1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqi: Kur komuniteti e prodhon vetë energjinë

27 Shkurt 2024

Në Greqi, vendi me çmimet më të larta të energjisë në Europë, qytetarët po shfrytëzojnë mundësitë e reja të prodhimit të energjisë me forcat e veta. Ja përvoja e tyre.

https://p.dw.com/p/4coyp
Një fëmijë me një xhaketë blu me pika të bardha luan midis rreshtave të paneleve diellore, male në sfond, dita është me re.
Parku diellor Hyperion pranë AthinësFotografi: Hyperion

Hyperion, komuniteti i parë demokratik për prodhimin e energjisë së rigjenerueshme në Greqi, i ngjan shumë një kooperative progresive energjie gjermane. Dhe ideja që qëndron pas krijimit të tij, është e njëjta si ato të Gjermanisë, pikërisht krijimin e kolektivave demokratikë që prodhojnë energji të rigjenerueshme për anëtarët e kooperativës por edhe për të tjerët në një komunitet më të madh.

Duke pasur 50 përqind më shumë rrezatim diellor për metër katror se Gjermania, Greqia ka mundësitë më të mëdha për prodhimin e energjisë së rigjenerueshme në Europë. Në fakt vendi është vlerësuar si një nga vendet më interesante të botës për mundësi investimesh në energjitë e renovueshme.

Dhjetë vitet e fundit, pjesa e energjisë së rigjenerueshme në totalin e përgjithshëm të konsumit të energjisë gati është dyfishuar, duke u rritur nga 11 në 20 përqind, kryesisht si rezultat i prodhimit të energjisë nga burimet diellore dhe ato të erës. Në të njëjtën kohë, Greqia është duke hequr dorë nga përdorimi i qymyrit dhe që nga viti 2005 ka ulur 43 përqind emisionet e dioksidit të karbonit.

Por Hyperioni dhe lëvizja për krijimin e kooperativave të energjisë në të gjithë Greqinë nuk kanë të bëjnë vetëm me prodhimin e energjisë me metoda ekologjike. "Ne ofrojmë zgjidhjen më të mirë të mundshme për krizën e klimës,” thotë Takis Grigoriou, një nga bashkëthemeluesit e Hyperionit. "Ne i kemi marrë gjërat vetë në dorë për të prodhuar energjinë që nevojitet, për të demokratizuar sektorin e energjisë dhe për të përshpejtuar tranzicionin në mënyrë sociale dhe që ofron pjesëmarrje për të gjithë.”

Takis Grigoriou nga Hyperion, me syze, duar në xhepa, veshur me këmishë me kuadrate të kuqe e blu
Takis Grigoriou, bashkëthemelues i HyperionFotografi: Alexia Kalaitzi

Kyçi është drejtësia sociale

Hyperion ka premtuar t'i dhurojë një pjesë të caktuar të fitimeve ekonomive shtëpiake me të ardhura të pakta në Greqi, një qendre kulturore që promovon kulturën afrikane dhe një mence sociale që ushqen të varfërit që jetojnë afër kryeqytetit.

Komunitetet energjetike, thotë Chris Vrettor, një bashkëthemelues tjetër i kooperativës, janë "zgjidhje për ndërthurjen e dy krizave të mëdha me të cilat jemi duke u përballur: shkatërrimin ekologjik dhe mbrapaktheun demokratik.” Secili nga 130 anëtarët e Hyperionit ka një votë në të gjitha proceset e marrjes së vendimeve të kooperativës.

Zbritje të faturave të energjisë

Grigoriou, Vrettos dhe anëtarët e tjerë të kooperativës, që vijnë nga profesione të ndryshme, njerëz që kanë biznese të vogla dhe ambientalistë nga Athina, luftuan me mish e me shpirt për tre vjet rresht për të arritur krijimin dhe mbajtjen e Hyperionit.

Ferma diellore e madhësisë së mesme, e krijuar nga projekti ndodhet afër Stymfalisë, 80 kilometra (50 milje) në juglindje të Athinës, afër Gjirit të Korinthit, në një sipërfaqe toke marrë me qira nga fermerët lokalë. Me investimin e kolektivit prej 330 mijë eurosh (350 mijë dollarë) u blenë 925 panela diellorë të prodhuar në Kinë.

Një burrë i buzëqeshur në një këmishë me motive të kuqe, mbështetur në një panel diellor, me një fermë të madhe solare dhe male në sfond në një ditë të vrenjtur
Chris Vrettos, bashkëthemelues i HyperionFotografi: privat

Energjia në Greqi është shumë e shtrenjtë, në vitin 2022 Greqia pati çmimet më të larta të prodhimit të energjisë në BE. Hyperon vlerëson se mund të marrë mbrapsht investimin për tre ose katër vjet.

Energjia elektrike e prodhuar nga ferma Hyperion hidhet në rrjetin publik dhe matet me kilovat për orë. Anëtarët e kolektivit e marrin këtë volum energjie si kredi në faturat e tyre të harrxhimit të energjisë, secili sipas investimit që ka bërë, parashikuar për 25 vitet e ardhshme, sa ç'është afati i skadimit të panelave.

Ndryshim në ligjin grek për komunitetet energjetike

Në Greqi ligjet për komunitetet energjetike janë në fuqi që prej vitit 2018 dhe kanë pasur një aktualizim në vitin 2023. Amendamentet që janë përpiluar në përputhje me direktivat e BE-së, e kanë forcuar ndërgjegjësimin e komuniteteve energjetike, duke e bërë më të lehtë për kooperativat të prodhojnë energji të rinovueshme dhe të përfitojnë prej saj. Për më tepër, ligji i ri krijon mundësi për përfshirje më të gjerë në prodhimin e energjisë ekologjike me forcat e veta.

Ligji fillestar i jep mundësi bizneseve të regjistrohen si komunitetete energjetike dhe të funksionojnë si prodhues të vegjël energjie. Më shumë se një mijë kompani private e kanë bërë këtë që prej vitit 2018.

Fokusim në efikasitetin e energjisë

Anëtarët e Hyperionit dëshirojnë të theksojnë se janë komunitet energjetik, jo biznes me synim përfitimi. Ata kanë një grup chat-i online, organizojnë takime dhe aktivitete ku flasin për energjinë dhe mjedisin.

Prodhimi i lirë dhe ekologjik i energjisë është pjesë e një beteje të madhe, thonë krijuesit e Hyperionit. Gati gjysma e infrastrukturës së ndërtesave në Greqi vlerësohen ta kenë shumë të ulët eficiencën e energjisë. Kjo do të thotë se ndërtesat kanë nevojë për më shumë energji që të ngrohin sipërfaqet e ftohta.

Një grup njerëzish pozon për një fotografi përpara një vargu panelash diellore me male në sfond në një ditë me re; fytyrat e disa fëmijëve janë mbuluar me smiley të verdhë për të ruajtur privatësinë.
Komuniteti i parë energjitik, HyperionFotografi: Nikoleta Zarifi/Hyperion-Greenpeace

Kolektivi kërkon të ofrojë shërbime për rritjen e eficiencës energjetike të anëtarëve të tij dhe eventualisht edhe ekonomive shtëpiake me të ardhura të ulta. "Realisht, e para duhet të jetë eficienca energjetike dhe pastaj energjia e rinovueshme,” thotë Aliki Korovessi, një ekspert në konservimin e energjisë të Hyperionit, "sepse ju nuk keni nevojë të prodhoni energji që nuk e përdorni.”

Varfëri energjetike dhe hapësirë në rrjet

Greqia ka nivel të lartë të varfërisë energjetike. Një në pesë ekonomi shtëpiake nuk është e aftë të ngrohet mjaftueshëm. Si pasojë e sulmit rus ndaj Ukrainës në shkurt 2022, çmimet e energjisë elektrike janë rritur shumë, gjë që rriti interesimin e qytetarëve për të prodhuar energjinë vetë.

Në më pak se një vit, nga nëntori 2022 deri gusht në 2023, të dyja si energjia e prodhuar nga komunitetet energjetike edhe numri i aplikuesve për të prodhuar vetë energjinë u trefishuan.

Kufizimet e shkaktuara nga rrjeti i energjisë elektrike janë një nga problemet kryesore që hasin komunitetet energjetike në Greqi. Sipas institutit Green Tank, pjesa më e madhe e aplikuesve nuk mund të lidhen me rrjetin. Ligjet e reja thonë se më shumë hapësirë në rrjet duhet të rezervohet për zbatimin e projekteve net-metering dhe virtual net- metering (mekanizëm që lejon prodhuesit e energjisë ta përdorin energjinë çdo kohë, jo vetëm kur prodhohet)

Sfida në zbatim

Megjithë optimizmin e Hyperionit për perspektivat që ka, disa anëtarë shqetësohen për llogaritë e bëra. Deri tani, asnjë komunitet energjetik në Greqi nuk e ka nxjerrë investimin që ka bërë.

Sistemi virtual i vendit net-metering do të thotë që operatori i rrjetit të masë energjinë që një ekonomi shtëpiake ose një biznes harxhon dhe energjinë që komuniteti prodhon me teknologjinë e vet të renovueshme. Komunitetit pastaj i paguhet diferenca, të paktën teorikisht.

"Por kjo nuk ndodh," thotë Vrettos. "Ne nuk e dimë ku ngec procesi. Marrësit e energjisë ankohen se shpërndarësi i energjisë (DSO) nuk dërgon të dhënat e duhura, kurse DSO thotë se i dërgon të dhënat, por furnizuesi nuk bën matjet e duhura.” Kjo është një pengesë që Hyperon duhet ta kapërcejë vetë, dhe komunitetet e tjera energjetike do ecin në gjurmët e tij.

Redaktoi: Paul Hockenos, Rüdiger Rossig dhe Aingeal Flanagan

Shkronjat Journalismfund Europe me të zezë në një katërkëndsh të  bardhë. Në të majtë  forma abstrakte e një syri jeshil.
Logo e Journalismfund Europe

Ky artikull është pjesë e një serie që kanë të bëjnë me komunitetet energjetike në Bashkimin Europian, shkruar me ndihmën e Fondacionit Journalismfund Europe.

Ky artikull është botuar për  here të pare në anglisht.

Portret i një gruaje me fokë të errëta të drejta deri te qafa, me golf të zi e duar të lidhura kryq
Alexia Kalaitzi raporton nga Greqia me fokus mbi tema sociale dhe politike.