Gratë në Shqipëri objekt i dhunës në familje
31 Mars 2010Asaj i dridhet zëri dhe sytë i mbushen me lot, kur më tregon pse është larguar nga shtëpia dhe çfarë i ka ndodhur. Marie Simoni, 40 vjeç, jeton prej disa muajsh në
“Strehëzën për gra dhe vajza të dhunuara” në Tiranë, larg fëmijëve të saj..
Nga shtëpia e dëboi dhe e nxori në mes të katër rrugëve burri i saj, Mikeli.
“Prej dy vitesh ai më rrihte rregullisht, më torturonte, më hidhte kryet në vaskë, e kisha trupin të nxirë nga goditjet e tij”
Maria kishte duruar. Pse nuk e denoncoi kurrë dhunuesin e saj në polici?
“Nuk e denoncova në polici për hir të fëmijëve. Për hir të tyre i duroja gjithë torturat, që më bënte.” thotë ajo me zë të dridhur.
Pas dy javësh Maria do të dalë para gjyqit, e akuzuar nga bashkëshorti dhunues, se ka braktisur familjen. Strehëza, ku ajo banon prej disa muajsh, i ka gjetur një avokat mbrojtës. Drejtësia është ajo, për të cilën ajo tani ka nevojë më shumë se për çdo gjë tjetër. “ Kam besim tek drejtësia” thotë Maria.
Dhunë që nuk denoncohet
Besim tek drejtësia kanë edhe gratë e tjera të dhunuara fizikisht, që ndodhen në këtë Strehëzë. Drejtorja e saj ekzekutuve, sociologia Eda Haxhiymeri, thote se pjesa dërrnuese e tyre vijnë nga zonat rurale dhe janë pa asnjë mbështetje financiare. Ajo e sheh dhunën ndaj gruas në familje dhe jashtë saj si një dukuri mjaft shqetësuese.
“Dhuna ndaj gruas është e shtrirë në shoqërinë shqiptare. Nëse vlerësojmë si shumë problematike dhunën fizike, që haset më shpesh, ka ndërkohë edhe dhunë emocionale, psikologjike, nga të cilat preket një pjesë e madhe e grave në Shqipëri. E kam fjalën për etiketime, përçmime, diskriminime, qö janë përvoja, që gjenden në familjet shqiptare”
Të njëjtin shqetësim për shtrirjen e dhunës ndaj gruas në Shqipëri shpreh edhe raporti i Amnesty International, i sapo publikuar javen e kaluar. Ai konstaton se në Shqipëri një në tre gra dhunohet fizikisht, emocionalisht, apo psiqikisht. Raporti vëren se ka pak, apo aspak denoncime në polici nga gratë për dhunuesit e tyre. Edlira Haxhymeri sheh disa arsye kryesore, pse ndodh kështu:
“Kanë frikë. Pastaj është edhe çështje mentaliteti. Mënyra sesi shihet një grua në komunitet, kur shkon kërkon ndihmë në polici, nuk është inkurajuese. Gratë e kanë të vështurë të denoncojnë në polici, pasi shumica e atyre ndaj të cilave ushtrohet dhunë fizike në familje, vijnë nga komunite rurale, patriarkale, të prapambetura”
Por edhe kur ka denoncime ato tërhiqen pas disa ditësh, apo javësh. Kërcënimet nga burri dhunues i bën edhe ato pak gra, që denoncojnë në polici, t' i tërheqin denoncimet e tyre, duke bërë kështu të pamundur, që dhunuesit të përballen me drejtësinë.
Emancipimi i shoqërisë- çelësi për ndryshimin e situatës.
Që kjo situatë të ndryshojë për mirë lypset sinergjia e shumë faktorëve.
“Rol të rëndësishëm luan edukimi, shkolla, mediat në transmetimin e mesazhevetë një komunikimi të shëndetshëm. Zhdukja e dhunës ndaj gruas është çështje emancipimi e zhvillimi të përgjithshëm të shoqërisë, duke patur këtu parasysh faktorin ekonomik, politik dhe legjislativ.”
Kjo do te thotë plotësim i kuadrit ligjor për një mbrojtje më të mirë se deri më sot për gratë, që denoncojnë dhunën fizike dhe bëjnë të mundur zbatimin e ligjit dhe përballjen me drejtësinë të dhunuesve të tyre.
Autor: Ani Ruci
Redaktoi: Angjelina Verbica