më shumë kohë në zbatimin e reformave. Gjermania nuk e mbështet këtë qendrim. Jo vetëm kancelarja Merkel, po edhe ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble dhe ai i Ekonomisë Philipp Rösler, e theksuan këtë qartë të enjten (23.08.). Dhënia e më shumë kohe nuk do të ishte zgjidhje dhe mund të shkaktojë madhe kosto më të larta, tha Schäuble.
Samaras garanton rikthimin e kredive
Se sa e dëshpëruar është situata e grekëve bëhet e qartë në një intervistë të kryeministrit Samaras për "Süddeutsche Zeitung". Vendi i tij do t'i paguajë patjetër kreditë e emergjencës prej 100 miliardë eurosh, "këtë e garantoj personalisht", u shpreh Samaras për gazetën. Por objektivin për një deficit buxhetor prej 3% ai shpreson që Greqia ta arrijë vetëm në vitin 2016, pra dy vjet më vonë nga sa është përcaktuar nga Trojka.