Grenelli në Beograd - SHBA i mban premtimet
23 Shtator 2020Richard Grenell tha në Beograd se qëllimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë shumë serioze dhe Uashingtoni do t'i mbajë premtimet e dhëna për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, e kjodo të rezultojë me hapjen e shumë vendeve të reja të punës.
"Duam t'i realizojmë premtimet që i kemi dhënë autoriteteve serbe, sepse ne nuk duam të japim vetëm premtime dhe të merremi me fjalë, por duam zhvillim ekonomik dhe përfitime të popullit nga ky zhvillim", deklaroi Grenell para gazetarëve në Beograd.
Pas takimit (22.09) me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Brnabiq ai tha se "simbolikat janë të rëndësishme, por simbolikat nuk sjellin bukë". "Shumë premtime i janë dhënë popullit serb, por shpresoj se ne do t'i realizojmë - jo vetëm Marrëveshjen e 4 shtatorit por edhe edhe ato tri marrëveshjet e nënshkruara më parë (për autostradat, hekurudhat dhe trafikun ajror)", theksoi Grenell, i cili shkoi në Beograd së bashku me një delegacion ekonomik, pas vizitës në Kosovë.
Vuçiqi është negociator i mirë dhe i sinqertë
Brnabiq dhe shefi i Korporatës për Zhvillimin Ndërkombëtar (DFC) Adam Boler, nënshkruan në Beograd një deklaratë të përbashkët dhe simbolikisht hapën në Beograd zyrën e DFC. Grenell tha, se presidenti i SHBA Donald Trump e ka seriozisht kur thotë se "është i vendosur të vizitojë Beogradin".
"Ai ka shprehur dëshirën që të vijë, por ende nuk është caktuar ndonjë datë. Vuçiqi i ka ofruar presidentit Trump një vizion të madh, se çfarë mund të presë nga vizita në Beograd", theksoi Grenell. Trumpi beson se i gjithë rajoni mund të përfitojë nga zhvillimi ekonomik. Grenell u shpreh se "Vuçiqi nuk është vetëm një negociator i mirë, por edhe i sinqertë, kur thotë se çfarë mund të bëjë e çfarë jo".
"E di që edhe në të ardhmen do të ketë dallime dhe ne nuk kërkojmë që Serbia gjithmonë të jetë dakord me SHBA. Por gjithmonë kam kërkuar që të jemi të përkushtuar për dialog dhe për të ardhmen", theksoi diplomati amerikan. Grenell tha se i gëzohet bashkëpunimit të ardhshëm. Ai falënderoi Vuçiqin që ka pranuar të ngrihet një kalim kufitar edhe në Merdarë.
Boler është i mendimit se Serbia dhe Kosova janë përcaktuar jo për përçarje dhe të kaluarën, por për të ardhmen dhe hapjen e vendeve të reja të punës. "Tani kemi një dinamikë të re, do të kemi raporte të reja dhe të fuqishme mes Serbisë dhe SHBA", tha Boler. Ndërsa drejtori i zyrës së DFC në Beograd, Jon Jovanoviq tha se ata duan që "të rinjtë të mos ikin nga Ballkani Perëndimor por të ketë zhvillim ekonomik dhe të forcohen raportet dhe miqësia mes vendeve në rajon dhe SHBA". Jovanoviq tha se SHBA ka vendosur ta hapë këtë zyrë në një afat rekord, që dëshmon përkushtimin e Uashingtonit ndaj këtij rajoni. Hapja e kësaj zyre është parashikuar në Marrëveshjen e Uashingtonit.
Vuçiq: Ditë e rëndësishme për Serbinë
Pas nënshkrimit të marrëveshjes për hapjen e kësaj zyre në Beograd, presidenti i Serbisë Vuçiq tha se "kjo është një ditë e rëndësishme për Serbinë". "Atje ku amerikanët duan të investojnë, atje ka dhe të ardhme. Janë këto sinjale të mira dhe simbole të shkëlqyeshme", deklaroi Vuçiq. Presideti i Serbisë u shpreh se prej vitit 1881, kur është nënshkruar marrëveshja për raporte tregtare, Serbia nuk ka pasur ndonjë marrëveshje më të rëndësishme me SHBA-në. "Mendoj se pas Marrëveshjes në Uashington kemi hapur dyert e një miqësi të vjetër me SHBA. Bisedimet nuk kanë qenë të lehta, por Serbia do t'i plotësojë detyrimet e veta nga kjo Marrëveshje", tha Vuçiq. "Ne duam të kemi katër liri të mëdha - lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit". Kjo është një punë e mirë për shqiptarët dhe serbët, por edhe për të gjithë të tjerët në rajon. Është mesazhi më i mirë për atë që po ndodh sot në Beograd, u shpreh ai. Vuçiqi bëri të ditur se gjatë bisedimeve Grenelli ka inicuar edhe temën e bashkëpunimit mes Serbisë dhe SHBA për rinovimin e godinës së Ministrisë së Mbrojtjes, të bombarduar nga NATO në vitin 1999.
Daçiq: Dilemë e madhe
Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq u shpreh se Serbia gjendet para një dileme të madhe - a është më mirë të kërkojë zgjidhjen e çështjes së Kosovës me ndërmjetësimin e BE apo SHBA? "Më duket se më e lehtë është të kërkojmë zgjidhje me adminsitratën amerikane, kur dihet se Gjermania dhe vendet tjera të BE mendojnë se gjërat duhet të mbeten kështu siç janë dhe se zgjidhja e vetme është që Serbia të pranojë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Mendoj se administrata e SHBA ka një qëndrim më fleksibël, që niset nga interesat e të dy popujve", theksoi Daçiq. Ai mendon se si model për zgjidhjen çështje së Kosovës mund të shërbejnë Marrëveshja e Dejtonit dhe Marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar me 4 shtator, për normalizimin e raporteve ekonomike. "Presion duhet të bëhet ndaj palës që nuk do të pranojë zgjidhje korrekte. BE nuk e ka këtë mekanizëm, i mungon grushti i hekurt. BE ka ofruar kaherë atë që ofron tani Amerika, por BE nuk është në gjendje të detyrojë Prishtinën të realizojë atë që ka nënshkruar në vitin 2013", tha Daçiq.
Ndërsa mediat serbe në kryetituj nënvizojnë se "Trumpi ka vendosur të dërgojë investime në vlerë prej miliardash në Serbi" se "SHBA duan të mbajnë premtimet" dhe se "janë hapur dyert e miqësisë serbo-amerikane".