Gratë egjiptiane kundër ngacmimeve seksuale
2 Gusht 2012Nihal Saad Zaghloul i shfaqen nganjëherë burrat përsëri në gjumë. Burrat, që e ngacmonin seksualisht në sheshin Tahrir. Asaj i dalin ata përpara, e kapin, e prekin, derisa Nihalit i del gjumi. Ishte e premte, në fund të qershorit, kur Nihal shkoi me shokë për të demonstruar në sheshin Tahrir. Një ditë, që Nihal nuk e harron më. "Unë u ndava nga shokët e mi, disa burra më hoqën shaminë nga koka, dhe më kapnin", thotë Nihal. "Ishin më shumë se 15 burra. Duart e tyre ishin kudo."
Por Nihal pati fat. Demonstruesit i erdhën në ndihmë dhe e nxorën nga masa e burrave. Atyre, që nuk u vjen kush në ndihmë, rrëfejnë gjëra më të këqija. Se si burrat u heqin rrobat nga trupi, derisa mbeten zhveshur. Se si i prekin në të gjithë trupin, në disa raste madje edhe dhunohen.
A janë sulmet të motivuara politikisht?
Kur në qendrën e Kairos zhvillohen demonstrata, atëherë janë edhe këta burra në sheshin Tahrir. Po kush janë ata, nuk e di askush me saktësi. Ata zakonisht dalin të gjithë në të njëjtin vend, janë të organizuar në grupe deri në 30 vetë. Sally Zohney e programit të OKB-së për gratë është e sigurtë, që një pjesë e burrave janë të ngarkuar për t'i mbajtur gratë larg protestave. "Mënyra e ngacimit gjatë demonstratave është ndryshe nga ngacmimi i përditshëm në rrugë", thotë Zohney. "Ngacmimi është më vulgar, synon të prekë nderin dhe krenarinë. Vullneti i grave duhet thyer."
Ngacmimet shtohen edhe në të përditshmen
Por jo të gjithë, që sulmojnë kanë motive politike. Shumë burra, vijnë thjesht për të shfrytëzuar anonimitetin e masave të mëdha të njerëzve për ngacmime seksuale. Por jo vetëm në demonstrata edhe në situatat e përditshme shtohen abuzimet seksuale, bëhen më ekstreme. Asnjë grua nuk mund të kalojë në qendrën e Kairos, pa u ngacmuar. Sipas një studimi të qendrës Egjiptiane për të Drejtat e Grave që në vitin 2006 më shumë se 80 përqind e grave egjiptiane janë keqtrajtuar seksualisht. Vetëm gjysma e burrave e ka pranuar, se kanë ngacmuar gratë.
Sally Zohney e organizatës për gruan në OKB beson, se numri sot është shumë më i lartë. Sepse që prej revolucionit forcat e rendit janë zhdukur nga rrugët e Egjiptit. Askush nuk i dënon dorasit. "Edhe në qoftë se ndodhet ndonjë polic aty pranë", thotë Zohney, "ai nuk ndërmerr asgjë. Dorasit e dinë, se nuk dënohen kurrë."
As mbulimi nuk ndihmon
Në shumicën e rasteve u vihet faji vetë grave për sjelljen e burrave. Në këtë kulturë të dominuar nga burrat viktimat akuzohen. Edhe Mubaraku propagandonte që gratë duhet të mbulohen, për të mos u ngacmuar seksualisht. Por në fakt mbulimi nuk të mbron nga abuzimi seksual. Sipas një studimi të qendrës Egjiptiane për të Drejtat e Gruas gratë ngacmohen njëlloj, qofshin të mbuluara, apo të pambuluara.
Shumë gra nuk durojnë më, kërkojnë të drejtat e tyre. Janë në rradhë të parë egjiptianet e reja ato, që luftojnë për më shumë ndërgjegjësim në publik dhe për një transformim të shoqërisë. Në blogun Harassmap.org, që u nderua këtë vit me Blog Award "The BOBs" të Deutsche Welle-s, gratë njoftojnë se kur dhe ku janë ngacmuar. Përmes organizimit të demonstratave dhe fushatave sensibiluzuese inkurajohen edhe gra të tjera për t'u mbrojtur.
Të drejta të tjera të grave në rrezik
Por nuk është vetëm abuzimi seksual, ai që i bën gratë të dalin në rrugë. Të drejta të tjera të grave të fituara rrezikojnë të hiqen. Në parlamentin tashmë të shpërndarë, islamistët diskutojnë, se si t'ua ndalojnë grave krejtësisht divorcin, që ta ulin moshën e martesës nga tetëmbëdhjetë vjeç në dymbëdhjetë.
Duket se do të jetë një luftë e gjatë e grave të Egjiptit. Edhe Nihal Saad Zaghloul lufton. "Unë dëshiroj që ne të trajtohemi njëlloj", thotë ajo. "Si njerëz. Dhe unë dëshiroj, që asnjë gruaje të mos i ndodhë, ajo që më ka ndodhur mua."