1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gra në misione paqeruajtëse? Jo mision i pamundur

Aida Cama
16 Prill 2019

Pjesëmarrjen e grave në misionet paqeruajtëse Gjermania e ka bërë prioritet të presidencës në Këshillin e Sigurimit. Si grua të hapen të tjera dyer për angazhim, thotë gruaja e parë që ka drejtuar një mision paqeruajtës.

https://p.dw.com/p/3Gqmc
Major General Kristin Lund
Fotografi: Youtube/United Nations

Gjeneral majorja Kristin Lund, është gruaja e parë që ka drejtuar një mision paqeruajtës të OKB, atë të Qipros. Sot ajo drejton misionin e OKB dhe trupën paqeruajtëse në Lindjen e Mesme. Norvegjezja, që ka 36 vjet që shërben nën uniformë foli në Këshillin e Sigurimit për përfshirjen më të madhe të grave në misionet paqeruajtëse. "Kur mora përsipër misionin në Qipro, përqindja e grave në mision ishte 4 përqind. Përqëndrimi në barazinë gjinore bëri që përqindja e grave të rritej në 8 përqind", tregon Lund. Ky është edhe synimi i OKB, që deri në vitin 2020 përqindja e grave të rritet nga 4 në 8 përqind.

Si grua të hapen të tjera dyer

"Si grua në krye të një misioni unë kam bërë ato gjëra që bëjnë edhe burrat, por duke qenë grua të hapen të tjera dyer nga komuniteti ku shërben, duke krijuar mundësinë që të angazhohesh me të gjithë shoqërinë,” thotë gjeneral majorja, Lund. Ajo tregon për pozicionet në misione që organizohen vetëm për burrat dhe që në përgjithësi gratë e kanë të vështirë të qëndrojnë gjatë në forcat e armatosura. "Njëra nga arsyet pse gratë nuk qëndrojnë në forcat e armatosura është kultura mashkullore në organizatën ushtarake,” thotë ajo duke dhënë si shembull palestrat e mbushura me postera me gra gjysmë të zhveshura. Ajo po ashtu tregon për vendet që dërgojnë ushtarët paqeruajtës që nuk dërgojnë gra pjesëmarrëse.

Norwegische Generalin Kristin Lund leitet UN-Friedenstruppe
Gjeneral majorja Kristin Lund, është gruaja e parë që ka drejtuar një mision paqeruajtës, në foto me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, Ban Ki MoonFotografi: Stan Honda/AFP/Getty Images

Etiopia me përqindjen më të madhe të grave paqeruajtëse

120 vende dërgojë paqeruajtës në misionet e OKB. Pjesa më e madhe e trupës paqeruajtëse vjen nga Etiopia që ka 7554 dhe pjesëmarrje 25 përqind të grave. Bangladeshi, Ruanda dhe India marrin pjesë me mbi 6500 paqeruajtës. Gjermania merr pjesë me 567 vetë në misionet paqeruajtëse në botë. SHBA me 40 paqeruajtës.

Por Gjermania e ka bërë pjesëmarrjen e grave në paqeruajtje prioritet të mbajtjes së presidencës në Këshillin e Sigurimit. Për të shprehur rëndësinë që Gjermania i jep kësaj çështjeje, debatin e hapur para pak ditësh e drejtoi vetë ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen. "Edhe sot, 20 vjet mbas rezolutës 3025 që merret me rritjen e pjesëmarrjes së grave në paqeruajtje, jemi ende larg zbatimit të saj,” thotë ministrja von der Leyen, e cila tregon planet e Gjermanisë për të nxitur ndryshimin.

USA UN-Sicherheitsrat Ursula von der Leyen
Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der LeyenFotografi: picture-alliance/dpa/K. Nietfeld

"Network"- Rrjet global për gratë paqeruajtëse

Gjermania do të krijojë një network global për gratë paqeruajtëse. "Akses të barabartë në informacione, akses të barabartë në fitimin e aftësive,” thotë ministrja. Për rritjen e aftësive Gjermania do të ofrojë një kurs të vazhdueshëm për trajnimin e paqeruajtësve. Nismën e Kanadasë me projektin Elsi, Gjermania e mbështet me 2 milionë euro. "Për të patur pjesëmarrje më të madhe të grave në misione, duhet rritur numri i grave në ushtritë kombëtare,” thotë von der Leyen, e cila drejton presj 5 vjetësh sektorin e mbrojtjes në Gjermani.

Në misionin e OKB në Kosovë marrin pjesë 350 vetë, por në të dhënat në faqen e internetit të UNMIK nuk jepen shifra për gratë pjesëmarrëse.