Gratë e veriut guxojnë: Rriten rastet e denoncimit të dhunës në familje
21 Mars 2011Dhuna në familje është një dukuri prezente në mbarë Shqipërinë. Edhe Shkodra nuk i ka shpëtuar ndikimit negativ të saj. Shpesh herë, gratë, fëmijët dhe të moshuarit, janë të rrezikuar pikërisht aty ku duhet të jenë më të mbrojtur, aty ku presin siguri, dashuri dhe mbështetje, në familje. Realiteti dëshmon herë pas here të kundërtën. Në qendrat e rehabilitimit pothuajse çdo ditë paraqiten për denoncim gra të dhunuara nga zonat rurale, por edhe nga qyteti. Ato kërkojnë ndihmën e punonjësve socialë dhe psikologeve të qëndrës, për të dalë nga cikli i dhunës që ushtrohet ndaj tyre brenda familjes.
Dhuna ka disa fytyra - jo vetëm atë fizike
Një grua e dhunuar, që do të mbesë anonime shprehet: “Kam ardhë këtu me ju drejtu ju. Kam një burrë që pothuajse më dhunon gjithë ditën. Dëshira e tij është më pas vetëm djem. Ndaj meje ushtrohet dhunë dhe një tutelë e vazhdueshme. Jam tanë kohën nën kontroll. Nuk e duroj ma. Nuk e duroj ma…...”.
Punonjësja sociale, Luljeta Alibali i jep ndihmën e parë, duke u shprehur se asgjë nuk paragjykohet në këtë qendër. Ajo pohon se dhuna që ushtrohet ndaj grave brenda familjes, është e formave të ndryshme dhe thuajse në çdo rast, gratë që paraqiten për denoncim, janë në gjendje të dëshpëruar. “Dhuna është e të gjitha niveleve. Dhunë fizike, psikologjike e seksuale. Në të shumtën e rasteve ato kanë shenja. Ndaj puna e parë që bëhet, është mbështetja emocionale. Ndërkohë që punohet me gruan që t'i jepet një zgjidhje për situatën e saj, që është shumë e vështirë. Ka raste që duhet të denoncojnë dhunën dhe qëndra jonë i mbështet ato deri në prokurori, gjykatë e përmbarim për zbatimin e vendimit”.
Çrrënjosja e mentalitetit të dhunshëm kërkon bashkëpunim të disa faktorëve
Ndërsa drejtuesja e qendrës së gruas “Hapat e Lehtë” Alketa Leskaj thotë se shërbimi antidhunë, është inicuar në fillim të vitit 2010, si nevojë për t ‘i ardhur në ndihmë një numri në rritje të grave që paraqiten me shenja të dukshme të dhunës dhe që kërkojnë ndihmë. “Kështu punohet në nivel individual për zgjidhjen e rasteve emergjente të grave në nevojë, duke mos lënë pas dore nivelin politik, punën me institucionet, duke bërë ndërhyrje sipas ligjeve në fuqi për të çrrënjosur mentalitetin e dhunshëm, që ekziston në qytetin e Shkodrës, në periferi të tij e në të gjithë zonën e veriut”.
Sipas juristes Denada Shpuza, shumica e grave që pësojnë dhunë, nuk raportojnë për arsye të ndryshme. “Gjykata e Shkodrës ka dhënë vetëm 5 vendime gjyqësore përsa i përket rasteve të dhunës në familje. Denoncimet janë të shumta, shpesh herë mbesin në polici, shpesh herë viktima tërhiqet “.
Punonjëset sociale të antidhunës shprehen se dhuna në familje ka një kosto sociale dhe ekonomike për vetë shtetin, ndaj nevojiten masa më efikase për parandalimin e këtij krimi, duke mos e lënë vetëm në dorë të organizatave joqeveritare. Gjithashtu sipas tyre është e nevojshme të punohet për të ndryshuar mentalitetin e shoqërisë dhe të vetë strukturave që zbatojnë ligjin.
Autor: Leka Plani
Redaktoi: Lindita Arapi