Greqi: Në burg se kanë ndihmuar refugjatët
7 Dhjetor 2016"Ligjet tona parashikojnë dënime të ashpra. Sidomos kur përmes trafikimit të qënieve njerëzore synohen të nxirren përfitime ekonomike. Por natyrisht dënohen edhe rastet, kur transporti i ilegalëve bëhet për arsye të tjera." - tha ministri grek i Drejtësisë Nikos Paraskevopoulos.
Për këtë arsye dhe për shkak të ashpërsimit në vitin 2014 të ligjit grek kundër "kontrabandistëve" tre anëtarë të organizatës humanitare spanjolle "Proemaid" mund të dënohen deri me dhjetë vjet heqje lirie. Ata u liruan me kusht, pas tre ditësh paraburgim, dhe tani janë duke pritur gjykimin në Sevijë.
Në vitin 2014 pensionist gjerman Bernd Keller u dënua me 16 vjet heqje lirie, sepse ai dhe e shoqja kishin marrë në bordin e anijes së tyre një familje siriane që donte të vinte nga Turqia në Greqi.
Qëndrim i pakuptueshëm
"Pasi arritëm në Lesbos, ne u lajmëruam tek autoritetet lokale. Ne jemi zjarrfikës spanjolle, këto janë të dhënat tona, kjo është adresa jonë, ne kemi një varkë me vete. Nëse keni nevojë për ne, na keni në dispozicion si organizatë jo-qeveritare që mund të ndihmojë" - thotë Manuel Blanco një nga zjarrëfikësit dhe ndihmësit e organizatës "Proemaid".
A shton se "Në fakt, ne kishim marrë dy ditë para arrestimit një urdhër nga roja bregdetare greke. Ata na morën në telefon dhe na tha të kujdesemi për një anije që nuk e kishte ndryshuar pozicionin e saj në det prej disa orësh."
Por pas kësaj ndodhi surpriza. Tre zjarrfikësit i arrestuan dhe i akuzuan për trafikim dhe armëmbatje pa leje. Aktakuza bazohet në një direktivë të BE-së të vitit 2002, sipas së cilës personat që ndihmojë persona ilegalë që të hyjnë në një vend të BE-së duhet të nxirren para drejtësisë.
Dënim absurd
Paula Schmid Porras është avokate spanjolle, e cila ka marrë përsipër mbrojtjen së bashku me një koleg në Greqi. "Qëllimi i kësaj direktive është në fakt të luftojë kontrabandistët, mafian dhe organizatat kriminale që fitojnë shumë të holla, dhe kanë nxjerrë gjatë kësaj krize fitime të mëdha. Kjo direktivë është e mirë, sepse padyshim ajo çfarë po ndodh është shumë dramatike. Problemi është se nuk mund t'i fusësh në një thes, të gjithë ata që kanë të bëjnë me emigrantët."
Por pikërisht këtë duket se po bën drejtësia greke. Qeveria e Athinës duket se e lejon një gjë të tillë dhe ka ashpërsuar madje edhe ligjet vendase. Paula Schmid Porras e konsideron në këtë rast masën e dënimit absurde dhe tepër të lartë. Ajo i referohet një direktive tjetër të BE-së, sipas së cilës operacionet humanitare mund të përjashtohen nga ndjekja penale për transport ilegal personash pa leje qëndrimi dhe trafikim. Por kjo është vetëm një dispozitë opsionale.