1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Goditje e rrjetit islamist në 10 lande gjermane

15 Nëntor 2016

Një goditje e re kundër skenës salafiste në Gjermani: Policia gjermane kontrollon banesa e zyra në dhjetë lande gjermane. Bëhet fjalë për organizatën salafiste, DWR, "Religioni i vërtetë".

https://p.dw.com/p/2SiKQ
Deutschland Razzia gegen Islamisten
Fotografi: picture-alliance/dpa/W. Kastl

Me një aksion të zgjeruar në dhjetë lande gjermane, policia ka vepruar kundër të dyshuarve si mbështetës të IS-it, të ashtuquajturit "Shtet Islamik". Sipas informacioneve të Agjencisë Gjermane të Lajmeve, dpa, janë kontrolluar më shumë se 200 banesa dhe zyra të mbështetësve dhe organizatorëve të organizatës salafiste, "Religioni i vërtetë", që merret edhe me aksionin e kontestuar të shpërndarjes së Kuranit në disa qytete gjermane, "Lexo!"

Salafistët mbështesin islamin veçanërisht konservator, refuzojnë demokracitë perëndimore dhe duan një rend islam, ku të zbatohet sharia. Pikërëndesa e aksionit policor që filloi të martën (15.11) herët ndodhej në landin e Hessenit, ku pati 65 kontrolle, 15 prej tyre në Frankfurt am Main. Po ashtu kontrolle u zhvilluan edhe në Berlin, në landin e Bavarisë dhe Renani-Veriore Vestfali.

Sipas informacioneve të dpa-së, ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere pritet të ndalojë aksionin e shpërndarjes së kuranit nga organizata "Religioni i vërtetë" në zona këmbësorësh. Autoritetet i cilësojnë këto aksione antikushtetuese.

Deutschland Salafisten Koran-Verteilung
Aksioni i kontestuar i shpërndarjes së Kuranit "Lexo! nga organizata salafiste, DWRFotografi: picture-alliance/dpa/J. Stratenschulte

Në fokus të "Mbrojtjes Kushtetuese"

Enti i "Mbrojtjes Kushtetuese" akuzon pjesëtarët e simpatizantët e organizatës "DWR", "Religioni i vërtetë" për glorifikim të atentateve terroriste dhe xhihadit. Kjo organizatë shërben edhe si strukturë rekrutuese për xhihadistët. Sipas informacioneve nga qarqet e sigurisë, së paku 140 përkrahës dhe aktivistë të aksionit shpërndarjes së të kuranit "Lexo! kanë shkuar në Siri dhe Irak.

Ndalimi i organizataës islamiste, thuhet nuk ka për qëllim ndalimin e shpërndarjes së besimit të islamit, por ndalimi synon keqpërdorimin e islamit përmes aktivistëve, që propagandojnë ideologji ekstremiste dhe mbështesin organizata terroriste.