Greqia afër kompromisit për emrin e Maqedonisë së Veriut
24 Janar 2019Ai u përball me shumë kritika, sharje dhe ofendime nga e djathta politike në koalicion, si edhe nga populistët e partisë ANEL. Por kryeministri grek Alexis Tsipras duket se ka siguruar shumicën e duhur për të votuar Marrëveshjen me Shkupin për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, në Maqedoni e Veriut. Marrëveshja është arritur dhe nënshkruar vitin e kaluar.
Parlamenti në Shkup e ka miratur këtë marrëveshje. Dokumentin të martën e ka votuar edhe Komisioni për Mbrojtje në Parlamentin grek. Ndërsa të enjten ajo duhet të votohet nga Parlamenti, në qoftë se opozita nuk ia del që me kërkesën për mocion mosbesimi të rrëzojë qeverinë greke.
Tsiprasi nuk e ka vet shumicën e duhur në Parlament, pas daljes nga qeveria të partisë së djathtë populiste ANEL, për shkak të afrimit të Athinës me shtetin verior fqinj. Por ai është i bindur se kompromisi i arritur është zgjidhja më e mirë dhe se ai do të fitojë shumicën në Parlament. Partia e social-liberale To Potami ka sinjalizuar gatishmëri për votimin e kompromisit. Një figurë kyçe në këtë mes është deputeti Spiros Danellis, i cili në kërkesën e fundit për mosbesim votoi papritur në favor të kryeministrit Tsipras dhe për këtë shkak u largua nga partia social-liberale. Ai thotë se do ta votojë edhe Marrëveshjen me Shkupin. „Prej vitesh unë jam për afrimin me vendin fqinj në veri dhe do ta votoj këtë marrëveshje. Kjo marrëveshje është në harmoni me botëkuptimet e mia dhe me të kaluarën time politike", tha Danellis në një deklaratë për DW. Ai mendon se Parlamenti do të ketë shumicën e duhur për këtë marrëveshje dhe se këtë kompromis do ta votojnë disa deputetë të populistëve të djathtë dhe partisë së tij To Potami.
Kërcënimet e politikanëve
Danellis është kërcënuar disa herë nga të vetëquajturit patriotë dhe është quajtur si "tradhtar". Familja e tij nga Kreta është kërcënuar po ashtu. Megjithatë 63-vjeçari beson se po bën gjën e duhur. Ai thotë se partia e tij duhet të marrë më shumë përgjegjësi për vendin dhe nuk duhet të futet në konfrontime. Kyriakos Mitsotakis, shef i partisë më të madhe konservatore Nea Dimokratia (ND), kaherë ka kundërshtuar hapur marrëveshjen. „Greqia me këtë marrëveshje e njeh për herë të parë të ashtuquajturën gjuhë maqedonase dhe identitetin e këtij populli, për shkaqe, të cilat i di vetëm zoti Tsipras". Edhe PASOK-u i dikurshëm spocialist, me emrin e tanishëm KINAL, ka hedhur poshtë këtë kompromis.
Mediat e majta mendojnë se çështja e Maqedonisë ka shkaktuar një renditje të re në gjeografinë politike në Greqisë. Alexis Tsipras dhe partia e tij SYRIZA janë pozicionuar me partnerët në të majtën e mesme politike, ndërsa konservatorët dhe populistët në të djathtë.
Demonstrata të reja
Kundërshtarët e kompromisit kanë paralajmëruar edhe demonstrata të reja kundër marrëveshjes me Shkupin. Partitë e djathta dhe kisha ortodokse nuk janë zyrtarisht ndër organizatorët e protestave. Ato organizohen nga "Shoqatat kulturore makedonase" nga mbarë bota. Të dielën e kaluar protestuar më shumë se 60.000 persona kundër kompromisit.