1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Goditje me pasoja të rënda ndaj civilëve në Liban

30 Korrik 2006

Pas bombardimit të aviacionit izraelit me pasoja të rënda ndaj popullsisë civile në fshatin Kana në Libanin e jugut, edhe ministrja e jashtme e ShBA, Kondoliza Rajs që ndodhet në rajonin e krizës u shpreh, se ka ardhur koha për armëpushim.

https://p.dw.com/p/AqcM
Liban, sulma ajror në Kana
Liban, sulma ajror në KanaFotografi: picture-alliance/dpa

Kryediplomatja e ShBA, Kondoliza Rajs, që po zhvillon një tur të dytë diplomatik për zbutjen e konfliktit në Lindjen e Mesme, shprehu keqardhjen për këtë tragjedi në fshatin Kana, ku pas një sulmi të aviacionit izraelit gjetën vdekjen mëse 51 civilë, ndër ta 22 fëmijë. "Në sfondin e dhimbjes për këtë tragjedi me të cilën u përballën populli dhe qeveria e Libanit, unë do ta shtyj vizitën e planifikuar për sot në Bejrut." Rajs vuri në dukje më tej, se ajo do të vazhdojë bisedimet me zyrtarët izraelitë dhe puna e saj konsiston në përcaktimin e elementëve të nevojshëm për t´i dhënë fund konfliktit.

Reagimet nga Libani ishin mjaft të ashpra. Kryeministri Fuad Siniora, që e cilësoi atë si "masakër izraelite" tha, se do të hyjë në bisedime vetëm nëse do të vendoset menjëherë dhe pa kushte armëpushimi. Siniora kërkoi hetim ndërkombëtar të sulmit. Qeveria libaneze për këtë arësye anulloi vizitën e planifikuar në Bejrut të ministres së jashtme të ShBA, Kondoliza Rajs. Siniora theksoi: "S´ka vend për diskutime, por vetëm për një armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte si dhe hetim ndërkombëtar të kësaj masakre të Izraelit në Liban."

Izraeli hodhi poshtë çdo përgjegjësi për këtë masakër. Ushtria izraelite deklaroi, se sulmi kish në shënjestër një impiant raketash. Popullsia civile ka qenë e paralajmëruar. Ky është sulmi më i rëndë i aviacionit izraelit qysh prej fillimit të ofensivës. Sipas të dhënave të ekipeve të ndihmës në fshatin Kana janë shkatërruar shumë shtëpi dhe numri i viktimave mund të jetë në rritje.