Gratë- viktima të drogës made in Afganistan
29 Gusht 2007Deri pak kohë më parë, vetëm konsumatorët në perëndim dhe pak njerëz nga Afganistani blenin droga made in Afganistan. Por në vitet e fundit, tabloja ka ndryshuar. Christina Oguz, përfaqësuese në Kabul e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, shkurt UNODC, thotë se më shumë se 130 mijë afganas konsumojnë drogë.
Sipas raportit më të fundit të UNODC, numri i grave që konsumojnë drogë është rritur në mënyrë të fuqishme: "Rreth 65 mijë gra përdorin lloje të ndryshme droge- kombinacione bimësh farmaceutike ose opium apo gjëra të ngjashme."
Sipas Oguzit, drogat i lehtësojnë përkohësisht gratë nga hallet që kanë. Kjo i bën gratë të tymosin Canabis ose të marrin Heroinë për të lehtësuar dhimbjet e tyre emocionale. Oguzi beson se lufta e vazhdueshme i ka bërë shumë gra të preken nga depresione kronike, nga çrregullime posttraumatike stresi etj. Për më tepër, kokteji i drogës duket se i ndihmon ato të përballojnë punën e tyre të rëndë:" Në veri të vendit ka disa komunitete, ku gratë janë endësë qilimash, ato ulen në pozicione të përkulura kur endin qilimat e kjo u vret kurrizin- prandaj ato marrin opium për shkak të dhimbjeve.
Christina Oguz thotë se shumica e grave nuk janë të ndërgjegjshme për efektin shkatërrues që kanë lehtësuesit e dhimbjeve për organizmin e tyre. Veçanërisht në zonat fshatare mungojnë njohuritë për efektet dëmtuese të konsumimit të drogave. Kujdesi i pamjaftueshëm shëndetësor në shumicën e pjesëve të vendit i detyron gratë të marrin droga kundër të gjitha llojeve të sëmundjeve. Injoranca e tyre dëmton jo vetëm ato vetë, por edhe fëmijët e tyre:
"Ato e thithin tymin dhe pastaj e fryjnë atë në gojën e fëmijëve të tyre. Këtë e bëjnë për dy arsye, e para sepse nuk janë të ndërgjegjshme për rrezikun, dhe e dyta janë mungesa e mjeteve për mbrojtjen e shëndetit; ose sepse duan që fëmijët të rrijnë të qetë kur ato punojnë, ose sepse fëmijët kanë kollë ose diçka të ngjashme, për të cilën ato nuk kanë medikamente. Kështu që ato i përdorin drogën, siç kanë bërë gjithmonë, dhe kështu edhe fëmijët e tyre bëhen të varur nga droga."
Ky rreth i mbyllur është i vështirë të thyhet. Gratë dhe fëmijët me varësi nga droga nuk marrin thuajse asnjë ndihmë, sepse shoqëria e Afganistanit e dënon marrjen e drogave. Ndërkohë, UNODC ka filluar të mbështesë qeverinë me ndërtimin e qendrave ku kurohen viktimat e drogës. Kombet e Bashkuara kanë nisur gjithashtu të stërvitin policinë anti-narkotike, si edhe gjykatësit, prokurorët dhe doktorët, për të qenë në gjendje për t'i këshilluar si duhet gratë. Por shkulja e rrënjëve të varësisë është një detyrë e vështirë, veçanërisht nëse shkaqet për këtë varësi mbeten të njëjta: varfëria, injoranca dhe lufta.