1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Formimi profesional dual në Greqi

Bettina Thoma-Schade
27 Mars 2019

Për ta bërë më tërheqës formimin profesional, hekurudha greke OSE dhe mirëmbajtësi i shinave dhe vagonëve EESTY ka ndërmarrë një projekt pilot për shkollimin dual. Ata mbështeten nga Dhoma e Tregtisë greko-gjermane.

https://p.dw.com/p/3FkON
Bildergalerie Krise Griechenland
Fotografi: DW/D.Grathwohl

Papunësia te të rinjtë në Greqi është në kuotën mbi 39 përqind. Akademikë të shkolluar mirë nuk gjejnë punë dhe braktisin vendin. Njëkohësisht mungon fuqi punëtore e kualifikuar në artizanat dhe në industri. Për ta bërë më tërheqës formimin profesional, hekurudha greke OSE, së bashku me mirëmbajtësin e shinave dhe të vagonëve EESTY ka ndërmarrë një projekt pilot për shkollimin dual. Ata mbështeten nga Dhoma e Tregtisë greko-gjermane. Brezi i parë i kursantëve (që e filloi kursin në vitin 2017) përfundoi në qershor.

Qendrën e trajnimit për hekurudhën greke e gjen në jugperëndim të Athinës. Kursantët mësojnë këtu të riparojnë dhe të mirëmbajnë trenat. Anastasia Petropoulou dëshiron të bëhet mekanike. Ky është një profesion që zakonisht dominohet nga meshkujt. Programi i trajnimit e kënaq, pavarësisht nëse mëson teknologji të lartë apo punë të tjera.

Ajo thotë se çdo ditë sfidat janë të reja. "Gjithnjë e më shumë unë e kuptoj se programi i trajnimit ka shumë aspekte të ndryshme dhe kam shumë shanse të ndryshme për të punuar. Kjo kompani i respekton të gjithë. Dhe kushtet e punës janë shumë të mira."

Janë rreth 200 kursantë që e mësojnë këtu zanatin - sipas standardeve gjermane. Formimi profesional përmban shumë përvoja në praktikë dhe një plan të qartë trajnimi. Kursantët marrin 470 euro në muaj - një shumë më e madhe se ajo që marrin zakonisht në Greqi. Hekurudha ka nevojë për punonjës të rinj.

Shkollimi vlen për të gjitha degët e industrisë

Symbolbild Österreich will griechische Staatsbahn überehmen
Fotografi: picture-alliance/dpa/O. Panagiotou

„Shumë punonjës të hekurudhave së shpejti do të dalin në pension. Kjo do të thotë: do të jenë shumë vende pune bosh, që duhen mbushur. Kursantët do të kenë shumë mundësira. Edhe tani, kur operatori po privatizohet dhe ristrukturohet, ka nevojë për të rinj të kualifikuar."

Pas gjashtë orësh trajnimi praktik, vjen teoria. Dhomat ku jepet mësimi i vë në dispozicion kompania e hekurudhës dhe mësuesit vijnë nga kolegje teknike shtetërore. Drejtuesja e formimit profesional, Maria Karemesini thotë se trajnimi bëhet për nevojat e punësimit në përgjithësi, "në mënyrë që dikush që ka marrë formim profesional në shkollat tona mund të gjejë punë për specialitetin e tij ose të saj në të gjitha llojet e industrive, të cilave u duhet të punësojnë njerëz të trajnuar në këtë degë të ekonomisë."

Nikolas Douros në fakt ka studiuar teologji. Por nuk gjeti dot një punë të përshtatshme. Kështu që tani kërkon një perspektivë të re. "Kam besim se do të gjej një vend pune", thotë kursanti në pajisjet dhe sistemet elektronike. "Në sajë të kualifikimeve gjermano-greke kjo do të jetë e mundur, ose këtu, ose diku tjetër në Evropë."  

Programi i formimit dual profesional është ende në fazën e testimit. Dhomës së Tregtisë Gjermano-Greke i duhet të ngulë këmbë fort që programi të ecë si duhet.

"Arritëm ta bindim industrinë, se këtë njerëz janë çështja juaj", thotë Anastasios Kelemis, nga Dhoma e Tregtisë Gjermano-Greke. "Duhet ta kuptoni se nuk është hedhje kohe ose parash në kosh. Por është investim për të ardhmen. Sepse në Greqi, hendeku midis teorisë dhe praktikës është shumë i madh."