Greqia buzë humnerës ekonomike
1 Korrik 2015Detajet nuk dihen ende, por është e qartë se transferimi i parave në vendet e tjera evropiane do të kufizohet. Edhe brenda vendit firmat mund të tërheqin, ose të transferojnë, shuma të mëdha vetëm me leje paraprake. Përveç kësaj, sipas një njoftimi zyrtar, bankat mbeten të mbyllura të paktën deri me 6 korrik. Sipas njoftimeve të mediave greke, që përputhen me njëra-tjetrën, të paktën që nga e marta do të jetë e mundur të tërhiqen përsëri para nga automatet, por me një limit ditor të kufizuar deri në 60 euro. Të martën përfundon edhe afati i programit aktual i ndihmës për Greqinë, dhënia e miliardave të tjerë nuk parashikohet.
Vetëm muajin e kaluar grekët kanë tërhequr më shumë se 3, 5 miliardë euro nga llogaritë e tyre bankare. Në qershor trendi ka vazhduar pa ndërprerje. "Në fund të fundit kufizimet e kapitalit ishin të pashmangshme", tha Michael Glezakos, profesor i politikës fiskale në Universitetin e Pireut, në një intervistë me kanalin televiziv SKAI. Depozitat do të pakësohen shpejt, në qoftë se bankat qëndrojnë të hapura, paralajmëroi ekonomisti.
Sidomos pasi Banka Qendrore Evropiane (BQE) vendosi të dielën, të mos i zgjasë kreditë e saj emergjente për bankat greke përmes ndihmës për likuiditetin emergjent, ELA. 90 miliardë eurot e dhënë deri tani janë shteruar. Faktin që bankierët e bankës qendrore në Frankfurt mbështesin ende ndihmat ELA për institucionet financiare greke, profesor Glezakos e sheh si një shenjë të mirë. "Shpalljen e referendumit mbi politikën e reformave në Greqi shefi i BQE Mario Draghi mund ta kishte kuptuar edhe si fundin e programit aktual të shpëtimit dhe atëherë mbyllja e rubinetit të parave për bankat greke do të kishte qenë e justifikuar," tha ekonomisti.
Matje forcash para referendumit
Mbyllja e njoftuar më parë e bankave, nuk u shoqërua fillimisht me panik. Por gjatë ditës së dielë gjithnjë e më shumë njerëz rrethuan automatet, me shpresën se do të mund të tërhiqnin shuma të mëdha para futjes së kontrolleve të kapitalit. Edhe para pikave të karburantit të hënën në mbrëmje u formuan radhë të gjata me njerëz. Për të parandaluar mosmarrëveshjet apo vjedhjet, policia greke i ka përforcuar kontrollet, shumë policë janë kthyer nga pushimet.
Në të njëjtën kohë politikanët e partisë së majtë në pushtet Syriza akuzojnë aktorët kryesorë të BE-së dhe mediat brenda dhe jashtë vendit, se kanë nisur një fushatë paniku, me qëllim që të destabilizojnë popullsinë greke. "Kush i ka tërhequr të gjithë këta njerëz në pikat e karburantit", pyet deputeti i Syrizës, Jorgos Varemenos, në një intervistë televizive dhe jep menjëherë vetë përgjigjen: "Këtu bëhet fjalë për operacion frike dhe shoku, për ta detyruar popullin grek të bjerë në gjunjë." Një komplot ky kundër qeverisë së majtë e të djathtë në Athinë? Për politikanin konservator të opozitës dhe ish-ministrin e Ekonomisë, Kostis Haxhidakis, situata është ndryshe: "Ne kemi një qeveri, që planifikon shkurtime deri në 8 miliardë euro, ndërsa në fushatë flitej për bamirësi në shuma miliardëshe", tha Haxhidakis në kanalin televiziv, SKAI.
Konvertimi i valutës nuk shtrohet për diskutim
Ndërkohë në vend diskutohet gjithnjë e më shumë për çështjen, nëse me 5 korrik do të votohet për propozimet e fundit për reformën e huadhënësve ndërkombëtarë, apo për daljen e Greqisë nga euro. Simpatizuesit e Syrizës demonstrojnë të dielën para parlamentit, si dhe para përfaqësisë së BE-së në Greqi. Të hënën do të ketë përsëri një protestë "kundër ultimatumit të huadhënësve" në qendër të Athinës, të martën mbështetësit e BE-së do të takohen në një kundërdemonstratë.
Edhe tek Syriza askush nuk dëshiron të flasë për një kthim te dhrahmia. "Përveç zotit Schäuble, aktualisht nuk shoh askënd, që të na ofrojë daljen nga euro", tha Nikos Filis, zëdhënës i grupit parlamentar të partisë së majtë në pushtet në një intervistë televizive. Gazetari Jannis Pretenderis është më kritik në vlerësimin e situatës: "Askush nuk mendon seriozisht që të dielën do të votojmë, nëse taksa e shitjes do të jetë 13 për qind ose më shumë", tha analisti në një intervistë me kanalin televiziv Mega. "Në parim ne do të vendosim me një referendum, se me të cilin monedhë duhet të rihapen bankat tona."