Gratë janë e ardhmja e Evropës - Ségolène Royal është njëra nga ato
17 Nëntor 2006Ajo fitoi ndaj Dominique Strauss-Kahn dhe Laurent Fabius. Vitin tjetër francezët do të votojnë se cili do të pasojë në postin e presidentit francez Zhak Shirak. Konkurenti i saj nga kampi konservator do të jetë pas gjithë gjasash Nicolas Sakozy.
"Po e përjetoj intensivisht këtë moment lumturie" - thotë duke u përcjellë Segolene Royal, e surprizuar dhe e kënaqur njëkohësisht prej besimit të bazës së partisë tek personi i saj.
"Dua t'ju them se nuk do të zhgënjeheni, së bashku do të ndërtojmë diçka të jashtëzakonshme. Unë do të vazhdoj punën bazuar në vlerat e mia, të të dëgjuarit me vëmendje, të vështrimit ndaj realitetit. Unë do të mbetem kjo që jam." - premton ajo përpara elektoratit të saj në Deux-Sevres në Francën perëndimore.
Në qendrën e socialistëve në Paris, disa hapa larg prej bulevardit Saint Germain ndihmësit e saj përgëzojnë njëri-tjetrin. Celularët me urime nuk pushojnë: "Kemi bërë vërtet punë të mirë. Të përqafoj.."
Edhe zëdhënësi i Royal, Jean-Louis Bianco, nuk e fsheh dot gëzimin: "Kemi dhënë një shembull të arritur të demokracisë dhe mund të jemi kolektivisht krenarë për këtë. Ky është një moment i madh. Përcaktimi i kandidatit përmes votimeve të bazës ishte një premierë historike. Nuk e di nëse Segolenë Royal do t'i fitojë zgjedhjet presidenciale, por fituese kësaj here ishte Partia Socialiste."
Shefja u ka kërkuar ndihmësve dhe pasuesve të saj të mos dehen prej këtij suksesi dhe të mos e teprojnë me të festuara.
"Jemi të kënaqur, por gëzimi i vërtetë do të jetë kur t'i mundim të djathtët dhe kur Segolene Royal të zgjidhet presidente. Tani duhet t'i respektojmë të gjithë socialistët e tjerë që votuan për kandidatë e tjerë duke i sqaruar se jemi të gjithë vëllezër. Në fushatën elektorale do të mobilizohemi të gjithë sepse fakti që kandidon një grua është i rëndësishëm jo vetëm për Francën por për të gjithë Evropën." - thotë një ndihmës.
Dy kandidatët e tjerë, ish-ministri i ekonomisë Dominique Strauss-Kahn dhe ish-kryeministri Laurent Fabius dërguan në qendrën e partisë në Paris përfaqësuesit e tyre. Njëri prej tyre Claude Bartolone sqaron se anëtarët e rinj që janë anëtarësuar masivisht muajt e fundit në parti ishin përkrah Royal dhe se tani nuk mbetet që gje tjetër vetëm se ta pranojmë fitoren e saj dhe ta mbështesim. "Tani na duhet të fillojmë të përziejmë kollën për të ngjitur pllakatat dhe përgatitjet për fushatën elektorale 2007."
Në murin e një prej korridoreve të selisë qendrore të Partisë socialiste franceze ka rreth 20 vjet që varet një pllakatë me slloganin "Gratë janë e ardhmja e Evropës", sllogan ky që tingëllon më aktual se kurrë.