1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqi: Policia nuk i do lulet

9 Dhjetor 2020

Qeveria konservatore e djathtë në Greqi nuk është shumë e suksesshme në luftën kundër pandemisë së koronavirusitt, ndaj ajo po ndjek politikën e "Law-and-Order".

https://p.dw.com/p/3mSCh
Schülerdemonstrationen in Griechenland
Fotografi: picture-alliance/dpa/P. Giannakouris

Ndonjëherë mjafton një fotografi, një fiksim i çastit për të humbur besimin tek policia. Një polic mban një tufë lulesh në dorë, të cilën një grua donte ta vendoste në një vend përkujtimor. Ai duket sikur po mendohet se ç'të bëjë me këto lule. Pastaj ai i hedh me përçmim lulet përdhe në rrugë duke i bërë copë ato. Kjo skenë për pak sekonda shihet në një video të marrë me celular.

Athinë më 6 dhjetor. Nuk është më fjala për ndonjë vend përkujtimor e për ndonjë ditë dosido. Eshtë fjala për memorialin për 15 vjeçarin Alexis Grigoropoulos në qendër të Athinës më 6 dhjetor. Në këtë ditë të vitit 2008 djali i ri kthehet nga një festë dhe involvohet në sherr verbal me dy policë. Njëri nga policët e qëllon me armë të pafajshmin Grigoropoulos. Thjesht e qëllon.

Kjo vrasje asokohe jo vetëm ndezi revoltën e madhe të rinisë, që edhe sot e kësaj dite e ka kthyer 6 dhjetorin në një ditë përkujtimore kundër arbitraritetit të policisë. Një ditë në të cilën shumë grekë vizitojnë vendin e krimit dhe vendosin lule.

Edhe tani në ditën e këtij përvjetori gjesti i policit, i cili ia rrëmben gruas tufën me lule nga dora duke e hedhur atë përdhe. Ky gjest është thjesht mungesë respekti. Atë mund ta konsiderosh si shmangie të kujtimit ndaj një të vdekuri. Diçka e pafalshme kjo në vendin e Sofokliut, në vendin , ku çdo nxënës dhe nxënëse mëson ta lexojë dhe ta vlerësojë tragjedinë e tij „Antigona". Ajo Antigonë, që është e gatshme të vdesë për të mbrojtur respektin, nderimin dhe dinjitetin ndaj të vdekurve.

Griechenland Alexandros Grigoropoulos
15 vjeçari Alexandros Grigoropoulos Fotografi: picture-alliance/dpa/Handout Family

Ditë përkujtimore e ndaluar

Videoja që tregon policin duke hedhur lulet përdhe të dielën (6.12) është klikuar qindra mijëra herë në Greqi dhe bëri që ministri për Mbrojtjen Civile, Michalis Chrysochoidis, brenda pak orësh të mbledhë një komision hetimor. Ndonëse ministri gjithçka tjetër se si veproi policia në këtë „ditë të ndaluar përkujtimore" e konsideroi në rregull, në sfondin e kufizimeve për shkak të koronavirusit: "Nga 5000 nëpunësit në shërbim 4999 e kanë kryer si duhet punën e tyre", tha ministri duke i injoruar akuzat për arbitraritetin e policisë. Qysh prej mbylljes së dytë në Greqi janë ndaluar demonstratat – për arsye shëndetësore, sikurse thuhet.  Për ditën përkujtimore ndaj Alexis Grigoropoulos pati kufizime të mëtejshme: Shefi i policisë greke Michail Karamalakis vendosi, që ta ndalojë grumbullimin e më shumë se tre vetëve. Në parlament nuk u diskutua për këtë, sepse qeveria për shkak të pandemisë punon në modusin e gjendjes së jashtëzakonshme. E madje ajo preferon të veprojë kështu.

Arbitraritet policor ndaj migrantëve, homoseksualëve dhe së majtës

Demonstrimi i forcës prej policisë ka të bëjë pak me shëndetin e popullit. Më shumë u duk sikur qëllimi ishte që të arrestohej kushdo që donte të përkujtonte dhe të vendose një lule për Alexis Grigoropoulos e vrarë. Madje u arrestuan edhe ata, që kishin ardhur vetëm ose në grup tresh, ndonëse kjo ishte  e lejuar.

Kështu i ndodhi edhe Maria Oshanas, drejtore ekzekutive e fondacionit „Rosa Luxemburg" në Athinë, që bashkë me një shok donte të vendoste një lule në vendin përkujtimor. Atë e penguan dhe e eskortuan me makinën e policisë në rajon. Ndonëse ajo vazhdimisht pyeste nëse ka bërë ndonjë veprim ilegal, nuk iu dha asnjë shpjegim. Meqënëse ajo nuk kishte kryer ndonjë veprim ilegal, e liruan menjëherë. Ndërkohë lulet e saj u vyshkën në makinën e policisë.

Shumë e akuzojnë policinë, ose më saktë një pjesë të policisë, që ajo duket se e shijon rregullisht të ushtruarit e dhunës. Ajo vepron pa u ndëshkuar duke rrahur migrantët, homoseksualët apo të majtët. Por që ajo nuk i prek as me doreza mëndafshi radikalët e djathtë dhe neonazistët.

Avokatë të arrestuar

Akuza të tilla nuk janë pa gjë. Një shembull aktual: Ndërsa ende vazhdojnë pa sukses hetimet ndaj numrit dy të partisë së ndaluar ekstremiste të djathtë „Agimi i Artë", policia ditën përkujtimore arrestoi dy avokatë mbrojtës të viktimave të kësaj partie, e cila tashmë jo vetëm është ndaluar, por edhe është klasifikuar si organizatë kriminale. Arrestimi i avokatëve u bë pasi ata deshën të mbështesin juridikisht të arrestuarit e tjerë. Arrestimet policia i argumentoi me faktin, se personat nuk kishin respektuar masat mbrojtëse për pengimin e përhapjes së infeksioneve nga koronavirusi. Por imazhet e fotoreporterëve flasin për një tjetër gjë: Të arrestuarit mbanin të gjithë maska dhe u afruan me njeri-tjetrin vetëm kur policët i detyruan ata. Në fund të ditës bilanci ishte: 374 persona u arrestuan, 135 në arrest hetimor.

Greek PM Mitsotakis meets with Politburo member of the Communist Party of China and director of the Central Foreign Affairs Commission Office Yang Jiechi
Kryeministri grek Kyriakos MitsotakisFotografi: REUTERS

Law and Order

Të dielën shteti grek çoi dëm shumë para për orët shtesë të mobilizimit të policisë me qindra mijëra e madje duke vënë në përdorim edhe helikopterët, që qarkulluan duke zhurmuar gjatë gjithë ditës mbi qiellin e Athinës. Në të njëjtën kohë orët shtesë të punonjësve të mjekësisë në spitalet e mbingarkuara kanë mbetur të papaguara.

Për qeverinë konservatore të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis duket se këto shpenzime ia vlejnë, të paktën përkohësisht. Ajo nuk është fort e suksesshme në menazhimin e krizës së koronavirusit, ndaj përpiqet të tregohet si radikale e vendosur në aspektin e sigurisë së brendshme. Një pjesë e madhe e zgjedhësve të saj e preferojnë politikën e "Law-and-Order". Kësaj i shtohet edhe fakti, që dymbëdhjetë vjet pas revoltës së rinisë dhe dhjetë vjet pas fillimit të krizës së borxheve shumica e qytetarëve janë lodhur prej demonstratave. Tani ata nuk shqetësohen nga arbitrariteti i policisë kundrejt njerëzve që duan të vendosin lule. Shumë njerëz kanë të tjera halle. Ata kanë frikë për shëndetin e tyre dhe për mbijetesën financiare pas mbylljes.

Por e keqja është se gjatë angazhimit të policisë të dielën, janë infektuar shumë policë me koronavirus. Madje shumica e tyre, sepse pikërisht ata që duhej të kujdeseshin për ruajtjen e masave mbrojtëse, nuk i respektuan vetë këto masa.

 

Kaki Bali me flokë deri te supet, me ballukë, shikon me çiltërsi në kamera.
Kaki Bali Korrespondente në Athinë