1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greminger: Partneritet më efikas OSBE - vende të Mesdheut

26 Tetor 2019

Në Tiranë përfundoi konferenca vjetore e OSBE-së për Mesdheun. Shqipëria merr Presidencën e OSBE-së për vitin 2020.

https://p.dw.com/p/3RyxF
Albanien | OSCE and Mediterranean-Konferenz in Tirana | OSZE Generalsekretär Thomas Grenminger
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Thomas Grenminger dhe ministri i Jashtëm në detyrë, Gent CakajFotografi: DW/A. Ruci

Rritja e sigurisë së përbashkët përballë kërcënimeve të terrorizmit përmes një partneriteti më efikas mes OSBE-së dhe 6 vendeve partnere të Mesdheut, Algjeri, Egjipt, Jordani, Marok dhe Tunizi ishte kryefjala e konferencës vjetore dyditore," OSBE dhe vendet e Mesdheut", që përfundoi të Tiranë të premten, (25.10.2019). Shqipëria, si vendi që merr vitin e ardhshëm presidencën një vjeҫare të OSBE-së mikpriti konferencën, që këtë vit përkoi me 25-vjetorin e partneritetit mes OSBE-së dhe 6 vendeve të sipër përmendura. Një platformë e qëndrueshme bashkëpunimi mes tyre, e njohur si „Grupi i Kontaktit me Partnerët Mesdhetarë për Bashkëpunim" që funksionon që nga viti 1994, fokuson bashkëpunimin në „shkëmbimin e informacionit për ҫështje me interes të ndërsjelltë dhe gjenerimin e ideve" përmes konferencave vjetore.

Thomas Greminger Generalsekretär OSZE
Fotografi: picture-alliance/dpa/V. Belousov

Greminger: Partneritet më efikas OSBE & vende të Mesdheut

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, i pranishëm në konferencën vjetore të OSBE për Mesdheun paraqiti rëndësinë e një partneriteti më efikas mes OSBE dhe 6 vendeve të Mesdheut për rritjen e sigurisë në hapësirën e vendeve anëtare të OSBE dhe Mesdheut. „Qëllimi i konferencës në Tiranë është forcimi i bashkëpunimit me vendet e Mesdheut për të adresuar më me afektivitet sfidat e kohës" tha ai të premten, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Ministrin në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Në përgjigje të pyetjes së DW në Tiranë lidhur me prioritetet e Presidencës shqiptare të OSBE, 2020, Greminger paraqiti një spektër të gjerë duke vendosur në krye përballjen me terrorizmin. „Përballja me terrorizmin, migracionin, kërcënimet ndaj sigurisë kibernetike, lufta kundër trafiqeve të ҫdo lloji si edhe forcimi i partneritetit mes OSBE dhe 6 vendeve të Mesdheut, me një rol kyҫ në këtë përballje", tha Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Thomas Grenmimger.

Mbështetur në ҫështjet që u diskutuan në konferencë, Presidenca Shqiptare e OSBE për vitin 2020, synon të rrisë përpjekjet e përbashkëta për të luftuar ”terrorizmin, ekstremizmin e dhunshëm që nuk njeh kufij”. Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj solli në vëmendje përqasjen ndaj sigurisë në Aktin Final të Helsinkit. „Siguria e Europës dhe e Mesdheut janë të pandashme. Zhvillimet në njërën prej tyre manifestohen tek tjetra" tha ai në konferencën e përbashkët për shtyp.

Deutschland PK Heiko Maas und  Gent Cakaj in Berlin
Fotografi: picture-alliance/AA/A. Hosbas

Në funksion të një partneriteti më efikas mes OSBE dhe 6 vendeve të Mesdheut janë ideuar edhe ndryshime strukturore. Cakaj tha se është propozuar që emërtimi i platformës së bashkëpunimit mes tyre të ndryshojë nga „Grupi i Kontaktit" në „Grupin e Partneritetit" si edhe të ketë një bashkëkryetar nga këto vende, për të rritur rolin dhe përgjegjësite e tyre në bashkëpunimin me OSBE.  

Promovimi i pjesëmarrjes së rinisë, angazhimit të saj për të forcuar dialogun dhe bashkëpunimin në 6 vendet e Mesdheut u konsiderua "e ardhmja dhe e tashmja e shoqërive në këto vende." Në konferencë u theksua se "rinia është veçanërisht e rrezikuar nga radikalizimi i dhunshëm” dhe duhen gjetur përqasje efikase për ta larguar nga ky rrezik". Nuk mbetën jashtë fokusit të saj roli i konektivitetit, dixhitalizimit, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror, në shërbim të "progresit në sigurinë e përbashkët "

Albanien Susanne Schütz Deutsche Botschafterin in Tirana
Susanne Schütz, e ngarkuar Federale për Europën Jug-Lindore, Turqinë dhe Shtetet e EFTA-S në Ministrinë e Jashtme në BerlinFotografi: S. Schütz/P. Cenciarelli

Schütz: Shqipëria merr përsipër konsolidimin e multilaterizmit

Sfidat për progres në sigurinë e përbashkët gjatë Presidencës shqiptare të OSBE, 2020 mund të përballen me sukses me një angazhim dhe përgjegjësi të të gjitha palëve, u theksua në konferencë. Ambasadorja Susanne Schütz, e ngarkuar Federale për Europën Jug-Lindore, Turqinë dhe Shtetet e EFTA-S në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme në Berlin, pjesëmarrëse në konferencën „OSBE për Mesdheun" vuri në dukje në një deklaratë lidhur me zhvillimin e konferencës se „Shqipëria tregoi që merr përsipër përgjegjësi për arkitekturën e sigurisë dhe së bashku me ne ndjek objektivin e konsolidimit të multilaterizmit. Qeveria Federale e  përshëndet këtë dhe do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në kontekstin e kryesimit prej saj të OSBE-së për vitin 2020".

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana